Protestë jashtë parlamentit kundër gjykatës së re në qershor. Foto: BIRN

Kosova Ndjen Presionin për Gjykatën Speciale

Deputetët e Kosovës në vitin 2014 votuan për ratifikimin e një marrëveshje me Brukselin për ngritjen e një gjykate të re speciale e cila synon të ndjekë penalisht ish-luftëtarët e UÇK-së për krime të rënda të kryera gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999 me forcat serbe, por polemikat mbi këtë çështje vazhduan të ziejnë gjatë të gjithë vitit 2015.

Kundërshtarët e Gjykata Speciale thonë se ajo do të shënjestrojë në mënyrë të padrejtë heronj kombëtarë që luftuan për lirinë e Kosovës nga sundimi serb, do të dëmtojnë imazhin e një “luftë të drejtë” dhe nga ajo do të përfitojnë armiqtë e vendit.

Disa gjithashtu u shprehën se sovraniteti i Kosovës do të vihet në rrezik sepse dhomat e gjykatës do të jenë pjesërisht të vendosura në Holandë, për t’u siguruar që ato të mund të punojnë në mënyrë të pavarur dhe pa ndërhyrje.

Plani hasi probleme në qershor, kur deputetët nuk arritën të miratonin ndryshimet kushtetuese që synonin t’i hapnin rrugë themelimit të gjykatës dhe qindra veteranë protestuan kundër saj.

Kjo çoi në rritjen e presionit nga ana e mbështetësve ndërkombëtarë të Kosovës.

“Nëse nuk e krijoni vetë këtë gjykatë, nëse nuk ndërmerrni hapat tuaja për të vënë drejtësi, këtë gjë do ta bëjë komuniteti ndërkombëtar në vendin tuaj,” paralajmëroi diplomatja amerikane Viktoria Nuland gjatë vizitës së saj në Kosovë në muajin korrik.

Ligji prej 50 faqesh mbi Dhomat Speciale dhe Zyrës e Prokurorit të Posaçëm, i cili u negociua midis BE-së dhe Kosovës, u miratua më në fund në gusht, pas muajsh të tërë vonesash.

Tre partitë opozitare që kundërshtuan ashpër gjykatën e re, Vetëvendosja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA për Kosovën, bojkotuan raundin e dytë të votimeve.

Gjykata Kushtetuese në Prishtinë më pas refuzoi një kërkesë nga tre partitë për të rishqyrtuar themelimin e gjykatës.

Sipas legjislacionit, ‘dhomat speciale’ do të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë në vend, por do të jenë të pavarura nga gjyqësori i Kosovës.

Ato do të ndodhen në Kosovë, por gjithashtu në të ashtuquajturin ‘shtet pritës’ – Hollandë – dhe do të kenë juridiksion mbi krimet e kryera midis 1 janarit 1998 deri më 31 dhjetor 2000.

Gjykata pritet të dëgjojë çështje që rrjedhin nga një raport i Task Forcës Hulumtuese Speciale të BE-së, i cili tha se zyrtarë të paidentifikuar të UÇK-së kryen një “fushatë persekutimi” kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës që besoheshin të ishin bashkëpunëtorë me regjimin e Beogradit. Në krimet e tyre të dyshuara përfshihen vrasje, rrëmbime, burgosje të paligjshme dhe dhunë seksuale.

Raporti implikonte Ministrin e Jashtëm Hashim Thaçi, i cili ishte kreu politik i UÇK-së gjatë konfliktit me forcat serbe, por ai ka mohuar me vendosmëri çdo akuzë.

Në shtator Thaçi tha se Prishtina “nuk ka asgjë për të fshehur” nga gjykata e re, por refuzoi të spekulojë për të paditurit e mundshëm.

Në dhjetor, kryeministri Isa Mustafa më në fund lajmëroi atë që pritej prej shumë kohësh – se Hollanda do të jetë vendi pritës për gjykatën.

Marrëveshja nuk u bë publike, por sipas të përditshmes “Koha Ditore” në Prishtinë, pika më e vështirë e bisedimeve ishte çështja e përgjegjësisë ndërkombëtare në rast ankesash për shkelje të të drejtave të njeriut.

Holanda refuzoi të marrë përsipër ndonjë përgjegjësi nëse ankesa të tilla përfundojnë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg apo në Komitetin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Megjithatë, marrëveshja me Holandën duhet ende të miratohet nga dy të tretat e parlamentit të Kosovës.

Protestë në Prishtinë për dorëheqjen e Aleksandër Jabalanoviç. Foto: BIRN
Protestë në Prishtinë për dorëheqjen e Aleksandër Jabalanoviç. Foto: BIRN

Protesta dhe përfitime

Viti 2015 filloi me protesta nga shqiptarët e Kosovës të cilët kërkonin shkarkimin e një ministri serb në qeveri, Aleksandër Jablanoviç, i cili u akuzua se kishte ofenduar viktimat e luftës.

Jablanoviç shkaktoi zemërim kur ai i quajti “njerëz të egër” shqiptarët që nuk lejuan pelegrinët serbë të vizitonin një kishë në qytetin e Gjakovës gjatë Krishtlindjeve ortodokse.

“Njerëz të egër në Gjakovë i kanë shkatërruar festën njerëzve që erdhën në shtëpitë e tyre që u dogjën pas luftës në vitin 1999,” tha Jablanoviç.

Protestuesit shqiptarë e qëlluan me akull autobusin që transportonte pelegrinët serbë, duke pretenduar se disa prej tyre kishin marrë pjesë në krimet e luftës gjatë konfliktit të vitit 1998-1999.

Jablanoviç kërkoi falje për ofendimin, por u shkarkua nga kryeministri Mustafa më 3 shkurt.

Disa protesta u mbajtën edhe nga ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që kërkonin pensione veteranësh që iu ishin premtuar nga shteti.

Në shkurt, një komision verifikimi i qeverisë njoftoi se kishte 23,684 veteranë lufte të UÇK-së – një shifër shumë më e vogël se 65,000 personat që aplikuan për të marrë statusin e veteranit.

Por vetëm në tetor autoritetet filluan të jepnin certifikata për veteranët e UÇK-së, e cila do të mund t’i lejojë ata të aplikojnë për pensione. Një veteran lufte i papunë do të marrë 170 euro në muaj.

Arkivolet e viktimave që u riatdhesuan në Kosovë nga një varr masiv në Serbi. Foto: BIRN
Arkivolet e viktimave që u riatdhesuan në Kosovë nga një varr masiv në Serbi. Foto: BIRN

Varrime dhe dënime

Në prill, njerëzit në fshatin Rezallë varrosën 28 trupa viktimash lufte që u zhvarrosën vitin e kaluar nga një varr masiv në jug të Serbisë. Gjatë vitit 2015, në Kosovë u riatdhesuan eshtrat e 54 viktimave të luftës.

Eshtrat u gjetën në një varr masiv në rajonin jugor të Rashkës në Serbi dhe ishin larguar nga Kosova në vitin 1999 si pjesë e një tentative për të mbuluar krimin.

Në janar, Qendra për të Drejtën Humanitare në Beograd publikoi një raport duke pohuar se shefi aktual i Ushtrisë Serbe Ljubisa Dikoviç, si komandant i Brigadës së 37-të të Ushtrisë Jugosllave gjatë konfliktit në Kosovë, ishte përgjegjës për vrasjet dhe largimin më pas të trupave të vdekur nga Rezalla.

Dikoviç ka mohuar të ketë kryer krime lufte dhe presidenti Tomislav Nikoliç këmbënguli se gjenerali ishte “një oficer i nderuar i Ushtrisë Serbe”.

Në nëntor, ai vizitoi Prishtinën për të nënshkruar një marrëveshje me NATO-n për të hequr kufizimet ajrore që u imponuan në vitin 1999, duke shkaktuar kështu zemërim midis viktimave të luftës.

“Kjo është një shkelje e dinjitetit të viktimave,” tha Bekim Blakaj nga zyra e Qendrës për të Drejtën Humanitare në Prishtinë.

Në maj, dy ish-anëtarë të lartë të celulës “Grupi i Drenicës” i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sami Lushtaku dhe Sylejman Selimi, u dënuan për krime kundër civilëve gjatë konfliktit të viteve 1998-1999.

Lushtaku, kryebashkiaku i qytetit të Skenderajt në Kosovë, u dënua për vrasje dhe Selimi, ish-ambasador i Prishtinës në Shqipëri dhe ish-kreu i Forcës së Sigurisë së Kosovës, u shpall fajtor për torturimin e një të burgosuri civil.

Lushtaku u dënua me 12 vjet burg dhe Selimi me gjashtë vjet, pas një gjyqi të profilit të lartë që u shoqërua me protesta kundër ndjekjeve penale të ish-luftëtarëve UÇK-së dhe një arratisje nga burgu i tre të pandehurve. Nëntë persona të tjerë u dënuan gjithashtu në gjyq.

Në nëntor, gjykata e apelit në Prishtinë hodhi poshtë apelet nga tre ish-luftëtarë të UÇK-së të njohur si “Grupi i Llapit” – përfshirë edhe dy deputetë aktualë – të cilët ishin dënuar në vitin 2013 për torturimin e të burgosurve gjatë kohës së luftës.

Latif Gashi, një deputet nga Partia Demokratike të Kosovës (PDK), partia qeverisëse, u dënua me gjashtë vjet burg, ndërsa Rrustem Mustafa, gjithashtu deputet i PDK-së, u dënua me katër vjet burg. I pandehuri i tretë, Nazif Mehmeti, u dënua me tre vjet burg.

Sami Lushtaku u dënua me 12 vjet për vrasje. Foto: Atdhe Mulla
Sami Lushtaku u dënua me 12 vjet për vrasje. Foto: Atdhe Mulla

Refuzim në Paris

Pas fushatash intensive lobimi si nga Prishtina ashtu edhe nga Beogradi, kërkesa e Kosovës për t’iu bashkuar UNESCO-s dështoi kur kjo kërkesë nuk mori mjaftueshëm vota në konferencën e përgjithshme të organit kulturor në Paris në nëntor.

Ministri i jashtë Hashim Thaçi tha pas votimit se Prishtina do të vazhdojë përpjekjet e saj për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtare, përfshirë UNESCO-n.

Por presidenti serb Tomislav Nikoliç e përshkroi votimin si një triumf për vendin e tij, i cili nuk do që pretendimi për pavarësi i ish-provincës së tij të pranohet në botë.

“Kjo është një fitore e justifikuar dhe morale në kushte pothuajse të pamundura,” tha Nikoliç.

Midis turbullirave të mëdha politike brenda Kosovës, me deputetët e opozitës që  ndërpresin vazhdimisht seancat parlamentare në shenjë proteste ndaj marrëveshjeve të mbështetura nga Brukseli me Serbinë, dhe dështimin e Prishtinës për të siguruar liberalizimin e vizave me BE-në, ky ishte një fund vit zhgënjyes për autoritetet.