Kandidatja për deputete nga AKR kërkon vetting në drejtësi

Kandidatja për deputete të Kuvendit të Kosovës nga radhët e koalicionit NISMA -AKR- PD, Myzejene Selmani në një intervistë për KALLXO.com, ka premtuar përkrahje për të rinjtë, gratë dhe të moshuarit, në rast se do ta marr mandatin si ligjvënëse.

“Esenca është që ne t’i përkrahim të rinjtë, gratë dhe moshën e vjetër, për arsye se ata janë në gjendje shumë më të keqe sesa që mendojmë ne”, është shprehur ajo.

Selmani ka folur edhe për amendamentet që do t’i propozonte në Kuvendin e Kosovës, ku njëri prej tyre do të ishte vetting-u në drejtësi.

“Amendamenti i parë që kisha me e propozu, kish me qenë që të hyjë në funksion ligji i vetting-ut, nga posti i presidentit dhe gjithë qeverisë, deputetëve, zyrtarëve të lartë të shtetit, që njëherë e përgjithmonë Kosova të ketë institucione shumë të pastra”, ka thënë kandidatja.

Por cilat janë problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e komunës prej nga ajo vjen, Prishtinës.

“Unë jam e lindur dhe e rritur në Prishtinë. Komuna e Prishtinës ka përparuar, mirëpo ka akoma mundësi deri në fund të mandatit të kryetarit dhe nënkryetarit i cili vjen po nga AKR-ja që të përmirësojë edhe infrastrukturën dhe shërbimet e ujit, kanalizimit, mbeturinave, të gjitha me radhë. Mirëpo në efekt ka probleme Prishtina se është kryeqytet”, ka theksuar Selmani për KALLXO.com.

Ish-deputetja e dy legjislaturave të Kuvendit të Kosovës, është zotuar se nuk do ta ndërrojë partinë, përderisa ka folur edhe për mundësinë e që të votojë kundër grupit të saj parlamentar.

“Besoj që nuk do të vijmë deri në atë pikë, se unë e kam udhëhequr një herë grupin parlamentar dhe e di si shkojnë procedurat e votimit në Kuvend dhe e di qysh shkon çështja e marrëveshjeve brenda grupit parlamentar në Kuvend”, ka shtuar ajo.

Selmani ka shtuar se është për ndërtimin e termocentralit të tretë me qymyr “Kosova e Re”, por me kushte të veçanta, ndërsa ka thënë se nuk e përkrahë djegien e qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit, pasi që sipas saj, qytetarët nuk kanë mundësi të tjera për ngrohje.

Në intervistën për KALLXO.com, ajo është përgjigjur edhe për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit.

“Nuk jam kundër ndërtimit të autostradave, por nuk e di sa do ta mbulojë buxheti i Kosovës këtë autostradë kur ne kemi mundësi autostradat t’i kemi me investime nga banka e zhvillimit”, vlerëson kandidatja për deputete.

Ish-deputetja ndër të tjerash ka theksuar se është kundër shkëmbimit të territoreve me Serbinë sepse siç thotë, ajo është nënshkruese e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Megjithëkëtë, Selmani vlerëson se aktualisht taksa ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës duhet të hiqet.

“Tarifa duhet të rishikohet, tarifa për momentin duhet të hiqet se ne e kemi bllokuar Kosovën me tarifë”, thotë ajo.

Ajo ka premtuar se do t’i bëjë transparente fondet e partisë.

“Po, për arsye se duhet të ketë transparencë kah vijnë  paret, se na jemi në zgjedhje për qytetarët e Kosovës nga qytetarët”, është zotuar Selmani për KALLXO.com.

Kandidatja për deputete ka premtuar edhe transparencë në institucione të tjera.

“Po more. S’kam çka mshefi, unë jam prej qytetarëve për qytetarë. Ndoshta unë kam qenë në dy mandate, deputeti më transparent brenda Kuvendit të Kosovës”, ka thënë ajo.

Ndër të tjerash, ajo ka folur edhe për martesat mes gjinisë së njëjtë dhe bartjes së shamive në shkolla.

“Ne e kemi në Kushtetutë të Kosovës, mirëpo çështja e martesës është çështje e dëshirës mes dy personave. T’ju them të drejtën edhe kjo bartja e shamive është çështje ekskluzive e një personi”, është shprehur Selmani.

 

Kjo është intervista e plotë me kandidaten për deputete nga radhët e Aleanca Kosova e Re (AKR), Myzejene Selmani:

KALLXO.com: Cila është kauza që keni me e shty nëse boheni deputet?

Myzejene Selmani: Duke marr parasysh se unë ka përvojë edhe në dy mandate më parë kam qenë në Kuvend të Kosovës dhe gjatë gjithë kohës jam marr ekskluzivisht me çështjen e zhvillimit ekonomik dhe zbatueshmërisë së ligjeve është diçka primare për mua që Kosova të ketë një zhvillim ekonomik më të hovshëm dhe të ketë zbatueshmëri të ligjeve dhe gjithë qytetarët të jenë të barabartë para ligjit.  

KALLXO.com: Nëse e merrni mandatin a keni me vazhdu me qenë deputet apo keni me kalu me ndonjë post tjetër?

Myzejene Selmani: Për momentin nëse marr mandatin unë do të qëndroj në Kuvend të Kosovës si deputete e AKR-së, mirëpo çka do të ndodhë në të ardhmen as ne se dimë.

KALLXO.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?

Myzejene Selmani: Ulje të taksave për bizneset të cilat duhet të hapen dhe ekskluzivisht për bizneset të cilat janë të reja, t’ju japim mundësinë që pesë vite ose dhjetë vitet e para të ketë ulje të taksave. Ndërsa, çështja e alkoolit dhe duhanit është diçka që është luks dhe aty pse të mos rriten taksat.

KALLXO.com: Cilat janë tri amendamentet e para që keni me i propozu?

Myzejene Selmani: Amendamenti i parë që kisha me e propozu, kish me qenë që të hyjë në funksion ligji i Vetingut, nga posti i presidentit dhe gjithë qeverisë, deputetëve, zyrtarëve të lartë të shtetit, që njëherë e përgjithmonë Kosova të ketë institucione shumë të pastra.

KALLXO.com: Cilat janë tri problemet/nevojat kryesore e komunës prej nga vini?

Myzejene Selmani: Unë jam e lindur dhe e rritur në Prishtinë. Komuna e Prishtinës ka përparuar, mirëpo ka akoma mundësi deri në fund të mandatit të kryetarit dhe nënkryetarit i cili vjen po nga AKR-ja që të përmirësojë edhe infrastrukturën dhe shërbimet e ujit, kanalizimit, mbeturinave, të gjitha me radhë. Mirëpo në efekt ka probleme Prishtina se është kryeqytet.

KALLXO.com: A ka gjasa me e ndërru partinë ku jeni tash?

Myzejene Selmani:  Jo absolutisht jo se unë kam qenë prej fillimit në AKR.

KALLXO.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?

Myzejene Selmani: Besoj që nuk do të vijmë deri në atë pikë, se unë e kam udhëhequr një herë grupin parlamentar dhe e di si shkojnë procedurat e votimit në Kuvend dhe e di qysh shkon çështja e marrëveshjeve brenda grupit parlamentar në Kuvend.

KALLXO.com: Cili grup i diskriminuar do ta ndjenë më së shumti përkrahjen tuaj si deputete?

Myzejene Selmani: Kisha me thanë në përgjithësi se në Kosovë ka edhe rinia edhe gratë, të vjetrit do të thotë pjesa e pleqve do të kenë përkrahjen ekskluzive se esenca është qe ne t’i përkrahim të rinjtë, gratë dhe moshën e vjetër, për arsye se ata janë në gjendje shumë më të keqe sesa që mendojmë ne.  

KALLXO.com: Çka do të bëni për përmirësimin e ambientit (mjedisit) dhe ajrit të ndotur në Kosovë?

Myzejene Selmani: Esenca e përmirësimit të ambientit dhe ajrit të ndortir në Kosovë, ne i kemi ligjet mjaft të mira, po ju them shumë sinqerisht, mirëpo efekti i tëresishëm i tyre është që të zbatohen. Kur kemi zbatueshmëri të ligjeve dhe në terren të kemi një inspektoriat  ose polici të ambientit, atëherë besoj që i gjithë ambienti në Kosovë do të jetë i pastër dhe pikë së pari, pastëria e ambientit varet prej secilit. Ne të gjithë i mbajmë shtëpitë shumë të pastra, ndërsa para shtëpisë, në rrugë, ne jemi pak jo të kujdesshëm. Kujdesi duhet të jetë si brenda, edhe pranë shtëpisë tënde.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?

Myzejene Selmani: Po jam për ndërtimin e termocentralit të tretë me qymyr sepse s’kemi burim tjetër energjetik, por me kushte të veçanta.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?

Myzejene Selmani: Unë nuk jam për me e djeg qymyrin, por qytetarët nuk kanë mundësi tjera.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR përdorimit të qeseve të plastikës?

Myzejene Selmani: Jo, kish me qenë e rrugës të mos përdoren qeset e plastikës se janë ndotësit më të mëdhenj të ambientit.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shitjes së Telekomit të Kosovës?

Myzejene Selmani: Unë jam kundër shitjes së Telekomit të Kosovës, mirëpo më vonë duhet të shihet arsyeja e investimit të huaj në Telekomin e Kosovës.  

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të autostradës së Dukagjinit?

Myzejene Selmani: Nuk jam kundër ndërtimit të autostradave, por nuk e di sa do ta mbulojë buxheti i Kosovës këtë autostradë kur ne kemi mundësi autostradat t’i kemi me investime nga banka e zhvillimit.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shkëmbimit të territoreve me Serbi?

Myzejene Selmani: Jam kundër shkëmbimit të territoreve me Serbinë se unë jam nënshkruese e Deklaratës së Pavarësisë.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së tarifës me Serbinë?

Myzejene Selmani: Tarifa duhet të rishikohet, tarifa për momentin duhet të hiqet se ne e kemi bllokuar Kosovën me tarifë.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?

Myzejene Selmani: Jam kundër se nuk ka sasi të madhe të ujit për ndërtim të hidrocentraleve.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?

Myzejene Selmani: Jo ato duhet të mbyllen në rast se nuk janë të licencuara nga agjencionii akreditimit, atëherë nuk kemi çka presim.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR monopolit në homologim?

Myzejene Selmani: Jam kundër monopolit në homologim.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR martesave në mes të gjinisë së njëjtë?

Myzejene Selmani: Ne e kemi në Kushtetutë të Kosovës, mirëpo çështja e martesës është çështje e dëshirës mes dy personave.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR bartjes së shamive në shkolla?

Myzejene Selmani: T’ju them të drejtën edhe kjo është çështje ekskluzive e një personi.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR kuotës për deputetë nga diaspora?

Myzejene Selmani: Jam për kuotën e deputetëve nga diaspora, pse të mos përfaqësohet diaspora në Kuvend të Kosovës, kur ata gjithë kanë investuar në Kosovë.

KALLXO.com: A je PËR apo KUNDËR ridizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzuar?

Myzejene Selmani: Po, jam për ridizajnim se nuk duhet të keqpërdoren. Ata vetvetiu duhet të tregojnë, ata që kanë qenë veteran të luftës të vërtetë, të marrin pagën e veteranit, të mos keqpërdoret edhe lufta në këtë rast.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së kartonit të gjelbër për diasporën?

Myzejene Selmani: Jam për heqjen e kartonit të gjelbër për diasporën. Është barrë për ta.

KALLXO.com: Kush po ua financon fushatën?

Myzejene Selmani: për momentin jemi krejt në bazë partia çka po mundohet me na ndihmu , mirëpo pjesën vetanake e financoj vetë.

KALLXO.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajt gjatë kohës kur jeni deputet/ministër?

Myzejene Selmani: Jo për momentin unë e kam vetëm një vend pune se nuk dëshiroj që unë ti kem tri vende të punës dhe dikush prej qytetarëve të mi të pret ndoshta 5, 10 vite me pas një vend të punës.

KALLXO.com: Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?

Myzejene Selmani: Të hyrat mujore mbërrijnë 1 mijë e 50 euro, ndërsa pasuri nuk kam shumë se mund ta shihni konton. E kam një banesë dhe absolutisht kurrgjë tjetër.

KALLXO.com: A e keni pasurinë e përbashkët me gruan/burrin? Nëse jo, a keni me e regjistru bashkërisht?

Myzejene Selmani: Po.

KALLXO.com: Herën e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru, në spital privat apo publik?

Myzejene Selmani: Jo valla në spital publik jo privat. Nuk e du unë mjekun hiç, veç dashtë zoti të mos sëmurem. Jam drejtuar spitalit publik, jo privat.

KALLXO.com: Ku keni me shku kur të bëheni deputet nëse sëmureni?

Myzejene Selmani: Në spital publik se ne duhet që të mundohemi ti forcojmë spitalet publike se nuk jemi të veçantë prej qytetarëve. Ne jemi brumi i qytetarëve të Kosovës.  

KALLXO.com: Sa familjarë i keni të papunë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që e merr mandatin?

Myzejene Selmani: Me ta thanë të drejtën, gjithë familjarët e mi janë në biznese private. Asnjë nuk janë në institucione. Jo, ne do të mundohemi ti punësojmë qytetarët, në aspektin ligjor të japim mundësi që të hyjnë investimet dhe nëpërmes investimeve të punësohen qytetarët. Nuk duhet të ngarkohet administrata e shtetit më me punësime partiake.  

KALLXO.com: Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbet nën qeverisjen shtetërore?

Myzejene Selmani: Duhet qeveria t’i ketë disa aksione të veta në Trepçë ndërsa shërbimet të cilat janë teknike, aty duhet të hyjë investitori i huaj. Ndërsa minierat ne i kemi të caktuara me ligj sa muj me leju të përdoren, se kam qenë pjesë e atij ligji kur është miratuar në Kuvend të Kosovës.

KALLXO.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?

Myzejene Selmani: Nuk duhet të kushtëzohet vota për buxhet. Buxheti duhet të ndahet në mënyrë proporcionale për të gjitha komunat dhe të gjithë qytetarët. Buxheti nuk është i asnjë kryeministri,a snjë deputeti, asnjë ministri. Buxheti është taksa e qytetarëve të Kosovës.

KALLXO.com: Cili ka me qenë projekti/puna me të cilën keni me lanë gjurmë/trashëgimia juaj si deputet?

Myzejene Selmani: Trashëgimia ime si deputete, ndoshta fati ka qenë që unë të jem nënshkruese e deklaratës së pavarësisë, mirëpo unë mund të them se s’kam bërë edhe ku me ditë sa, se unë do të jem shumë e lumtur atëherë kur në Kosovë në mandatin tim shoh që kanë ardh 2-3 investitorë të fortë dhe e di që qytetarët e mi të kenë vende të lira të punës dhe nuk do të dalin jashtë Kosovës. Ai kish me qenë projekti ndoshta më i dëshirueshëm për mua dhe njëkohësisht mos të kemi moszbatim të ligjit.

KALLXO.com: Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?

Myzejene Selmani: Do të them diku deri në 5-6 se puna ime brenda Kuvendit në dy mandate ka qenë shumë intensive.

KALLXO.com: Sa takime me qytetarë keni me i mbajt gjatë një viti/mandati?

Myzejene Selmani: Këtu s’mund të them se unë brenda një dite them haptazi edhe para zgjehdjeve, te unë kanë ardh deri në 10, 12 qytetarë në ditë. Kështu që mund ta gaboj numrin, du me kanë shumë transparent me ju.

KALLXO.com: Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?

Myzejene Selmani: Kisha thanë që përmbi 2000-shin të mos hyjnë makinat në Kosovë se  është ndotje e ajrit. Ju them shumë haptas, ato as qytetareve nuk ju bëjnë nder se një makinë sa më e vjetër që është, është problemi i mirëmbajtjes sa ajrit, se atë e lëshojnë pjesët çdo herë dhe cdo herë duhesh me qenë te mjeshtri.

KALLXO.com: Sa dëgjime publike keni me i iniciu në komisionet ku keni me qenë pjesë?

Myzejene Selmani: Do të shohim ku do të vendosem. Pikë së pari më uroni fat të hyj në Kuvend, të më përkrahin qytetarët e mi, pastaj dëgjimet publike. Unë në dy mandate kam qenë deputetja më aktive edhe brenda komisionit parlamentar edhe brenda Kuvendit të Kosovës.

KALLXO.com: A jepni dorëheqje nëse ju ngritet aktakuzë?

Myzejene Selmani: Po, taman puna.

KALLXO.com: A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë?

Myzejene Selmani: Po, edhe këtë po.

KALLXO.com: A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 Ministri?

Myzejene Selmani: Nuk kisha thanë me pas përmbi 15 ministri se është ngarkesë dhe definitivisht është harxhim i parasë publike. Kish me qenë mirë që koalicioni i ardhshëm ti ketë numrat e të mos hyjnë 5-6 parti në qeveri. Të jetë një koalicion i fortë dhe atëherë ndahen ministritë shumë efektive. 

KALLXO.com: Sa zv.ministra duhet t’i ketë një ministri?

Myzejene Selmani: Hera e parë është që jam pjesë e ekzekutivit në dorëheqje, mirëpo më shumë se dy s’kisha thënë.

KALLXO.com: A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike & shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?

Myzejene Selmani: Jo.

KALLXO: A keni me i bo transparente fondet e partisë?

Myzejene Selmani: Po, për arsye se duhet të ketë transparencë kah vijnë  paret, se na jemi në zgjedhje për qytetarët e Kosovës nga qytetarët.

KALLXO.com: A keni me i hap dokumentet/faturat në kuvend/ministri?

Myzejene Selmani: Po more. S’kam çka mshefi, unë jam prej qytetarëve për qytetarë. Ndoshta unë kam qenë në dy mandate, deputeti më transparent brenda Kuvendit të Kosovës.