Arikiv - FOTO KALLXO

Ngriten tri aktakuza për tri gra të rikthyera nga Siria

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj tri grave të cilat janë rikthyer prillin e këtij viti nga Siria e Iraku.

Me anë të një njoftimi të Prokurorisë së Shtetit thuhet se L.L., S.S., dhe M. A. akuzohen për “Organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist” si dhe “Bashkim apo pjesëmarrje në ushtrinë ose policinë e huaj”.

M.A., dyshohet se më 12 korrik të vitit 2015 së bashku me bashkëshortin e saj tashmë të vdekur, dhe djalin e tyre të moshës 1 vjeç e gjysmë përmes pikës kufitare të Hanit të Elezit kanë përfunduar në Siri, me qellim për t’iu bashkangjitur grupeve terroriste ISIS.

Atje sipas Prokurorisë së Shtetit ka qëndruar katër vite, pra deri në rikthimin e saj më 20 prill të këtij viti.

Sipas prokurorisë, e pandehura M.A., ka kryer veprën penale, bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

E pandehura L. L., sipas prokurorisë ishte bërë pjesë e luftërave e zonës së konfliktit në dhjetor të vitit 2013 ndërsa kishte qëndruar aty deri më 20 prill të këtij viti.

Sipas prokurorisë e pandehura L. L. Kishte shkuar në Siri përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës drejt Turqisë e më pas ka kaluar në Siri.

Ndaj L.L. është ngritur aktakuzë për organizim dhe pjesëmarrje në grupin terrorist.

Njëra nga të rikthyerat ka qenë edhe S.S., e cila i ishte bashkangjitur konfliktit në Siri majin e 2014-s, së bashku me bashkëshortin e saj tashmë të vdekur.

Të dy dyshohet se përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës kanë udhëtuar për në Stamboll ku më pas kanë shkuar në Siri.

Me këto veprime e pandehura dhe e mitura S.S., po dyshohet se ka kryer veprën penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grup terrorist.