Kriza Etike e Punimeve Akademike

Në romanin “100 vjet vetmi” të Markes-it, personazhi kryesor Hoze Arkadia Buendia, duke jetuar në fshatin e humbur të quajtur Makondo, vazhdimisht zbulon diçka.

Buendia sapo fillon t’i gëzohet shpikjes së tij, vjen dikush e i thotë kjo shpikje ekziston moti në botë.

Pak më keq se Buendia i romanit, i cili tërë jetën mundohet të bëjë diçka, del se punonjësit e Universitetit të Prishtinës të mos kenë regjistruar asnjë shpikje të vetme, megjithë historinë mbi dyzetvjeçare të këtij institucioni.

“Në Zyrën për Pronësi Industriale nuk kemi pranuar asnjë aplikacion për patentë nga Universiteti i Kosovës ose ndonjë institucion tjetër”, i tha drejtori i kësaj zyre Isa Dukaj Gazetës Jeta në Kosovë, para një muaji e gjysmë, përderisa sipas Shoqatës Europiane të Transferimit të Teknologjisë, 50 për qind e shpikjeve të vitit të kaluar në Europë kanë pronësi universitare.

Katërmbëdhjetë ditë më parë neurokirurgu Talat Gjinolli në një konferencë të thirrur për media kontestoi përmbajtjen e librit universitar Neurotrauma të autorëve Arsim Morina dhe Fatos Kelmendi që u promovua në janar të këtij viti.

Gjinolli tha se 90 deri në 95 për qind e këtij libri është plagjiaturë dhe sipas tij, paraqet kopje të përkthyer keq nga literatura angleze dhe serbokroate.

“..Ky tekst në vend se të sjell njohuri të reja shkencore sa i përket shkencës neurokirurgjike në të vërtetë ai dezinformon” tha Gjinolli.

Atë ditë, e më pas, njëri nga autorët e këtij libri Arsim Morina nuk deshi të flasë, përderisa  Muhamet Maxhuni, prodekan në Fakultetin e Mjekësisë dhe njëherit recensent i librit “Neurotrauma”, tha se sipas autorëve të librit mund të ketë plagjiaturë minimale vetëm 3 ose 4 për qind.

Instituti RIDEA në nëntor të vitit të kaluar nxori një hulumtim që pasqyronte gjendjen e kërkimeve shkencore në Kosovë.

Drejtori ekzekutiv i këtij instituti, Labinot Greiçevci  thotë se të gjeturat e hulumtimit tregojnë për mungesë të sasisë se punimeve kualitative në vend.

“Në Kosovë gjendja e kërkimeve shkencore është në një stad të ulët, do të thoja në stadin më të ulët jo vetëm në Evropë, por edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor” deklaron Greiçevci, për Gazetën Jeta në Kosovë.

Greiçevci përmirësimin e kualitetit të kërkimeve shkencore dhe punimeve akademike në Kosovë, e sheh te ligjërimi i lëndës së shkrimit akademik nëpër fakultetet private dhe publike, në mënyrë që studentët në nivelin themelor të përgatiten si të shkruajnë dhe si t’u referohen në mënyrë korrekte burimeve.

“Është tragjik fakti që të tejkalohen të gjitha ciklet e studimeve ato themelore, master dhe të doktoratës, pa i njohur teknikat e shkrimit akademik”, vazhdon ai.

Se punimet akademike në Kosovë janë kryesisht jocilësore, kur janë autentike, pajtohet edhe Sahadete Limani-Beqa, ligjëruese e lëndës Shkrim akademik në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës.

“Nëse [punimet akademike] janë të karakterit shpjegues janë të gjera e sipërfaqësore, nëse janë të karakterit argumentues që duhet te kenë bazë të dhënat empirike, kanë probleme në metodologji hulumtimi”, thotë Limani-Beqa.

Nga përvoja e saj e punës Limani-Beqa ankohet se autorët e punimeve akademike te ne aq shumë u referohen ideve të të tjerëve, sa që ato ide bëhen qendrore, e duhet të ndodhë e kundërta.

“Idetë e të tjerëve duhet te shërbejnë vetëm si evidencë për të ndërtuar argumentin vetanak. Kjo çon deri te ajo që ai punim akademik nuk është me autentik” tha Limani-Beqa.

Labinot Greiçevci nga Instituti RIDEA mendon se çështja e cilësisë së kërkimeve shkencore dhe punimeve akademike duhet të debatohet në nivelet më të larta shtetërore, si në Kuvend dhe Qeveri, ndërsa Limani-Beqa zgjidhjen për ngritje të cilësisë së botimeve akademike e sheh edhe te zbatimi i ligjit

“Mendoj qe gjendja jo e lakmueshme në fushën e botimeve shkencore është pasojë e mungesës se dijes rreth kritereve për botimet akademike, mungesës se zbatimit të etikes profesionale dhe mungesës së zbatimit të ligjit” tha Limani-Beqa.

Por infrastruktura ligjore për punimet akademike në Kosovë, sipas prorektorit për Kërkime Shkencore në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, Avdulla Alija, nuk është e plotë.

Ai i tha Gazetës Jeta në Kosovë se është duke u punuar intensivisht në rishikimin e rregulloreve ekzistuese dhe hartimin e rregulloreve të cilat mungojnë.

Alija bëri me dije se qëllimi i rishikimit të rregulloreve është që të adresohen më përpikëri çështje të caktuara, përfshirë këtu edhe aspektin e plagjiaturës në punime akademike.

Ai shtoi se po ndërtohen mekanizma dhe instrumente efikase që sigurojnë respektim të këtyre rregulloreve.

“Këto rregullore do të adresojnë çështjet qe kanë të bëjnë me sjellje dhe praktikë joetike të pretenduar dhe sanksionimin”, tha Alija.

Murteza Osadautaj drejtori i Departamentit për Shkencë dhe Teknologji në Ministrinë e Arsimit, çështjen e kërkimeve shkencore dhe punimeve akademike jocilësore, e vlerësoi punë të brendshme të universitetit që duhet të rregullohet me ligjet dhe statutin e këtij institucioni.

Sipas Osdautajt ministria nuk mund të përzihet në politikat akademiko-shkencore të universitetit, pasi universiteti ka autonominë e tij.