Foto: OSCE

Avancimi i Profesorit me Punim të Papublikuar

Fevzi Berisha, profesor në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës dhe anëtar i Këshillit Drejtues në Universitetin e Prishtinës që nga viti 2002 është avancuar ilegalisht në titullin “Profesor i Rregullt”.

Një hulumtim i Gazetës JNK zbulon se në CV-në e tij Berisha kishte paraqitur një punim inekzistent që ai mendon se e ka publikuar në revistën shkencore kroate “Glasnik Matematicki” që botohet nga Universiteti i Zagrebit.

Fevzi Berisha ishte avancuar në thirrjen e profesorit të rregullt  në vitin 2002 mes tjerash duke paraqitur një punim shkencor që ai thotë se është botuar në vitin 1991 në revistën shkencore të Universitetit të Zagrebit “Glasnik Matematicki” në Vëllimin 25, pjesën e dytë.

Mirëpo vite më parë kjo revistë ka vendosur të gjithë arkivin e saj ta nxjerrë online.  Kjo e ka ekspozuar Berishën, ngase punimi i pretenduar i tij që e ka titullin në gjuhën ruse “O svojstva odnogo obobshçenogo modulja neprerivnosti, primenenogo v teorii priblizhenija” nuk figuron askund në vëllimin 25, pjesa e dytë e “Glasnik Matematicki”.

Në fakt ky numër është i vitit 1990. Ky informacion mund të gjendet në linkun po ashtu të hapur ku mund të lexohen të gjitha punimet. Linku i vëllimit 25 ku Fevzi Berisha pretendon se ka publikuar punim shkencor.

Kërkimi në indeksin publik të të gjithë autorëve të revistës “Gllasnik Matematicki” që kanë botuar ndonjëherë punime shkencore në këtë revistë që nga viti 1966 gjithashtu konfirmon se Fevzi Berisha kurrë nuk ka botuar punime në këtë revistë.

Profesori Andrej Dujella që aktualisht është kryeredaktor në revistën “Glasnik Matematicki” në Zagreb e ka konfirmuar se punimi i Berishës nuk është publikuar.

“Për të qenë specifik, gjatë periudhës 1990-1992 ka pasur disa punime që janë ndaluar nga procedura [e publikimit] për shkak të sanksioneve për autorët nga Serbia (në atë kohë kjo nënkupton Kosovën dhe Malin e Zi) sipas një rezolute të Kombeve të Bashkuara dhe në përputhje me udhëzimet nga qeveria kroate”, ka thënë profesor Dujella për gazeta JNK.

Profesori Fevzi Berisha është kontaktuar nga gazeta JNK dhe ai ka thënë se në atë kohë ka marrë raportin se punimi është pranuar dhe se nuk ka pasur ndonjë problem. “Nuk e di pse s’ka dalë ajo edhe unë jom mundu me gjetë, unë e kom prospektin që mu ka kthy me mendimin pozitiv”, tha Berisha.

Me këtë Berisha e pranon që nuk kishte mundur ta gjente punimin e tij të botuar, por prapëseprapë e kishte deklaruar si të botuar edhe në CV-në më të përditësuar që e ka publikuar në faqen e UP-së. 

Fetah Podovrica, ish-prorektor për shkencë dhe autor i shumë punimeve në revistat më me renome në fushën e elektro-kimisë ka sqaruar për BIRN se kur një punim shkencor konsiderohet i publikuar.

“Nëse një punim shkencor për shkaqe të ndryshme nuk është publikuar nga një revistë shkencore, e as nuk ka qenë i qasshëm përmes Digital Object Identifier domethënë se opinioni shkencor apo i gjerë nuk ka mundur asnjëherë ta konsultojë përmes asaj reviste, ai punim nuk mund të konsiderohet se është botuar ndonjëherë”, ka thënë profesor Podvorica për Gazeta JNK.

Fevzi Berisha ishte avancuar pasi që komisioni i përbërë prej 3 vetave, Ejup Hamiti, Muharrem Berisha dhe Ymer Merovci të cilët kishin analizuar punimet e tija shkencore në vitin 2002  e kishin nënshkruar raportin për avancimin e tij, duke ia mundësuar titullin e profesorit të rregullt për lëndën Matematika I dhe II në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës. Dy nga këta anëtarë të komisionit kanë ndërruar jetë dhe i treti Ymer Merovci u kontaktua nga BIRN për deklaratë, por nuk mund të deklarohej për arsye shëndetësore.

Aferat për avancimet akademike të dyshimta e kanë përcjellë historinë e fundit të UP-së. Në vitin 2013 ish-rektori Ibrahim Gashi, u detyrua të jepte dorëheqje pas protestave të studentëve dhe qytetarëve të Kosovës të cilat pasuan pasi që u zbulua se ai ishte një nga 5 autorët e një punimi që i duhej për avancim akademik, por doli të jetë publikuar në një revistë të rrejshme shkencore.

Gazeta JNK më parë ka zbuluar afera të plagjiaturës në punimet shkencore të UP-së që i vinin në dyshim kredidencialet akademike.

Kriza Etike e Punimeve Akademike

Dugolli-Detaje të Reja për Ngritjen e Dyshimtë në UP

Ndërkohë duke qenë në pozitën e anëtarit të Këshillit Drejtues, profesor Fevzi Berisha është një nga 9 anëtarët e këtij këshilli që do të vendosë për zgjedhjen e rektorit të ri të Universitetit të Prishtinës në javët në vijim.

Kur ish-rektori Ramadan Zejnullahu, i përkrahur nga shoqëria civile, mori një vendim kontrovers duke refuzuar t’i bëjë avancimet akademike të UP-së në “bllok” që do të thotë kolektivisht, ashtu siç e kishin kërkuar senatorët dhe kur insisitonte që të analizohet çdo punim shkencor nga një komision i rektoratit, Fevzi Berisha u rreshtua kundër tij dhe ishte një prej 6 anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së që votuan për shkarkimin e rektorit Ramadan Zejnullahu me 21 tetor vitin e kaluar.

Ky vendim u pat anuluar nga ministri i Arsimit Arsim Bajrami të nesërmen pak para hapjes së protestës nga shoqëria civile. Reformat që po i ndërmerrte Zejnullahu në UP kishin për qëllim të ndalnin avancimet e ardhshme me kredidenciale të rrejshme akademike në UP. Kjo ishte reforma kryesore që bëri që shumica e stafit të UP-së gjatë zgjedhjeve të janarit për anëtarë të Senatit të përcaktohen për anëtarë të cilët kanë treguar se i rezistojnë një mbikëqyrjeje rigoroze të kritereve të avancimeve. Kjo përzgjedhje e njerëzve që janë kundër këtyre reformave kishte shtyrë ish-rektorin Zejnullahu që të jepte dorëheqje me 16 shkurt sivjet.

Iniciativa për Rangimin e Universiteteve të Botës “Uebomatrics” që është pjesë e Ministrisë së Arsimit në Spanjë e ka ranguar UP-në në vendin e 3878 sipas përditësimit më të fundit në listën e universiteteve në botë.

Në krahasim me rajonin, Universiteti i Beogradit është në vendin e 446, ai i Shkupit në vendin e 1196 dhe i Malit të Zi në vendin e 2362. Vetëm Universiteti i Tiranës është ranguar më ulët se ai i Prishtinës nga universitetet në rajon. [interaction id=”56d6ef104ab46a01036016b2″]