Gratë e kthyera nga Siria në Kosovë, foto në kampin

Jeta e grave nga kampet e ISIS në burgun shtëpiak të Kosovës

Jeta nga kampet e Irakut në kushtet e arrestit shtëpiak në shtëpitë e familjeve të tyre u ka kufizuar shumë lirinë e lëvizjes grave të rikthyera nga Siria dhe Iraku.

Edhe përkundër faktit se kanë kaluar më shumë se tre muaj prej kur 74 fëmijë dhe 32 gra janë rikthyer nga zonat e luftës, Prokuroria Speciale nuk ka arritur të specifikoj qartë se cila  nga to është e përfshirë në akte terroriste.

Hetime të cilat sipas prokurorit Sylë Hoxha janë duke vazhduar kanë krijuar pengesa reale për kujdesin ndaj fëmijëve të rikthyer.

Gratë nuk dëshirojnë të flasin dhe janë udhëzuar edhe nga institucionet të mos e bëjnë këtë por problemet e tyre me jetën nuk kanë së rreshturi edhe përkundër një angazhimi të dukshëm të institucioneve kosovare.

Në Gjilant takojmë njërën nga të rikthyerat. Ajo është kthyer nga zona e luftës ku burri i është vrarë. Në një shtëpi e cila në pamjen e jashtme duket se është me kushte të mira, ajo jeton me vajzën e saj ndërsa hallin më të madh e kanë qasjen deri tek institucionet.

“Nga arresti shtëpiak nuk mund të dal dhe ti rregulloj dokumentet për social” thotë e rikthyera.

Përgatitja e aplikacionit për ndihma sociale në Kosovë kërkon një mal me dokumente të cilat mund të nxirren vetëm nëse aplikon fizikisht në zyrat e komunës ose Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ajo nuk dëshiron të flas për të kaluarën dhe të tashmen për  shkak të udhëzimeve që mos të komunikoj me gazetarët.

Në lidhje me këtë rast, GJnK ka kontaktuar edhe Drejtorin e Qendrës për Punë Sociale, Mursel Zymberi.

Ai ka thënë për gazetën se nëse ajo ka nevojë për social, vetë Drejtoria ia rregullon ato.

“Kur pala nuk mundet me i rregullu ndihmat, i rregullojmë ne ato. Me rëndësi është që ajo nëse është rast social nuk guxon me mbet pa mbrojtje sociale për shkak të dokumentacionit. Në raste të tilla po e përsëris se i rregullojmë ne dokumentet sepse shpesh ka rase edhe të paralizuar që marrin ndihmë dhe ne ju ndihmojmë”, tha ai për GJnK.

Programet për trajtimin e të rikthyerve nga Siria dhe Iraku janë në nisje të tyre janë fokusuar në nevojat emergjente dhe elementare.

Një grua e rikthyer jeton në Prishtinë në një banesë qiranë e së cilës e paguan qeveria.

Në takimin me të ajo nuk flet shumë, por ka shpresë që djali i saj ta vazhdoj shkollimin si fëmijët e tjerë .

Mosha e fëmijës së saj ishte 6 vjeç dhe pritet që këtë vit të nisë klasën e parë.

“Pres ta vazhdojë ashtu siç do të vazhdojnë edhe krejt fëmijët e tjerë” thotë ajo.

Edhe pse ishte premtuar që Ministria e Arsimit të organizonte kurse shtesë për fëmijët e rikthyer gjatë kohës së verës nuk ka pasur ndonjë aktivitet të promocuar të kësaj natyre.

Gazeta Jeta në Kosovë, ka kërkuar të dijë edhe nga ana e Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë nëse janë duke zhvilluar ndonjë aktivitet për fëmijët e rikthyer nga vatrat e luftës së Sirisë dhe Irakut.

Të njëjtit deri në publikim të këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje për gazetën.

Në anën tjetër, në Viti, një 23 vjeçare e rikthyer nga Siria rritë vajzën e saj 2 vjeçare.

Ajo jeton me prindërit e saj në njërin nga fshatrat e Vitisë dhe gjendja ku jeton lë shumë për të dëshiruar.

Një shtëpi e vjetër një katëshe mban familjen e të rikthyerës ndërsa tregojnë prindërit se nuk janë të punësuar e për të ngrënë janë duke i ndihmuar “kush po mundet”.

Në mesin e 74 fëmijëve të cilët janë rikthyer këtë vit nëntë nga ta janë pa prindër. Ata janë strehuar tek prindërit e djemve dhe vajzave të cilët kanë vdekur në luftërat në Siri e Irak.

Një rast i tillë është ai në një fshat në Kamenicë. Gjyshërit po kujdesen për mbesën dhe nipin e djalit të tyre. Kjo për shkak se djali dhe reja e tyre ishin vrarë në luftërat e huaja.

Gjyshja e nipit dhe mbesës tregon për ekipin e Jeta në Kosovë se i  është ofruar mundësia që nipat e saj t’i dërgojnë në çerdhe por ata nuk munden.

Kjo për arsye se nuk kanë kushte për t’i dërguar në çerdhe pasi që të njëjtit jetojnë në banesë me qira dhe e njëjta sipas tyre kushton, duke shtuar se nipërit do të duhej ti dërgonin çdo ditë me veturë për shkak se është shumë larg.

Gjyshja e cila nuk dëshiron që rasti i saj të bëhet mediatik për shkak të rastit të ndjeshëm, tregoi se nipi i saj  ka shfaqur edhe sjellje agresive dhe se për të do të duhej të kishte aktivitete që e shoqëron me fëmijët e tjerë në mënyrë që ai të ri-integrohet.

Ajo rrëfen se “kisha dashtë për fmi  mu arsimu  me u përzi me fëmijë ma shumë se kanë trauma sidomos djali (nipi)”. Në  fund thekson se pret nga shteti që t’i ofrojnë mundësi që të jetojnë në një vend ku do mund t’i trajtonte fëmijët e djalit më mirë.

Zotimet e institucioneve për zhvillimin e aktiviteteve para fillimit të shkollimit i  ri-përsërit prapë Ministria e Punëve të Brendshme

Në një përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë, MPB, ka thënë se të gjitha zotimet janë duke u përmbushur në vazhdimësi.

“Duhet pasur parasysh që ky është një proces afatgjatë dhe MPB do të vazhdoj të merre me këtë angazhim në një periudhë të pacaktuar. Për të gjithë fëmijët e kthyer janë duke u bërë përgatitjet për t’i bërë pjesë të sistemit arsimor dhe në jemi në bashkëpunim të ngushtë me MASHT si bartëse të këtij procesi”, thuhet në përgjigje.

Ata nuk përmendin ndonjë aktivitet të kësaj kohe të cilin janë duke e zhvilluar por thonë se fëmijët do të regjistrohen në shkolla sipas planit të rregullt ndërsa fëmijë që kanë humbur disa vite nga shkollimi për shkak të mungesës do të futen në programe të veçanta për nxënjen e klasave.

“Këta fëmije janë pjesë e programit të rehabilitimit dhe ri-integrimit dhe të gjithë janë duke u përgatitur që të fillojnë procesin mësimor, përfshirë shëndetin, shëndetin mendor dhe ri-socializimin. MPB ka funksional Divizionin për Parandalim dhe Ri- integrim te Personave  te Radikalizuar i cili është përgjegjës për të mbikëqyrur dhe koordinuar këtë proces. Mund të konfirmojmë se të gjitha institucionet e përfshira në këtë proces janë duke i kryer detyrimet e tyre ashtu siç duhet”, thuhet tutje në përgjigjet e MPB-së drejtuar Gazetës Jeta në Kosovë.

Ata madje janë të bindur se të ri-kthyerit nga vatrat e luftës e me theks të veçantë fëmijët, do të trajtohen ashtu  siç duhet dhe do të arrijnë që të ri- integrohen në shoqëri.

Por se po zhvillohen aktivitete para shkollore për fëmijët e rikthyer, nuk mendon Profesori i Edukimit, Blerim Saqipi.

Ai për Gazetën Jeta në Kosovë ka thënë se integrimi ose ri-integrimi i fëmijëve të kthyer nga luftërat në Siri dhe Irak duhet të merret me shume seriozitet nga institucionet arsimore dhe shoqëria në mënyrë qe tranzicioni te behet sa me i suksesshëm për këta fëmijë që të mund te plotësojnë kërkesat ligjore për shkollimin e obliguar dhe te mund te zhvillojnë jetën ne kuadër te sistemit e vlerave të shoqërisë kosovare.

“Varësisht nëse këta fëmijë kane ndjekur shkollim apo jo dhe janë apo nuk janë të moshës shkollore duhet te planifikohet edhe strategjia e veprimit. Sistemi i arsimit në Kosove nuk ka përvoja të tilla të integrimit me të cilat janë përballur vendet e ndryshme të Evropës me valën e refugjateve në vitet e fundit andaj edhe e shoh si sfidë”, tha ai.

Gazeta Jeta në Kosovë, kishte publikuar edhe një shkrim tjetër sa i përket sfidës së integrimit në arsim të fëmijëve të rikthyer.