A ekziston rreziku i rikthimit në Siri?

Sonte në Emisionin “Drejtësia në Kosovë” u transmetuan ekskluzivisht detaje e dëshmi për 4 burrat, 32 gratë dhe 74 fëmijët të cilët pikërisht një javë më parë janë rikthyer nga zonat e konfliktit në Siri.

Koordinatori Nacional kundër Terrorizmit dhe Ekstremizmit, Fatos Makolli tha se institucionet e Kosovës do të punojnë me të rikthyerit.

“Mendoj që sot është një kontest komplet tjetër me atë se çfarë ka ndodhur më herët.  Me punën e institucioneve të Kosovës dhe qasjen që është krijuar në Kosovë, kemi arritur që në masë të madhe ta de legjitimojmë edhe ideologjinë e ISIS por ideologjinë ekstremiste në përgjithësi”, tha Makolli.

Ai shtoi se institucionet e Kosovës janë të përgatitura më shumë.

“Mendoj se institucionet e Kosovës sot janë shumë më të përgatitura, është themlu edhe departamenti për parandalim por edhe programi i rehabilitimit dhe ri integrimit. Institucionet e Kosovës do të ju qëndrojnë afër familjeve të të rikthyerve”, tha ai.

Ai foli edhe për trajtimin e fëmijëve të rikthyer.

“Është plani për ri integrim dhe rehabilitim, janë përfshire të gjitha institucionet që janë të duhura për këtë proces, besoj se të gjitha institucionet do të jenë në nivel karshi detyrave në këtë proces. Nga informatat e para që janë deri më tani të gjithë fëmijët flasin rrjedhshëm gjuhën shqipe, mbetet që ekspertët t’i dizajnojnë programet për fëmijët varësisht prej moshës që kanë, me qëllim që ata sa më shpejtë të ri integrohen”, tha Makolli.

Javën e kaluar në një aksion i cili mund të konsiderohet si një ndër aksionet më të mëdha antiterror në Kosovë, janë rikthyer 110 kosovar të cilët gjendeshin në zonat e konfliktit në Siri.

4 burra një nga ta i mitur, 32 gra e 74 fëmijë janë rikthyer me një aeroplan mesnatën e së premtes dhe të së shtunës.

Burrat janë arrestuar po atë natë dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë ku më pas i është caktuar masa e paraburgimit ndërsa gratë dhe fëmijët janë dërguar në Qendrën e Azilit në Vranidoll ku më pas janë mbajtur procese gjyqësore për caktimin e masë së sigurisë ndaj grave të rikthyera.

Nëntë nga fëmijët e rikthyer janë pa asnjërin prind.