Kosova përballet me sfidën e riintegrimit të familjeve të luftëtarëve të ISIS

Fëmijët e kosovarëve që iu bashkuan Shtetit Islamik në Siri dhe Irak përballen me një rrugë të gjatë të rikuperimit dhe riintegrimit në Kosovë.

 

Y.T.i shtrëngon dorën xhaxhait të tij, Zenelit dhe ulet në prehërin e tij. Ai dhe motra e tij e vogël, F.T., i kanë bërë gati çantat e tyre shkollore.

Si tetë vjeçar, Y.T. duhet të jetë në klasën e tretë, por në fakt tani është duke filluar shkollën për herë të parë, pasi që jeta e tij e re u përmbys për shkak të luftës në Siri.

Prindërit e djalit, Besim dhe Qamile Tahiri, janë vranë në Siri, pasi ishin larguar nga Kosova për t’iu bashkuar Shtetit Islamik.

Rreth 400 kosovarë i janë bashkuar Shtetit Islamik që nga viti 2012. Në prill, pas rënies së fortesës së tij të fundit, 110 kosovarë – 32 gra, 74 fëmijë dhe katër luftëtarë – u morën nga kampi Al-Hol i ngritur në provincën Hassakeh të në veri-lindje të Sirisë dhe u sollën me aeroplan ushtarak amerikan në Kosovë.

Shumica e fëmijëve iu bashkuan familjeve të tyre kosovare. Megjithatë, Y.T. dhe motra e tij ishin ndarë nga dy gjysmë-motrat e tyre më të vogla.  F. dhe Y. u morën nga xhaxhai i tyre në qytetin verior të Mitrovicës, ndërsa dy vajzat e vogla, Isra dhe Alsa, i janë bashkuar prindërve të babait të tyre në një fshat afër qytetit Ferizaj në Kosovë të Kosovës.

Nëna, Qamilja, u detyrua të martohej me një tjetër luftëtar të Shtetit Islamik nga Kosova i quajtur Skënder Qerimi, pasi Besimi ishte vrarë në vitin 2014 dhe i solli në jetë dy vajza, më e vogla tani më pak se njëvjeçare. Qamilja, e njohur me nam të keq për një fotografi të saj duke mbërthyer një mitraloz, u qëllua për vdekje nga një snajperist në mars të këtij viti.

“Secili prej nesh i mori me vete ata që ishin të afërt nga gjaku”, tha vëllai i Besimit, Zeneli, për BIRN. “Do të bëj gjithçka që mundem për t’i rritur ato. Është e vështirë, por ky është fati i tyre. “

Në fshatin Muhovc, afër Ferizajt, babai i Skenderit, Duraku, vajtonte ndarjen.

“Ishte moment i vështirë t’i shihësh ata të ndarë nga njëri-tjetri,” i tha ai BIRN. “Ata ishin si fëmijë të humbur dhe rastësisht të gjetur nga dikush. Ata ishin të frikësuar, pa prindër, pa dokumente.”

Zyrtarët shtetërorë të përfshirë, tha ai, e citojnë “traditën”, “por kjo ka dalë të jetë e kushtueshme për fëmijët,” tha ai. “Unë kurrë nuk do t’i harroj klithmat e tyre”. Fati i Skenderit nuk dihet.

Shkollimi i humbur

Sanije Gashi Mehmeti. Foto: BIRN

Qeveria e Kosovës ka një program për rehabilitimin dhe riintegrimin e ish-luftëtarëve të Shtetit Islamik dhe familjeve të tyre, përfshirë këshillimin, ushqimin, strehimin dhe ndihmën për të gjetur punë.

“Qeveria e Kosovës ka një dokument strategjik për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe në këtë dokument janë të përfshirë të gjitha institucionet përkatëse përfshirë shoqërinë civile dhe Këshillin Islamik të Kosovës,” tha Mensur Hoti, shefi i sektorit të sigurisë publike në Ministrinë e Brendshme të Kosovës.

Sanije Mehmeti, një predikuese femër islamike e njohur në Kosovë si “mualime”, tha se riintegrimi nuk do të ishte i lehtë.

“Do të jetë një sfidë të sigurohet një mesazh më ndryshe për ta, sepse ata nuk i besojnë disa prej nesh që i janë bashkangjitur Bashkësisë Islame dhe e veshin hixhabin,” i tha Mehmeti BIRN.

“Për më tepër, ata kanë përdorur disa burime të dyshimta fetare dhe  i kanë shndërruar në obligime disa zakone islamike.”

“Kanë kaluar shumë vite që kur u larguan ndërkohë disa prej tyre u lindën dhe u rritën nën rregullat e ISIS. Ata kanë nevojë të shohin një realitet tjetër tani. “

Y.T. dhe 58 fëmijë të tjerë do të shkojnë në shkollë për herë të parë. Shumë prej tyre do të hyjnë në vitin e parë të shkollës edhe pse janë më të rritur në moshë.

Afërdita Jaha, e cila udhëheq zbatimin e strategjisë kombëtare të Kosovës për parandalimin e radikalizmit në Ministrinë e Arsimit, gjithashtu i nënvizoi sfidat e ardhshme.

“Pas kthimit të këtyre fëmijëve nga zonat e luftës në Siri dhe Irak, ne po analizojmë mundësinë e ofrimit të një trajnimi të specializuar për integrimin e tyre dhe po ashtu mundësinë që ata të rikuperojnë humbjen që ka të bëjë me procesin arsimor,” tha Jaha për BIRN.

Përkrahje e dobët nga shteti

Zenel Tahiri. Foto: BIRN

Y.T. sapo kishte mbushur dy vjet kur prindërit e tij e morën në Siri dhe  për më shumë se pesë vjet kanë lëvizur nga kampi në kamp pasi që Shteti Islamik humbi territoret që dikur i kishte nën kontrollin e vet.

Kur ishte vrarë Besimi në vitin 2014, vëllai i tij Zeneli ishte përpjekur ta bindte Qamilen që t’i kthente fëmijët përsëri në Kosovë. Ajo i kishte thënë atij se kjo ishte e pamundur. “Me sa duket, ajo ishte tepër shumë e përfshirë në luftë,” tha ai.

Zeneli punon si rojë sigurie në spitalin e Mitrovicës dhe, me pagën e tij të dobët, duhet të kujdeset për dy fëmijë të tjerë përfshirë edhe dy fëmijë e tij.

“Qeveria ka filluar pagesat si ndihmë sociale prej 100 eurosh,” tha ai. “Sigurisht, kjo nuk është e mjaftueshme, por nuk kemi ndonjë mundësi tjetër. Ata [fëmijët] janë viktima të prindërve të tyre ”.

Dr Valbona Tafilaj, koordinatore shëndetësore për ata që janë riatdhesuar nga Siria, deklaroi se ka progres në këtë drejtim.

“Këta fëmijë janë nën vëzhgimin tonë të përhershëm, veçanërisht nën vëzhgimin e psikiatrit dhe psikologut të fëmijëve” tha Tafilaj për BIRN. “Sa i përket fëmijëve që janë ndarë, ne kemi rekomanduar fuqishëm që ata të vazhdojnë ta shohin njëri-tjetrin në mënyrë që ta ruajnë lidhjen e tyre familjare.”

“Ka shumë përparim në të gjitha aspektet,” tha Tafilaj.

Por, Xheve Ramadani tha se do të përpiqet të kujdeset për nipin e riatdhesuar edhe pa mbështetje nga shteti.

“Burri im dhe unë mbijetojmë me pensionin tonë. Djali është i vogël dhe po rritet dita-ditës, por ne jemi duke u plakur dhe kam frikë për të ardhmen e tij,” tha Ramadani për BIRN.

Vajza e saj 32-vjeçare, Nazmije Demolli, u vra në Baghouz në muajin Mars. Prej gjashtë fëmijëve, vetëm një djalë tre vjeç u kthye në Kosovë.

Nga 32 gra të kthyera në Kosovë, 23 mbeten në arrest shtëpiak. Njëri, i identifikuar si F.R, është nën hetim nën dyshimin për pjesëmarrje në një grup të huaj terrorist. F.R. dhe e bija janë kthyer, por burri dhe djali i saj u vranë në luftë.

Vajza tani është 11 vjeçare dhe nëna e saj ankohet se arresti shtëpiak ia bën asaj të pamundur që ta dërgojë në shkollë dhe ta marrë atë nga shkolla pastaj.

Sipas zyrtarëve qeveritarë, në Siri janë ende prezentë afër 100 luftëtarë, gra dhe fëmijë nga Kosova. Rreth 120 të tjerë janë vrarë.