Cili është plani për kosovarët e mbetur në Siri?

Në Emisionin “Drejtësia në Kosovë” u transmetuan ekskluzivisht detaje e dëshmi për 4 burrat, 32 gratë dhe 74 fëmijët të cilët pikërisht një javë më parë janë kthyer nga zonat e konfliktit në Siri.

Koordinatori Nacional kundër Terrorizmit dhe Ekstremizmit, Fatos Makolli tregoi se çfarë do të ndodh me kosovarët e tjerë të mbetur në zonat e konfliktit në Siri.

“Vazhdojnë ende kosovarë të mbesin në zonat e konfliktit. Sipas të dhënave të fundit janë 40 kosovarë në zonat e konfliktit, ka të dhëna që një numër i madh i tyre mund të jenë vrarë në zonën e fundit që ka kontrolluar ISIS. Por kemi edhe të dhëna të tjera, për një numër të vogël të kosovarëve që janë arrestuar dhe janë duke u mbajtur në Siri, por janë edhe rreth 48 fëmijë dhe 8 gra në zonën e konfliktit por shumica e tyre janë në mes të kufirit Turqi Siri, është pjesa e kosovarëve dhe familjarëve që thuajse tërë kohën kanë qëndruar në zonat e kontrolluar nga Al- Nusra”, tha ai.

Ai shtoi se të kthyerit janë kthyer me vullnet të tyre.

“Të gjithë personat e kthyer, janë kthyer me vullnetin e tyre kanë shprehur kërkesën për t`u kthyer kanë nënshkruar për të hipur në aeroplan dhe të kthehen në Kosovë, dhe të gjithë këta persona kanë qenë të paralajmëruar që të gjithë ata persona madhor që kanë kryer vepër penale do të ndiqen nga organet e drejtësisë”, tha Makolli.

Javën e kaluar në një aksion i cili mund të konsiderohet si një ndër aksionet më të mëdha antiterror në Kosovë, janë rikthyer 110 kosovar të cilët gjendeshin në zonat e konfliktit në Siri.

4 burra një nga ta i mitur, 32 gra e 74 fëmijë janë rikthyer me një aeroplan mesnatën e së premtes dhe të së shtunës.

Burrat janë arrestuar po atë natë dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë ku më pas i është caktuar masa e paraburgimit ndërsa gratë dhe fëmijët janë dërguar në Qendrën e Azilit në Vranidoll ku më pas janë mbajtur procese gjyqësore për caktimin e masë së sigurisë ndaj grave të kthyera.

Nëntë nga fëmijët e rikthyer janë pa asnjërin prind.