Nën flamurin kozak, lidhjet ruse me luftëtarët ballkanikë janë bërë më të forta 

Grupet ruse kozake po ndërtojnë lidhje me serbët në Ballkan. Por, a janë ata vetëm duke e promovuar Rusinë apo edhe duke gjetur luftëtarë për të?

 

Pak ditë para shpërbërjes paqësore të Çekosllovakisë më 1 janar të vitit 1993, një grup prej rreth 50 burrash iu afruan kufirit të këtij vendi dhe kërkuan leje kalimi.

Ata e prezantuan veten si kozakë, pasardhës të të arratisurve skllevër dhe të jashtëligjshëm ikanakë që përdoreshin për të mbrojtur kufirin e panënshtruar jugor të Rusisë dhe, sipas ligjit rus, akoma lejoheshin të mbanin armë.

Zyrtarëve kufitarë, ky grup u tha se ata po udhëtonin nga Moska në Beograd, atëbotë kryeqyteti i një federate jugosllave që po shthurej me shumë shpejtësi, ku planifikonin të zhvillonin një seri shfaqjesh. Legjenda thotë se ata u deshën të këndonin disa këngë tradicionale për të dëshmuar se ishin një trup folklorik dhe jo një bandë luftëtarësh.

Pasi morën lejekalimin, kozakët nuk qëndruan shumë gjatë në Beograd, por i hipën një autobusi dhe u nisën drejt Vishegradit në Bosnjë, një qytet i kontrolluar nga serbët, ku po zhvillohej lufta. Në mesin e udhëheqësve të këtij grupi ishte Viktor Zaplatin, i sapo ardhur nga luftimet në Transnistria dhe Abkhazia, përkatësisht rajone të Moldavisë dhe Gjeorgjisë, por që u shkëputën me rënien e Bashkimit Sovjetik.

Forcat pro-ruse të pozicionuara në Donbas, Maj 2014. Foto: EPA

Ky udhëtim i tyre nuk ishte udhëtim kulturor. Në vend të kësaj, me të mbërritur në Vishegrad, grupi u bë Skuadra e Parë Vullnetare Kozake dhe iu bashkua luftës krahas Brigadës “Visegradska” të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, një brigadë e njohur për kryerjen e disa prej mizorive më të këqija të luftës.

Njëzet e një vite më vonë, një bandë edhe më e madhe e kozakëve – të paktën 140 prej tyre – kaluan përsëri kufirin e Bosnjës nga Serbia, këtë herë në urën Raca më tej në veri të Vishegradit, dhe u prezantuan si një trupë artistike. Destinacioni i tyre ishte Banja Lluka – deri atëherë selia e njësisë e populluar, kryesisht, nga serbë të Republika Srpska të Bosnjës, e skalitur nga forcat serbe të Bosnjës gjatë luftës – dhe festimi i planifikuar i 100 vjetorit të fillimit të Luftës së Parë Botërore.

Këtë herë ata udhëhiqeshin nga Nikolai Djakonov, i cili ashti sikurse Zaplatin ishte i freskët nga luftimet në krah të forcave pro-ruse, këtë herë në Ukrainë.

Dyzet e tre vjeçari Djakonov dhe Zaplatin, 63 vjeç, janë të dy anëtarë të rangut të Bashkimit të Vullnetarëve të Donbass, rajoni lindor i pasur me qymyr në Ukrainë, ku Rusia nxiti një rebelim separatist në vitin 2014 pas aneksimit të Krimesë. Zaplatin është i dërguari i Bashkimit në Ballkan, nga ku një numër i luftëtarëve vullnetarë me etni serbe kanë udhëtuar në Ukrainë për të luftuar nën ombrellën e këtij Bashkimi.

Si vizitor i rregullt në Ballkan, Zaplatin mori pjesë në ceremoninë e themelimit të të ashtuquajturës Ushtri Kozake të Ballkanit në vitin 2016 në qytetin bregdetar malazias të Kotorrit, duke u bërë atamani i saj, ose komandanti suprem ushtarak.

Tashmë e pranishme në Mal të Zi dhe Serbi, Ushtria Kozake e Ballkanit thotë se ka në plan të zgjerohet në Republikën Srpska dhe në Bosnjë. Zeljko Curoviç, serb nga Mali i Zi dhe bashkëthemelues i Ushtrisë, deklaroi për BIRN se një degë  do të duhej të hapej “deri në fund të vitit”, nëse  COVID-19 e lejon një gjë të tillë.

Por, ndërkohë që pjesëmarrësit thonë se nuk ka asgjë për t’u frikësuar, analistët paralajmërojnë se Bashkimi i  Vullnetarëve të Donbass, degët e tij dhe udhëheqësit e tyre shërbejnë, në rastin më të mirë, si një krah i zgjatur i ndikimit të Kremlinit në Ballkan dhe, në rastin më të keq, një mjet rekrutimi për luftërat ruse përtej kufijve të saj.

Prania në rritje e Kozakëve “duhet të konsiderohet në kontekstin e sigurisë, sepse ky është një grupim i militarizuar, një formacion ushtarak që vlerëson një ideologji të caktuar”, tha Hikmet Karcic, studiues i gjenocidit në Institutin për Traditën Islame të Boshnjakëve, një organ hulumtimi me qendër në Sarajevë.

Ashtu sikurse grupet nacionaliste serbe ‘Cetnike’, “Organizatat Kozake… kanë një hierarki ushtarake dhe anëtarë të uniformuar”, tha Karçiç për BIRN. “Duke marrë parasysh historinë dhe aktivitetet e tyre gjatë luftës së kaluar në Bosnjë dhe Hercegovinë, ata shkojnë përtej duke bërë lojëra lufte për të rriturit.”

“Këto organizata dhe lidhjet e tyre me fuqitë politike lokale dhe rajonale mund të luajnë një rol kryesor si një faktor mobilizues në Ballkan.”

Lidhjet me fushëbetejën në Ukrainë

Themelimi i Ushtrisë Ballkanase Kozake, Kotor, 2016. Foto: RSE 

Megjithëse e themeluar në Mal të Zi, Ushtria Kozake e Ballkanit është regjistruar në Serbi me emrin “Bashkimi i Kozakëve të Ballkanit’, e themeluar me qëllimin e deklaruar të “afirmimit të kulturës dhe traditës Kozake përmes ringjalljes dhe paraqitjes së etosit Kozak”.

Ajo përfaqësohet nga Vojislav Vidakovic, i cili njihet me titullin ‘shef ataman’ i Serbisë, Malit të Zi dhe Republika Srpskas. Vidakoviç ka premtuar rregullisht zgjerimin e organizatës në Republika Srpska, ku partia udhëheqëse në pushtet dhe udhëheqësi i saj, Milorad Dodik, kanë kohë që flasin për dëshirën e tyre për ta parë Bosnjën si një shtet të shpërbërë nga ku serbët do të dilnin si të pavarur.

Nuk dihet sa anëtarë numëron kjo Ushtri e vetëshpallur Kozake e Ballkanit. Udhëheqësit e saj asnjëherë nuk e kanë dhënë ndonjë shifër të saktë lidhur me këtë. Vidakovic nuk pranoi të flasë për BIRN lidhur me këtë organizatë ndërkohë që  Zaplatin nuk iu përgjigj disa telefonatave dhe porosive të dërguara në drejtim tijin.

Mirëpo në ceremoninë e saj të themelimit morën pjesë një numër burrash që kishin lidhje me fushëbetejën eUkrainës, përfshirë serbët e Bosnjës Gavrilo Stevic dhe Slavenko Kuzmanovic.

Stevic, 54, u lirua në mars të këtij viti në gjyqin e parë në Bosnjë me akuzat të cilat e ndërlidhnin me përfshirjen e tij në konfliktin e Ukrainës. Prokurorët e kanë apeluar këtë vendim. Kuzmanovic, 41 vjeç, ishte dëshmitar në gjyqin ndaj Steviç, duke i thënë gjykatës se ata udhëtuan së bashku në ceremoninë e themelimit të Ushtrisë Kozake të Ballkanit në Kotor në vitin 2016 dhe kanë shkëmbyer histori të luftës në Ukrainë.

Që të dy kanë mohuar të jenë anëtarë të Bashkimit të Vullnetarëve të Donbas, por Kuzmanovic konfirmoi për BIRN se ai ishte dekoruar nga kjo organizatë në vitin 2017.

Sipas vendimit origjinal në gjyqin e Stevic, Kuzmanovic pranoi para prokurorëve se ai ishte bashkuar me një formacion paraushtarak në rajonin lindor të Ukrainës, bastion i separatistëve të Lugansk. Një hetim kundër Kumanoviç u ndërpre për shkak të mungesës së provave, i tha BIRN prokuroria publike boshnjake.

Maria Kucherenko, analiste në Qendrën për Kërkime të Shoqërisë Civile në Kiev, tha se nuk duhet të ketë dyshim për rolin e Bashkimit të Vullnetarëve të Donbass dhe emisarëve të tij në Ballkan.

“Roli i Bashkimit të Vullnetarëve të Donbas, si një strukturë, përfshirë Ballkanin, është të rekrutojë, furnizojë dhe mbulojë aktivitetet nga mercenarë të huaj në luftën ruse kundër Ukrainës,” tha Kuçrenko për BIRN.

“Eshtë e natyrshme që rekrutimi në ‘organizatën Kozake’ të mund të përdoret si një nga mundësitë për rekrutimin e mercenarëve.”

 

“Puna më e ndyrë”

Slavenko Kuzmanovic në Ukrainë. Foto: Oleg Rasskazov, VK

Në një intervistë dhënë BIRN, Kuzmanoviç tha se kishte kaluar tre muaj e gjysmë në Ukrainën lindore, duke marrë një “pagë ushtarake” mujore midis 200 dhe 250 dollarëve. Fotot e gjetura nga BIRN në rrjetet sociale e vendosin atë në Snizhne, qytetin lindor të Ukrainës në pranverën e vitit 2015, i armatosur dhe ushtarakisht i molisur.

Ai thotë të ketë luftuar me forcat serbe të Bosnjës gjatë luftës në Bosnje, duke u regjistruar në moshën 15 vjeç dhe gjithashtu kishte dalë vullnetar në Kosovë në vitin 1999, pasi një luftë brutale serbe kundërkryengritëse shkaktoi 11 javë sulme ajrore nga NATO.

I pyetur se pse kishte shkuar në Ukrainë, Kuzmanovic përmendi arsye të “natyrës shoqërore”, por tha, po ashtu, se ishte  zhgënjyer sepse “askush nuk donte ta dëgjonte”.

Fotografitë në mediat sociale gjithashtu e vendosin Kuzmanoviç, dic më herët, në Muzeun e Vullnetarëve Rusë, të themeluar nga Alexander Kravchenko në lagjen Bibirevo të Moskës. Kravchenko ishte vullnetar kozak në anën e serbëve të Bosnjës në luftën e Bosnjës.

Kuzmanoviç tha se ai ishte “mysafir” në themelimin e Ushtrisë Kozake të Ballkanit në Kotor dhe mori pjesë në uniformimin e ushtrisë ruse me insistim të organizatorëve.

Stevic, ndërkohë, i tha BIRN se themelimi i Ushtrisë Kozake të Ballkanit “përfaqëson një zgjerim të lëvizjes në Ballkan”.

Kozakët “janë njerëz që luftuan ose janë emocionalisht të lidhur me këtë zonë”, tha ai. Stevic e përshkroi Zaplatinin si dikë që “tërheq fijet” në Ballkan dhe më gjerë dhe tha se veteranët serbë të Bosnjës në Republikën Srpska ishin “shumë të ndërlidhur me veteranët rusë dhe me kozakët”.

Në të vërtetë, Ushtria Kozake e Ballkanit dhe Organizata e Veteranëve të Republika Srpska, BORS, nënshkruan një statut (akt) miqësie në Beograd në fillim të vitit 2018, ndërsa nënkryetari i atëhershëm i BORS, Vojin Gusic, mori gradën e nderit Kozak të kapitenit. As Gusic dhe as presidenti i BORS, Milomir Savcic, nuk qenë të gatshëm të deklarohen se çfarë nënkupton ky statut (akt).

Në vitin 2015 në Beograd, BORS gjithashtu shpalli një memorandum bashkëpunimi me Bashkimin e Vullnetarëve të Donbass.

Nacionalisti i shquar serb Bratislav Zivkovic, udhëheqës i lëvizjes çetnike në Serbi dhe vullnetar në Krime në vitin 2014, mohoi që kozakët po rekrutonin luftëtarë nga ish Jugosllavia.

“Shoqatat e kozakëve në Ballkan janë të një karakteri simbolik,” i tha Zivkoviç BIRN. “Në të vërtetë, ata përfaqësojnë vetëm një lidhje tjetër emocionale midis serbëve dhe Rusisë.”

Nëse do të kishte dicka më ugurzi, atyre do të duhej tu ndalohej hyrja në një numër të shteteve fqinje e Serbisë, deklaroi ai.

“Tani, në kohër të paqes, trupat kozake janë përfshirë në punë humanitare, duke trajnuar anëtarët e tyre më të rinj, ruajtjen e traditave të tyre dhe kujtesën e paraardhësve të lavdishëm dhe betejat e tyre.”

Kravchenko tha se nuk kishte grupe kozakësh të vendosur në Bosnjë, por se “disa individë nga Republika Srpska” mund tu bashkohen organizatave të tilla në Serbi.

Julia Petrovskaya, gazetare ruse e cila ka shkruar gjerësisht për rolin e Rusisë në Ballkan, tha se “të ashtuquajturit Kozakë me origjinë Serbe” ishin pjesë e përpjekjeve të Rusisë për të ndikuar në rajon, por ishin gjithashtu të stazhionuar për rekrutim.

“Kozakët Ballkans ‘janë të përfshirë në promovimin e politikës zyrtare Ruse dhe vlerave konservatore, Ortodokse, qëndrime anti-perëndimore, anti-liberale dhe anti-NATO,” i tha Petrovskaya BIRN.

“Fakti që Kozakët e promovojnë Ortodoksizmin nuk paraqet aq shumë problem” tha ajo. “Problemi qëndron tek krijimi i lidhjeve të forta midis ish-ushtarëve, të cilët përfaqësojnë një ideologji të nacionalizmit të papërpunuar, përhapjen e urrejtjes dhe dezinformimit, por mund të përdoret gjithashtu për punët më të ndyra, siç ishte rasti në Ukrainën lindore.”