Ish Deputeti i PDK-së Bëhet Rektor i Universitetit të Prizrenit
Këtë njoftim e ka bërë të ditur, Ramadan Baraliu, zëdhënës në këtë universitet nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook.
Baraliu përveç njoftimit për zgjedhjen e Ramë Vatajt në pozitën e rektorit, ka dhënë edhe vlerësim për të.
“Universiteti fitoi një rektor të mirë. I urojmë punë të mbarë rektorit të ri”, ka shkruar ai më tej.
Ramë Vataj ka qenë deputet i PDK-së ën Kuvendin e Kosovës në mandatin e kaluar, ndërsa në dy palë zgjedhje rresht, ato të vitit 2009 dhe 2013, kishte qenë kandidat i PDK-së për kryetar të Suharekës.
Për një kohë ai ka qenë edhe këshilltar i ish Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj.
Universiteti i Prizrenit ka vonuar procedurat e zgjedhjes së rektorit pasi Këshilli Drejtues i këtij universiteti kishte kërkuar nga MASHT të bëheshin ndryshime në statutin e UPZ-së pikërisht për nenet që përcaktonin procedurat e zgjedhjes së rektorit.
Ky këshill kishte kërkuar nga ministria e arsimit që të largohen dispozitat e statute që zgjedhja e rektorit të bëhej vetëm nga radhët e profesorëve të rregullt dhe profesorëve të asocuar.
Ata kërkonin që e drejtë për tu emëruar në pozitën e rektorit t’i jepej edhe profesorëve që mbajnë gradën e profesorit asistent.
Në përgjigjet e tyre, MASHT kishte kërkuar që të respektohet Statuti i UPZ-së si dhe Ligji i Arsimit të Lartë në Kosovë.