Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës | Foto: Atdhe Mulla

Dyshime të Reja për Falsifikim Dokumentesh në Avancimet e UP

Dr. Selim Bezeraj, shef i departamentit të historisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, është vënë në qendër të një skandali të ri, pas dyshimeve të bazuara për plagjiaturë në të paktën një punim shkencor dhe në temën e doktoraturës.

Dyshimet e reja bëjnë fjalë për falsifikim dokumentesh duke implikuar një revistë shkencore gjermane, Zeitschrift fur Balkanologie, ku Bezeraj, thotë se i është pranuar një punim shkencor.

Përfaqësuesit e revistës thonë se punimi i Bezeraj – tashmë i dyshuar për plagjiaturë – nuk është pranuar për t’u botuar atje.

Ndërsa për vetë rastin e plagjiaturës së Bezeraj, hetime janë ngritur edhe në Universitetin e Tiranës, ku ai ka kryer doktoraturën.

Gazeta Jeta në Kosovë publikoi më parë hulumtimin sipas të cilit Dr. Selim Bezeraj kishte kopjuar një pjesë të punimit të kandidatit të masterit në Universitetin e Vjenës, Adam Kristian (temën e Christian e gjeni këtu).

Shefi i Departamentit të Historisë në UP Dyshohet për Plagjiaturë

Bezeraj e kishte dorëzuar këtë punim në rektoratin e UP në vitin 2015 me rastin e hapjes së konkursit për avancime akademike.

Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar se përveç kopjimit fjalë për fjalë në faqe të tëra të punimit në gjuhën gjermane, Bezeraj e ka përdorur punimin e përkthyer në shqip në doktoraturën e tij të mbrojtur në Universitetin e Tiranës.

Pas raportimit të Gazetës JNK, Elton Skendaj nga Drejtoria e Komunikimit të Universitetit të Tiranës i tha redaksisë se “rektorati i Universitetit të Tiranës ka filluar hapat e parë procedurialë për këtë rast.”

Në anën tjetër, Universiteti i Prishtinës i njoftuar për rastin e Bezerajt më datë 21 korrik 2016 përmes hulumtimit të publikuar, nuk ka hapur ndonjë hetim.

Përkundrazi, UP e ka avancuar Bezerajn gjashtë ditë më vonë, më 27 korrik 2016, nga asistent në gradën e profesorit asistent.

http://kallxo.com/avancon-te-dyshuarin-per-plagjiature/

Gazeta JNK ka siguruar dokumente zyrtare të Universitetit të Prishtinës në të cilat vërtetohet se ndaj Bezerajt është hapur rast në Këshillin e Etikës në 2015 për rastin e plagjiaturës.

E pyetur për rastin, kryetarja e atëhershme dhe aktuale e Këshillit të Etikës Prof. Dr. Myzafere Limani, sqaroi se mungesa e rregulloreve të punës e kishte pamundësuar vazhdimin e procedurave, ndërsa shtoi se mungonte gatishmëria për plotësimin e rregulloreve.

Por, Gazeta Jeta në Kosovë ka arritur ta sigurojë edhe një dokument sipas të cilit mësohet që avancimi i Bezerajt më datën 27 korrik 2016, ka qenë i parregullt.

Komisioni për Studime në kuadër të Senatit të UP-së, i ka konsideruar të papërputhshme me rekomandim katër punimet e prezantuara për avancim në korrik të këtij viti.

Ndërkohë, një punim të pestë komisioni e ka refuzuar duke qenë se i njëjti është dorëzuar pas kalimit të afateve të konkurrimit.

Në listën e publikimeve të Bezeraj, spikat një sosh i publikuar në një revistë me emrin “Perla”, për të cilën ka shumë pak informacion online se me çfarë merret ekzaktësisht.

Gjithashtu, bien në sy dy punime të publikuara në revistën me titull “Kërkime universitare”, e cila publikohet në Gjirokastër, si publikim periodik i universitetit “Eqerem Çabej”.

Por, vlerësimi negativ nga komisioni, nuk e pengoi Senatin që ta avanconte Selim Bezeraj.

Fotografim i një pjese të dokumentit të vlerësimit për Selim Bezeraj nga Komisioni për Studime i UP [kliko për ta zmadhuar]
Dyshimet për falsifikim

Selim Bezeraj kishte nisur procedurat e avancimit gjatë vitit 2015 kur ai kishte aplikuar për thirrjen profesor asistent.

Rektori i atëhershëm Ramadan Zejnullahu i është drejtuar vetë Bezerajt dhe dekanit të Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli, me një letër zyrtare që mban datën 9 korrik 2015 lidhur me dyshimet se Bezeraj ka kopjuar punimin e tij në gjermanisht me titull “Soziale Lage in Albanien Wahrend der Regierung des Prinzen Wilhelm Wied nach Deutchen Reisenden”.

Sipas Bezeraj, ky punim ishte pranuar për botim në revistën Zeitschrift fur Balkanologie në Berlin të Gjermanisë, për çka ai kishte dorëzuar edhe vërtetimet përkatëse në institucionet e UP.

Por, hulumtimet e mëtutjeshme të Gazetës Jeta në Kosovë, e përgënjeshtrojnë pretendimin e Bezeraj, dhe dokumentet e paraqitura prej tij, duke qenë se punimi në fjalë nuk u botua kurrë në revistën Zeitschrift fur Balkanologie.

Gjithashtu, pas kontakteve të përsëritura nga Gazeta JNK, nga kjo revistë u mohua në formë të prerë që punimi në fjalë i Bezeraj të ishte pranuar për publikim.

Rektori aktual i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, nuk ktheu përgjigje kur Gazeta JNK e pyeti për këtë çështje.

Ish-rektori Zejnullahu ka konfirmuar se dokumenti në fjalë i është dërguar atij përmes rrugëve zyrtare dhe se dokumenti i është paraqitur si dokument origjinal. Ish rektori Zejnullahu ia ka konfirmuar edhe zyrtarëve të revistës shkencore gjermane Zeitschrift fur Balkanologie të njëjtën gjë.