Foto: Ilustrim
Kriza me energjinë – Shkak i zhvillimit ekonomik, konsumit të lartë apo i rrjetit të vjetruar?
Kryeshefi i KOSTT-it, Evetar Zeqiri tha të premten më 27.12.2024, se Sistemi Elektroenergjetik në Kosovë është duke u përballur me ngarkesë të jashtëzakonshme, si rezultat, ndër të tjera, sipas tij, edhe i ‘zhvillimit ekonomik në vend në vitet e fundit’.
Këtë deklaratë Zeqiri e tha pas një takimi me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe përfaqësuesin e KEDS-it, Bujar Jupaj.
Takimi ndodhi pasi disa Komuna të Kosovës, tash e disa ditë, janë duke u përballur me reduktime të ashpra të energjisë elektrike.
“Si Operator i Sistemit të Transmetimit dëshirojmë të sqarojmë qytetarët, bizneset, mediat që Sistemi Elektroenergjetik është duke u përballur me ngarkesë të jashtëzakonshme, si rezultat i zhvillimit ekonomik, që ka ndodhur në vitet e fundit; si rezultat i elektrifikimit të ekonomive e bizneseve tona. Operatori i Sistemit të Transmisionit është duke bërë maksimumin e mundshëm, që të operojë në kapacitetet tona.” – tha Zeqiri para gazetarëve.
Ai e përsëriti dy herë, gjatë deklaratës së tij, se aktualisht Kosova nuk është duke u përballur me mungesë të energjisë elektrike, por me mbingarkesë!
“Nuk ka mungesë të energjisë elektrike, prodhimi është në maksimum. Ne po operojmë në katër blloqe dhe përveç një blloku, që nuk është në funksion, katër blloqe janë duke punu në maksimum. Po ashtu, KESCO si përgjegjës për furnizim të mungesës është duke e importu energjinë e munguar dhe KOSTT është duke i shfrytëzu të gjitha kapacitetet e tij balancuese me Shqipërinë, që e kemi në dispozicion”.
Për shkaqet e mungesës së rrymës janë publikuar shumë video në TikTok (shih këtu, këtu dhe këtu) e madje janë mbajtur edhe protesta (shih këtu). Por, pse po ka ndërprerje të energjisë elektrike?
Por, sa është duke prodhuar e sa është duke importuar aktualisht Kosova?
Sipas kryetarit të Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, vetëm gjatë muajit dhjetor 2024, Kosova ka importuar energji elektrike 35 milionë euro.
Sipas tij, piku i konsumit aktualisht ka arritur në mbi 1 mijë e 400 mgW/h, ndërsa kapaciteti i Kosovës është maksimumi rreth 900 mgW/h, që i bie se pjesa tjetër importohet.
“Sa për informatën tuaj, ta zëmë, piku maksimal gjatë sezonit të verës nuk e kalon 720. Tani, e kemi mbi 1 mijë e 400 e diçka. Nëse e krahasojmë konsumin e energjisë elektrike, në raport me vendet europiane, ne jemi pothuajse kampion në Europë, për shkak të konsumit.” – ka thënë Fejzullahu për KALLXO.com.
“… tani ka arritur konsumi mbi 1 mijë e 400 mgW/h. Në maksimum shkojmë ta zëmë 800-900. Varet qysh janë njësitë gjeneruese në prodhim, po mesatarisht janë rreth 700. Pothuajse edhe aq, ne do ta importojmë energjinë elektrike.”
Zejnullahu tha se “do të kishte mirëkuptim nëse kjo kërkesë e lartë do të vinte si shkak i zhvillimit ekonomik”. Por, sipas tij, konsumatorët kanë kaluar nga alternativat e tjera në konsumin e energjisë elektrike, për t’u ngrohur.
“Do të kishim pasur mirëkuptim nëse kjo kërkesë do të vinte për shkak të një, si me thënë, një zhvillimi ekonomik. Edhe do të ishte e mirëseardhur edhe pse kemi rritje të konsumit për shkak të bizneseve të reja. Mirëpo, për ne është e papërballueshme, meqenëse një numër i madh i konsumatorëve ka kaluar prej alternativave të tjera të sipërfaqeve ngrohëse në konsum të energjisë elektrike.”
Por, ministrja Artane Rizvanolli tha se pajisjet efiçiente, të subvencionuara nga Ministria e Ekonomisë viteve të fundit, nuk e kanë ngarkuar rrjetin energjetik në Kosovë.
Ajo deklaroi se konsumatorët, të cilët janë subvencionuar me këto pajisje, kanë shpenzuar më pak në krahasim me vitet paraprake.
“Nga të dhënat reale, që i kemi nga konsumi i konsumatorëve që kanë përfituar, shihet se në dimrin 2022-2023, në krahasim me vitin paraprak 2021-2022, përfituesit kanë konsumuar 19% më pak mesatarisht, përfituesit e klimave specifikisht 24% më pak mesatarisht se në vitin paraprak. Nëse i shohim të dhënat për dy vjetët, 27 milionë kilovatë orë kanë konsumuar më pak se në vitin paraprak.” – tha Rizvanolli.
Sa është investuar viteve të fundit në rrjetin energjetik në Kosovë?
Përfaqësuesi i KEDS-it, Bujar Jupaj, tha se sipas të dhënave, KESCO ka rreth 730 mijë konsumatorë në tërë Kosovën.
Sipas tij, prej tyre rreth 95% furnizohen në të njëjtën kohë dhe ai 5% tjetër ka probleme – si pasojë e mbingarkesës.
Jupaj tha se KEDS-i viteve të fundit ka investuar rreth 260 milionë euro në rrjet.
“KEDS-i gjatë këtyre viteve ka investuar rreth 260 milionë euro dhe kjo nënkupton se këto investime janë bërë në harmonizimin e planeve investuese. Sa i përket Malishevës, ne këtë vit kemi investu në superpërçuesin dhe kemi arritur që ta dyfishojmë kapacitetin, mirëpo nga kërkesa e madhe e konsumatorëve është e pamundur të plotësohen të gjitha kërkesat e nevojshme, sa i përket rajonit të Gjakovës, si dhe të rajonit të Ferizajit.”
Ndërsa, kryeshefi i KOSTT-it, Evetar Zeqiri tha se për pesë vjetët e ardhshme, KOSTT-i ka në plan të investojë 100 milionë euro në rrjet.
Ai tha se Nënstacioni i ri në Fushë Kosovë tashmë është përuruar, kurse ai i Ferizajit, sipas tij, pritet shumë shpejt të finalizohet.
“Çështja e Ferizajit është në ditën e fundit të punimeve. Kemi shpresu se do ta përfundojmë deri në fund të vitit, mirëpo keni parasysh se ngarkesa është tepër e madhe.” – tha Zeqiri.
“Jemi duke punuar edhe në Malishevë. Ky projekt vitet e kaluara ka qenë i paraparë, mirëpo është largu para vitit 2020 dhe është ndërtu Nënstacioni tjetër në Drenas. Megjithatë, pasi që kemi marrë detyrën, e kemi vendosur në plan-investim dhe e kemi përshpejtu procedurën. Problemi ëshë i përkohshëm, pra këtë javë e javën tjetër dhe pastaj do të çlirohen kapacitetet e të ulet ngarkesa.”
Sipas Jupajt nga KEDS-i, probleme më të mëdha me reduktime të energjisë elektrike ditëve të fundit kanë pasur Ferizaj, Gjakova, Rahoveci e Malisheva.