Luftëtarë sirianë që mbështeten nga Turqia - Foto: REL/Reuters

Aktakuzë ndaj të kthyerit nga Siria që pretendohet se luftoi përkrah ISIS-it

Prokuroria Speciale ka ngritur një aktakuzë ndaj një të rikthyeri nga Siria, i cili është riatdhesuar në Kosovë, e i cili pretendohet se luftoi përkrah organizatës terroriste ISIS.

Sipas Prokurorisë Speciale i pandehuri A.M. në korrik të vitit 2015 me paramendim dhe me dashje si dhe me përgatitje paraprake ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës me qëllim të shkuarjes në Siri.

Në bazë të aktakuzës i pandehuri përmes vendkalimit kufitar Hani i Elezit ka shkuar në territorin e Republikës së Maqedonisë dhe ka kontaktuar me përkrahës të organizatës terroriste ISIS, dhe më pastaj në kohë të pavërtetuar të muajit gusht 2015, me pasaportë të falsifikuar në emër të një personi nga Shkupi përmes Greqisë ka udhëtuar me autobus për në Stamboll, ku nga aty ka shkuar në kufi të shtetit të Sirisë.

Tutje aktakuza përshkruan se i pandehuri A.M., me të arritur në Siri i është bashkangjitur organizatës terroriste ISIS, ku pas trajnimeve taktike dhe luftarake ka marrë pjesë aktive në luftërat e Sirisë ku edhe më 26.07.2017 është arrestuar nga forcat kurde, ku ka qëndruar deri më 19.04.2019, me ç‘rast edhe është riatdhesuar në Kosovë.

Me këto veprime sipas Prokurorisë i pandehuri A.M. ka kryer veprën penale – organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist.