Ilustrim: REL (Arkiv)

Kosovarët ende me potencial për t'ju bashkangjitur grupeve terrorriste

Shkuarja, rikthimi, kampanjat, paralajmërimet, dënimet nuk kanë qenë të mjaftueshme të bindin dy kosovarë që të mos shkojnë në Siri.

Një rast i ri ishte zbuluar ditë më parë, për të cilën raportoi KALLXO.com.

Shteti i Kosovës, ka kthyer kontingjentin më të madh të personave nga Siria e Iraku deri më tani.

Por, ani pse ekziston rreziku për dënime të larta që mund të marrin ata që tentojnë të shkojnë në Siri, kjo nuk i ka ndaluar dy kosovarë të cilët morën rrugën për në zonat e luftës ditë më parë, por të njëjtit u kapën në tentativë nga autoritetet turke.

Njëra nga pikat kufitare turke ishte destinacioni ku dy kosovarët u arrestuan pasi u zunë deri sa po tentonin të hynin brenda zonave ku edhe sot ekzistojnë grupe të ndryshme terroriste.

Autoritetet turke kishin arrestuar e pastaj kishin dëbuar dy kosovarët, për t`u arrestuar më pas të njëjtit sërish në Prishtinë, më saktësisht në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

Burimet e Gazetës Jeta në Kosovë kishin thënë se dy kosovarët nuk kishin pasur më herët rast të hapur për ndonjë vepër penale e veçmas për shkuarje ose tentim shkuarje në Siri e Irak, në vatrat ku zhvillohej luftë në emër të islamit.

Koordinatori Nacional Kundër Ekstremizmit dhe Terrorizmit në Kosovë, Fatos Makolli ka thënë se qëllimi dhe motivet e tentimit për të shkuar në Siri nga ana e dy kosovarëve ende nuk dihet.

Ai shtoi se vetë tentimi i tyre tregon potencialin e radikalizmit që kanë.

“Sa i përket rastit te referuar, personat janë arrestuar nga autoritetet turke afër kufirit me Sirinë dhe janë depërtuar në Kosovë. Të njëjtit janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe gjenden ne paraburgim dhe se janë në fazë të hershme të hetimeve, prandaj edhe motivet dhe qëllimet e tyre do të bëhen të ditura pas zhvillimit të hetimeve. Megjithatë vetë ideja e ndonjë individi që potencialisht mendon për të shkuar në zonat e konfliktit në këto kohë do të thotë se këta persona mund të jenë skajshmërisht të radikalizuar dhe të paraqesin rrezik edhe brenda vendit”, thotë ai.

Makolli shpjegoi edhe se si mund të luftohet ideologjia e atyre që dëshirojnë të i bashkëngjiten edhe sot organizatave terroriste në Siri e Irak.

“Ideologjia mund të luftohet vetëm me një qasje gjithëpërfshirëse në parandalim dhe deligjitimim të ideologjive ekstremiste ku përveç institucioneve qendrore, kërkohet një angazhim më i madh edhe i institucioneve lokale, shoqërisë civile, shkollave, komuniteteve fetare, mediave etj”, thotë ai.

Makolli tregoi se problemi tani e tutje do të shtrohet, bazuar në ideologjinë ekstremiste dhe se të njëjtit mund të paraqesin problem dhe rrezik edhe pa tentuar të udhëtojnë për në zonat e konfliktit.

“Institucionet e sigurisë janë në nivelin e përgjegjësisë, megjithatë ka ngecje të shumë institucioneve tjera si dhe te qeverisja lokale të cilët edhe me tutje nuk e shohin ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin si një shqetësim dhe si rezultat nuk mund t’i adresojnë si dhe sa duhet shkaktarët si dhe të bëjnë më shumë në sensibilizimin e të rinjve dhe imunizimin e tyre ndaj këtyre ideologjive”, thotë Makolli për Gazetën Jeta në Kosovë.

Madje vetë Koordinatori Nacional thotë se duhet të shqyrtohen edhe politikat ndëshkimore.

“Po ashtu, vlerësoj se duhet të shqyrtohen edhe politikat ndëshkimore, dhe të ketë dënime shume më të larta për të gjithë personat që tentojnë apo marrin pjesë në grupe terroriste apo luftëra të huaja ai dhe kryejnë vepra penale që ndërlidhen me terrorizëm”, tha ai për Gazetën JNK.

Hulumtuesi i Qendrës Kosovare për Studimet e Sigurisë (QKSS), Skender Perteshi, në një intervistë për Gazetën Jeta në Kosovë, jep versionin e tij sa i përket rastit të ri të tentimit për të shkuar në Siri.

“Nëse i marrim me i krahasu, sulmet terroriste që janë ndërmarrë në Evropë në 2014 deri në 2018 kryesisht, ose shumica e sulmeve, deri në 5 sulme janë kryer nga njerëz që kurrë nuk kanë pasur precedent penal, më herët kurrë nuk janë arrestuar për çështje të terrorizmit ose ekstremizmit të dhunshëm dhe kurrë nuk kanë pasur ose si kanë takuar fizikisht ndaj presonat e ISIS-it ose fizikisht ndonjë organizatë terroriste”, thotë Perteshi.

Perteshi tutje tregon edhe se arsyeja se pse tani po ndodh një rast i ri, duke shtuar se flitet për shkuarje në ISIS, por që nuk ka informacione të sakta.

“Me zhvillimet që ndodhin në terren forcat myslimane, njerëzit atje që ka në organizata tjera që njihen si organizata që i përkasin ekstremizmit të dhunshëm. Nuk janë ose kanë qenë në kohën dinamike të ISIS-it por, përkrahen edhe prej vendeve të tjera të rajonit siç është edhe organizata Al-Fat- Al Sham, ose opozita siriane ku të gjithë janë të stacionuar në Idlib në rrethinë ku ka miliona njerëz edhe sot që po flasim ata bombardohen edhe është luftë e madhe atje”, thotë tutje hulumtuesi i QKSS-së për Gazetën JNK.

“Idlib” vendi që përmendi Perteshi është qytet në Sirinë veriperëndimore.

“Ideja është që këta individ, unë më shumë dyshoj se kanë qenë duke udhëtuar për të iu bashkuar ose me luftu në “Idlib” se sa me qenë pjesë ISIS ose ‘Shtetit Islamik’, sepse fundja ‘Shteti Islamik’ nuk ka më asnjë territor që e kontrollon edhe e ka humb fuqinë e madhe organizative me tërheq njerëz me udhëtu atje”, thotë tutje hulumtuesi i QKSS-së.

Ai madje tregon edhe se si kanë funksionuar grupet dhe rekrutimi.

“Edhe më herët edhe sot edhe në Kosovë kanë qenë dy grupe që kanë rekrutuar njerëz, grupi që ka rekrutuar dhe ka pasur shumë më pak individ, por kanë qenë shumë të fuqishëm dhe grupin tjetër që kanë rekrutuar për ISIS, por ke pasur njerëz shumë më shumë. Edhe sot ideologjia e njerëzve në Kosovë që janë rekrutuar më herët ende e duan apo kanë simpati për atë madje edhe njerëz që kthehen nga këto organizata kërkojnë të trajtohen në mënyrë të ndryshme”, tregon ai.

Perteshi thotë se ritmi i shkuarjeve në zonat e luftës është ndaluar, ndërsa u tregua se ‘Shteti Islamit’, i Irakut dhe Sirisë me shkurtesën ISIS nuk ka qenë e pamposhtur.

“Kanë shkuar në të kaluarën shumë, është ndalë ritmi i shkuarjeve sepse ndryshuan rrethanat, atje nuk patën nevojë për luftëtarë të huaj, për njerëz me udhëtu atje, patën nevojë që mos me ra dëshira me bo “Kalifatin” mirëpo ta presim momentumin tjetër, pasi që nuk pat më fuqi ISIS as me rekrutu njerëz, e as me i pagu apo me i premtu jetë të mirë po edhe u tregu që ISIS nuk është organizatë e pamposhtur”, tha ai.

Sipas Perteshit ani se ISIS një organizatë e fuqishme terroriste, ka humbur betejën, rreziku tani është te ideologjia e cila ende është e fortë.

“Ka ra ISIS, mirëpo ideologjia s’ka ra, kjo është rrezik i madh, ideja duhet me u luftu. Te ne kanë dështuar, janë nxënë edhe dy shqiptarë duke udhëtuar, mirëpo nëse presim një momentum tjetër që del ndonjë organizatë tjetër që mundet me i inspiru qytetarët tanë me udhëtu ata prapë kanë me udhëtu”, thotë Perteshi për Gazetën JNK, duke shtuar se mënyra e ndalimit të shkuarjeve është nëse jeta e qytetarëve bëhet më atraktive në Kosovë.

Problemet që kanë shtyrë kosovarët të udhëtojnë drejt zonave të luftës dhe të luftojnë në përkrah organizatave terroriste, sipas Perteshit janë mundësitë që nuk ua ka ofruar Kosova, duke shtuar edhe se mundësia e diskriminimit dhe mos punësimit.

Në shumë hulumtime që ka publikuar Gazeta Jeta në Kosovë, janë trajtuar tema të shumta sa i takon punës dhe deradikalizmit të personave që janë kthyer në Kosovë.

Në prill të këtij viti, Kosova ri-atdhesoi 110 kosovarë të cilët ishin pjesë kampeve dhe zonave të luftës në Siri e Irak.

Katër burra, 32 gra e 74 fëmijë, 9 nga këta të fundit pa asnjërin prind, janë rikthyer me dëshirën e tyre në Kosovë.

Fëmijët të cilët kanë mbushur vitet për të ndjekur shkollimin, tani janë duke mbajtur mësim, ndërsa gratë dhe burrat e rikthyer po përballen me drejtësinë kosovarë për pjesëmarrje në grupe terroriste.

Ngriten tri aktakuza për tri gra të rikthyera nga Siria

Aktakuzë ndaj të kthyerit nga Siria që pretendohet se luftoi përkrah ISIS-it

Kosova përballet me sfidën e riintegrimit të familjeve të luftëtarëve të ISIS

Jeta e grave nga kampet e ISIS në burgun shtëpiak të Kosovës

.