Ilustrimi: Diar Vuçetaj/KALLXO.com

25 vjet nga bombardimet e NATO-s, Shea: Serbia pëson humbje të mëdha nëse kryen ndonjë veprim të pamatur

Kur gjatë luftës në Kosovë, më 24 mars të vitit 1999 filluan sulmet ajrore të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe, të gjithë donin të dinin se çfarë saktësisht po ndodhte në terren. E ai që i kumtonte lajmet për këtë gjë ishte Jamie Shea- asokohe zëdhënës i NATO-s. Ai i mbante gjallë shpresat te shqiptarët se do të ktheheshin në shtëpitë e tyre, pasi në konferencat e shpeshta për media fliste me vendosmëri për fitoren e NATO-s.

Sulmet zgjatën plot 78 ditë duke u ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Dy ditë më pas filloi dislokimi i rreth 50,000 ushtarëve nga 36 vende të botës. 30,000 prej të cilëve ishin nga shtetet anëtare të NATO-s.

25 vjet nga dita e fillimit të bombardimeve të NATO-s, Shea tash i pensionuar, Kosovën e sheh si një shtet të përparuar që synon anëtarësimin në misionin paqeruajtës të Aleancës Euro-Atlantike. Ai konsideron se 24 marsi i sivjetmë Kosovën e zë jo fort larg NATO-s, duke përkujtuar se marrëdhëniet me këtë mision ky vend i ka ndërtuar qysh nga viti 1999.

“Për një çerek shekulli Kosova ka qenë e mbrojtur nga trupat e NATO-s. Kjo prani ka krijuar lidhje të ngushta ndërmjet NATO-s dhe Kosovës, të cilat padyshim do të kenë shumë rëndësi në përcaktimin e marrëdhënieve të tyre të ardhshme”- thotë Shea në një intervistë për KALLXO.com.

Pikërisht në këtë kohë të përvjetorit të bombardimeve çështja e marrëdhënieve të Kosovës me NATO-n, u rikthye në debat, por në një formë tjetër. Kësaj here pas deklarimeve nga ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, i cili tha që “Serbia është më afër NATO-s sesa Kosova” dhe pas kërcënimeve të presidentit serb Aleksandër Vuçiq “se nuk e përjashton mundësinë që Serbia të përdorë forcën në Kosovë”.

Shea nuk i cilëson të qëlluara deklarimet që kanë ardhur nga Serbia ndaj Kosovës dhe shpreson që NATO së shpejti t’i japë Kosovës anëtarësimin e plotë në Partneritetin për Paqe.

“Kjo do të ishte një njohje e mbështetjes që Kosova vazhdimisht i jep NATO-s, për shembull në kundërshtimin e pushtimit brutal të Ukrainës nga Rusia”- thekson Shea.

Anëtarësimi në NATO është një nga qëllimet kryesore të Kosovës për çka edhe janë bërë hapa institucionalë. Më 09.03.2022, Qeveria ka marrë vendim që të themelojë grupin punues ndërinstitucional për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Objektivë kryesore e Kosovës mbetet avancimi i procesit të integrimit, fuqizimi i pranisë në organizata dhe mekanizmat rajonalë e ndërkombëtarë të sigurisë, si dhe bashkëpunimi me aleatët strategjikë ndërkombëtarë.

Ndryshe prej Kosovës që e kishte parë 25 vjet më herët- të shkatërruar nga lufta, Shea tash thotë se sa herë që vjen në Prishtinë sheh zhvillim, makina të reja dhe shtim të ndërtesave të mëdha.

“Fatkeqësisht, situata e tensionuar në veri dhe refuzimi i vazhdueshëm i Beogradit për të njohur Kosovën dominojnë titujt kryesorë dhe e largojnë vëmendjen nga i gjithë përparimi social dhe politik që është bërë”- shprehet ai.

Me gjithë kërcënimet që Serbia herë pas here ia bën Kosovës, Shea nuk sheh rrezik për një lufte tjetër, pasi është i sigurt se Serbia do kishte pasur shumë humbje.

Sias tij, problemet kryesore të sigurisë për Kosovën do të vazhdojnë të vijnë nga strukturat paralele serbe, grupet paraushtarake dhe krimi i organizuar dhe jo nga një agresion i drejtpërdrejtë nga ushtria serbe.

“Serbia pëson shumë humbje duke kryer një veprim [luftë]  aq të pamatur dhe katastrofal”- vlerëson Shea.

Por, pavarësisht që Kosovën e sheh me sy të sigurt, ai prapë vlerëson se ky vend ka nevojë për praninë ushtarake ndërkombëtare të NATO-s.

“Nëse NATO nuk do të ishte aty, të tjerët mund të përpiqeshin të mbushnin vakumin e sigurisë, veçanërisht në veri të Kosovës dhe përgjatë kufirit Kosovë-Serbi”- thotë Shea, duke shtuar që KFOR-i ruan mjedisin e sigurisë dhe mbështet Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Përderisa mbështetja nga NATO-ja vazhdon, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kërkoi nga Britania e Madhe që të shtojë numrin e trupave në Kosovë pas kërcënimit të fundit të Vuçiqit.

Shea thotë se Mbretëria e Bashkuar në fakt është mbështetëse e fortë e një Kosove të pavarur dhe sovrane dhe nëse e shihet e arsyeshme që të mbahet siguria e vendit, mund të dërgojë përsëri trupa.

“Londra i ka dërguar KFOR-it përforcime nga Regjimenti Mbretëror i Princeshës së Uellsit në mënyrë që të ndihmojë në ruajtjen e paqes dhe kam besim se do të dërgojë më shumë trupa nëse do t’i nevojiten komandantit të KFOR-it dhe nëse do të kërkohet nga NATO”- shprehet Shea.

Por, ai ka bindjen se Beogradi bën vetëm zhurmë si në rastet e kaluara për kthim të forcave në veri të vendit. Është KFOR-i, sipas tij, që nuk do të lejonte një gjë të tillë, sepse ndërhyrja me trupa ushtarake serbe në Kosovë do të përbënte shkelje të Rezolutës 1244 të OKB-së dhe shkelje të sovranitetit të Kosovës- si një shtet i pavarur.

“Këtë [kërcënimin e Vuçiqit] e shoh kryesisht si një marifet propagandistik për konsum të brendshëm në Serbi dhe një devijim të padobishëm nga detyra reale për të rikthyer në rrugën e duhur normalizimin e marrëdhënieve të përshkruara në Marrëveshjen e Ohrit të vitit të kaluar”- thotë Shea.

Serbia në periudhën afatgjatë, siç thotë ai, nuk e ka ndërmend të aplikojë në NATO, ndërsa Kosova po. Megjithatë, sipas tij, Serbia është zyrtarisht pjesë e Partneritetit për Paqe të NATO-s, e për këtë arsye i jep asaj qasje në një menu më të madhe të aktiviteteve të bashkëpunimit sesa Kosovës.

NATO, ndërkaq e ka një program të përbashkët aktivitetesh me Kosovën, por se sipas Shea-s, aktualisht ky program është më i kufizuar, kryesisht për shkak të faktit që katër anëtarë të NATO-s ende nuk e njohin Kosovën.

“Me kalimin e kohës besoj se balanca do të ndryshojë në mënyrë të vendosur në favor të integrimit euro-atlantik të Kosovës”- thotë Shea.

Në vitin 2023, për shkak të tensioneve në veri të vendit NATO ka vendosur përkohësisht trupa shtesë për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat që i nevojiten për të përmbushur mandatin e tij të Kombeve të Bashkuara.

Së voni, KFOR-i u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet përshkallëzuese dhe retorika përçarëse dhe të angazhohen në mirëbesim në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Aktualisht situata në Kosovë, sipas këtij misioni, është e qetë por vazhdon të mbetet e brishtë.