Hoxhaj: Autoritetet Hungareze Nuk Po i Keqtrajtojnë Emigrantët

Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti ka pasur përballë të premten kryediplomatin e Kosovës Enver Hoxhajn të cilin e kritikoi për shpërfillje të ftesave për raportim në Komisionin parlamentar për punë të jashtme.

Kryetari i komisionit… Kurti pohoi se ministri Hoxhaj nuk i përgjigjet me kohë ftesave të komisionit si dhe nuk raporton shpesh para deputetëve që janë pjesë e këtij organi. 

  “Mua më vjen keq më së shumti që ky takim nuk ka ndodhur para se të bëhej diskutimi dhe ratifikimi i marrëveshjes së parë  për normalizim  marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Kurti.

Hoxhaj deklaroi se ishte i angazhuar në çështje strategjike për vendin dhe nuk kishte mundur të raportonte kur ishte ftuar nga komisioni parlamentar.

Kjo sipas tij ishte ftesa e dytë që i bëhej nga ky komision pas asaj të shkurtit të këtij viti kur Hoxhaj kishte raportuar.

Kurti deklaroi arsyen se pse nuk i ka dërguar me shumë ftesa ministrit për Punë të Jashtme.

“Pra arsyeja pse ju i keni pasur vetëm dy ftesa është për shkakë se në ftesën e dytë unë nuk kam marrë përgjigje “ tha ai.

Kurti përmendi  se në vitin  2013 ministri Hoxhaj kishte raportuar vetëm një herë më 27 shkurt.

Ndërsa, për herën e dytë Kurti ka përmendur se ftesa ministrit i ishte bërë më 23 maj, ndërsa përgjigje kishte marrë më 19 qershor për t’u takuar më 24 qershor.

Në mëngjesin e 24 qershorit Kurti ishte informuar përmes këshilltares së ministrit se nuk mund të marrte pjesë në takim.

Ndërsa Hoxhaj tha se arseja pse nuk kishte kthyer përgjigje ishte vizita e Kurtit në atë kohë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

“Është e vërtetë që unë kam qenë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por unë nuk e kam dërguar ftesën si individ, por ne emër të komisionit”, u përgjigj Kurti

“Fundja mund të mbahet mbledhja edhe pa mua, por çështja është që në ftesën e 23 majit unë nuk kam marrë fare përgjigje deri më 19 qershor . Nuk është çështje që ju s’keni ardhur, por unë s’kam marrë përgjigje”, shtoi Kurti.

Megjithatë Hoxhaj i’u përgjigj pyetjeve të Kurtit për rastin e dorëheqjes së Lulzim Pecit, emigrantëve në Hungari dhe rastet e njohjeve kontestuese.

Hoxhaj deklaroi se është në kontakte të vazhdueshme me autoritet hungareze  për kthimin e emigrantëve kosovarë nga ky shtet.

Ai mohoi se autoritetet hungareze po keqtrajtojnë emigrantët, pasi ishte pyetur nga Kurti i cili u referohej raportimeve të medieve.

“Ambasada jonë ka qenë pranë tyre, keqtrajtim fizik të tyre nuk ka, unë s’e përjashtoj mundësinë që dikush i ka lëshu qendrat e parandalimit, qendrat e pranimit dhe policia hungareze është sjellë në formën e njëjtë se si sillen në Prishtinë. As nuk ka mungesë të ushqimit, ka ankesa për llojin e ushqimit, nuk ka mungesë të ushqimit, as nuk ka kushte të tmerrshme”, tha ministri i Jashtëm Hoxhaj.

Sipas tij  aktualisht në shtetin hungarez janë 480 emigrues kosovarë, duke theksuar se po bëhen përpjekje që kthimi i tyre të ndodhë brenda disa javësh.

“Aktualisht janë 480 vetë në Hungari, nuk janë asnjë më shumë se 480, dhe ne jemi të interesuar që ta gjejmë një solucion dhe kemi fol disa herë edhe me autoritet hungareze që këta njerëz të kthehen në Kosovë”, tha Hoxhaj 

“Nuk kishte komunikim të rëndë mes kryeministrit Thaçi dhe Pecit”

Ministri Hoxhaj me kërkesën e kryetarit të komisionit Kurti, ka folur edhe për incidentin diplomatik lidhur me dorëheqjen ish-shefit të misionit të parë diplomatik në Beograd, Lulzim Pecit.  

Ai ka thënë se dorëheqja e Pecit ka dëmtuar imazhin e Kosovës, derisa ka pranuar se ka pasur keqkuptime dhe keqkomunikim, gjatë asaj kohe.

Hoxhaj aludonte në komunikimet publike të zhvilluara pas dorëheqjës së Pecit.

“Për keqkuptim dhe për keqinterpretim  unë mbaj përgjegjësi, ndërsa për sjellje jodinjitoze ambasadori Peci” tha Hoxhaj.

Presidentja e vendit Ahtifete Jahjaga kishte dekretuar Lulzim Pecin si shef të misionit të posaçëm në Beograd më 15 qershor 2013.

Katër ditë më vonë, më 19 qershor, Peci është vendosur në Beograd. Disa orë më pas ai është kthyer në Prishtinë ku edhe publikisht ka dhënë dorëheqje nga Shërbimi Diplomatik i Kosovës.

Hoxhaj ka mohuar se ka pasur komunikim të rëndë mes Pecit dhe kryemisnitrit Thaçi, para se ai të merrte vendimin për dorëheqje. Një komunikim të tillë Peci e pretendonte si arsye të dorëheqjes së tij.

“Nuk ka pasur ndonjë komunikim shumë të rëndë në mes të kryeministrit Thaçi dhe ambasadorit Peci”, tha ministri Hoxhaj.

Ndërsa ministri Hoxhaj ka shprehur gatishmëri që të diskutojë me kryetarin Kurti lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, edhe në rrethana tjera.
 
“Sa i takon dialogut mua me keni në dispozicion qoftë si kryetar i komisionit, qoftë si kryetar i Vetëvendosjes që në baza të caktuara të vij dhe të ju informoj, sikurse i kam informuar edhe liderët e të gjitha partive politike”,  është shprehur Hoxhaj.

Hoxhaj ka prezantuar prioritetet  aktuale të Ministrisë së Punëve të Jashtme, që sipas tij janë shitimi i numrit të njohjeve për Kosovën, fuqizimi i pozitës ndërkombëtare të Kosovës, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, agjenda  integruese europiane dhe agjenda euroatlantike e Kosovës.

Gjatë vizitave të tij jashtë shtetit në gjashtë muajt e fundit, Hoxhaj ka thënë se ka pasur kontakte të vazhdueshme me përfaqësues të vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën, duke veçuar vizitën e tij në Vatikan.

Hoxhaj e ka quajtur sukses për vendin, anëtarësimin në Bankën për Zhvillim të Këshillit të Europës, si dhe anëtarësimin në 16 organizata ndërkombëtare. Ai po ashtu ka theksuar synimet dhe përkushtimin për anëtarësim të vendit në Këshill të Europës.

Ministri  ka konfirmuar njohjen e Republikës së Kosovës deri tani nga 101 vende. 

Hoxhaj qëndrimet e përfaqësuesve  të Greqisë, Sllovakisë e të Rumanisë për vendin tonë i ka quajtur qëndrime më liberale, sesa opinionet publike të tyre.
 
Me kërkesën e kryetarit Kurti, Hoxhaj ka sqaruar se pse Mali nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës si dhe pse nga Nigeria dhe Uganda ende nuk ka njohje zyrtare, por që sipas tij pritet të japin sqarime.

“Unë s’e përjashtoj mundësinë që edhe ne si ministri shpeshherë keqkuptohemi, është komunikim ndërkombëtar dhe është komunikim me shtete të cilat nuk e çojnë telefonin, nuk reagojnë në i-maile dhe nuk kanë fare kulturë të komunikimit ditor sistematik” tha ai.