Shefi i Departamentit të Historisë në UP Dyshohet për Plagjiaturë

Hije të reja skandali shtrihen mbi Universitetin e Prishtinës (UP) për avancimet e dyshimta të stafit të tij akademik, sakaq i njollosur nga një sërë skandalesh të mëparshme për falsifikime të punimeve shkencore apo publikimet e tyre në revista mashtruese.

Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar një rast të ri, ku prova materiale dhe komunikime zyrtare të UP-së ngrenë dyshime serioze se një anëtar i stafit akademik ka kryer plagjiaturë me publikimet e tij shkencore.

Dr. Selim Bezeraj, asistent në Fakultetin Filozofik dhe shef i departamentit të Historisë në UP, dyshohet se ka kopjuar një punim shkencor.

Punimi i dyshimtë i Bezeraj, është pranuar por ende nuk është botuar në revistën me bazë në Berlin Zeitschrift fur Balkanologie.

Ai pret avancimin në profesor asistent si grada e parë akademike në rangun e profesorëve, ndërkohë që në Këshillin e Etikës ka rast të iniciuar kundër tij për mundësinë e përfshirjes në plagjiaturë.

Redaksia e Gazetës Jeta në Kosovë ka në posedim dokumentet zyrtare të Universitetit të Prishtinës të cilat hapin dyshime se njërin punim, Bezeraj e ka kopjuar nga një punim diplome të masterit të kandidatit Adam Christian nga Universiteti i Vjenës.

Punimi i dyshuar po ashtu bën pjesë në punimin e doktoraturës së Bezeraj, të mbrojtur në Tiranë në vitin 2014, përmes së cilës ai mori titullin ‘Doktor i Shkencave’ [kliko këtu për doktoraturën e dyshuar].

Rektori i atëhershëm Ramadan Zejnullahu i është drejtuar vetë Bezerajt dhe dekanit të Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli, me një letër zyrtare që mban datën 9 korrik 2015 lidhur me dyshimet në fjalë.

Zejnullahu i ka njoftuar palët përmes kësaj letre se punimi në gjermanisht me titull “Soziale Lage in Albanien Wahrend der Regierung des Prinzen Wilhelm Wied nach Deutchen Reisenden”, me autor Selim Bezeraj, i pranuar në revistën Zeitschrift fur Balkanologie në Berlin të Gjermanisë, është i kopjuar.

Sipas letrës së ish rektorit Zejnullahu, ky material është kopjuar nga punimi i masterit me titull “Die Heeschaft des Prinzen zu Wied als Furst von Albanien unter besorenderer Berucksichtigung des ostereichich-ungarichen diplomatischen Dienstes” të mbrojtur në vitin 2010 nga Adam Christian në Universitetin e Vjenës [kliko këtu për temën e masterit të Adam Christian].

Letra e ish-rektorit Ramadan Zejnullahu për rastin e dyshuar si plagjiaturë të Selim Bezeraj | Foto: Gazeta JNK
Letra e ish-rektorit Ramadan Zejnullahu për rastin e dyshuar si plagjiaturë të Selim Bezeraj | Foto: Gazeta JNK

 

Në këtë letër ish-rektori thekson se abstrakti i punimit të Bezerajt në faqe 1 është identik me abstraktin e temës së diplomës në faqe 107, por duke mos i ndalur akuzat për plagjiaturë vetëm në këtë fragment.

“Pjesa kryesore e punimit të dorëzuar faqe 2 deri në 14 është identike me përmbajtjen e temës së diplomës [së Adam Christian] nga faqe 43 deri në 59”, thuhet në letrën e Zejnullahut.

Për më tepër, vazhdon ai, duke shkruar se edhe vetë përfundimi i punimit të dorëzuar nga faqe 15 deri në faqe 16 është identik me përfundimin e temës së diplomës [së Christian] nga faqe 62 deri në faqe 64.

Rektori shton se edhe “materiali arkivor i deklaruar në punim është i njëjti sikur ai që është shfrytëzuar për temën e diplomës [së Christian] në faqe 105”.

Gazeta JNK i ka siguruar të dy punimet dhe ka konfirmuar pikat e ngritura në këto komunikime zyrtare, duke konstatuar në mënyrë të pavarur se pjesë të mëdha të dy punimeve janë identike me njëra-tjetrën.

Shefit i Departamenti të Historisë, dr. Selim Bezeraj | Foto: Klubi Politik Egje & Adriatik
Shefi i Departamenti të Historisë, dr. Selim Bezeraj | Foto: Klubi Politik Egje & Adriatik

 

Po ashtu, redaksia këqyri edhe temën e doktoraturës së Bezeraj, ku rezulton se punimi i kopjuar është pjesë përbërëse e tezës së tij të doktoraturës, pa përjashtuar edhe fusnotat të cilat janë të njëjta, madje edhe për nga stili i përdorur në shkrim.

Më poshtë jepen për ilustrim tri paragrafë duke filluar nga punimi i Adam Christian nga Universiteti i Vjenës (në gjermanisht), për të vazhduar me punimin e dr. Bezeraj të cilin e ka shkruar në gjermanisht dhe temën e doktoraturës të përfunduar në Tiranë në vitin 2014 (në shqip).

Nga punimi i Adam Christian:

Auch in den anderen größeren Städten des Landes fanden Festlichkeiten zu Ehren des neuen albanischen Fürsten statt. In Skutari (heute Shkodra), einem Kerngebiet der ka-tholischen albanischen Bevölkerung, fand ein Umzug und Ansprachen statt, ein Tedeum wurde zelebriert. Die Feierlichkeiten waren stark katholisch geprägt, was von dem mus-limischen Teil der Bevölkerung natürlich nicht mitgetragen wurde, wie Karl Halla, der Lei-ter des Generalkonsulates in Skutari zu berichten wusste.84 

Nga punimi shkencor i Selim Bezeraj:

Auch in den anderen größeren Städten des Landes fanden Festlichkeiten zu Ehren des neuen albanischen Fürsten statt. In Skutari (heute Shkodra), einem Kerngebiet der katholischen albanischen Bevölkerung, fand ein Umzug und Ansprachen statt, ein Tedeum wurde zelebriert. Die Feierlichkeiten waren stark katholisch geprägt, was von dem muslimischen Teil der Bevölkerung natürlich nicht mitgetragen wurde, wie Karl Halla, der Leiter des Generalkonsulates in Skutari zu berichten wusste.

Nga tema e doktoraturës së Selim Bezeraj:

Po ashtu edhe në qytetet tjera të mëdha të vendit u festua në nderim të princit të ri të Shqipërisë. Në Skutar (Shkodër), epiqendër e popullsisë katolike, u mbajtën fjalime dhe u këndua Te-Deum-i. Festimet kishin një karakter të fortë katolik, gjë e cila sigurisht që nuk u mbështet nga pjesa myslimane e popullsisë, kjo sipas njoftimit nga Karl Halla, kryesues i konsullatës së përgjithshme në Shkodër.

Bezeraj rezultoi i paarritshëm pavarësisht thirrjeve të përsëritura telefonike nga redaksia, si dhe nuk iu përgjigj një emaili të dërguar për plagjiaturën e dyshuar.

Gjithashtu, redaksia nuk arriti të gjejë një kontakt aktual të Adam Christian në mënyrë që të bisedonte me të rreth kësaj çështjeje.

Për këtë rast, prorektorja për Mësimdhënie dhe Çështje të Studentëve, dr. Eda Vula, i ishte drejtuar me një shkresë profesores Myzafere Limani, kryesuese e Këshillit të Etikës në UP, më datën 21 korrik 2015.

Në shkresën, të cilës i bashkëlidhur materiali faktik, Vula ka shpjeguar situatën e punimit të Bezerajt, duke kërkuar që të merret vendim nga Këshilli i Etikës.

E pyetur nga Gazeta JNK, Limani tha se diçka e tillë nuk ka ndodhur në mungesë të rregulloreve përkatëse që duhen miratuar nga organet kryesuese të UP-së.

“Rasti që ju i referoheni, i është dorëzuar Këshillit të Etikës vitin e kaluar dhe për këtë rast nuk ka pasur mundësi të iniciohet procedura dhe të ndërmerren veprimet e duhura pa aprovimin e rregulloreve në fjalë”, tha Limani.

Ajo shpjegoi se Këshilli i Etikës nuk mund të funksionojë pa rregulloret në fjalë. E riemëruar para një muaji në mbledhjen e fundit të senatit, Limani shprehi shqetësimin “se edhe kësaj here mungon gatishmëria që të vazhdohet me kompletimin e procedurave dhe rregullores”.

“Mungon gatishmëria që të vazhdohet me kompletimin e procedurave dhe rregullores” – Myzafere Limani

Limani tha se kjo çështje i takon Senatit dhe Këshillit Drejtues si organe që duhet të nxjerrin rregulloret relevante në mënyrë që Këshilli i Etikës të mund të merret me rastin, por shtoi se nuk ka njohuri se kur mund të ndodhë kjo.

“Por, kur dhe si do të iniciohen procedurat, gjithsesi mbetet në vullnetin e Senatit dhe Këshillit Drejtues të universitetit”, tha Limani.

Ndërkaq, prorektori i tanishëm për mësim dhe çështje të studentëve, Naser Sahiti, tha se nuk kanë “asnjë informatë për rastin që po përmendni ju që ka diçka kontestuese”.

Sahiti u kontaktua një ditë para mbledhjes së senatit, e caktuar për ditën e enjte, për të cilën konfirmoi se do t’i ketë në rend të ditës avancimet akademike të bllokuara gjatë mandatit të ish-rektorit Zejnullahu.

Sahiti tha për Gazetën JNK se rasti po trajtohet në aspektin e plotësimit të kritereve, “ndërsa për plagjiat çka po thoni ju, ne nuk kemi informacione”.

Gjithashtu, ai pretendon se nuk ka njohuri për faktin që rasti në fjalë është në Këshill të Etikës që nga viti i kaluar.

“Na nuk jem në gjendje me ditë krejt tash çka ka shku në të kaluarën, nuk kem ndonjë shej, së pari prej jush po dëgjoj që ka pasur diçka për të”, tha Sahiti.

Javë më parë Gazeta JNK ka publikuar një hulumtim sipas të cilit, rektori Marjan Dema u avancua në vitin 2012 me një punim të publikuar në revistë të dyshimtë.

Rektori Marjan Dema u Avancua me Punim në Revistë të Dyshimtë

Ngjashëm, Gazeta JNK ka botuar më parë një hulumtim ku tregohet se anëtari i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, Fevzi Berisha, ishte avancuar pa e pasur fare të botuar punimin e tij shkencor.

Në vitin 2013, në një rast të ngjashëm, ish-rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, u detyrua të jepte dorëheqje pas protestave të studentëve dhe qytetarëve të Kosovës të cilat pasuan pasi që u zbulua se ai ishte një nga pesë autorët e një punimi që i duhej për avancim akademik, por doli të ishte botuar në një revistë të rrejshme shkencore.

Gashi Dorëhiqet nga Posti i Rektorit