Gjyqtari e Mori Vendimin në Pompë Benzine

(E plotësuar)

Miodrag Paviq, gjyqtar i Gjykatës Komunale në Gjilan, është arrestuar në flagrancë nga Policia e Kosovës, pasi ka pranuar ryshfet nga një qytetar.

Gjyqtari Miodrag Paviq është prangosur në restorantin/pikë e derivateve të naftës “Ferizi Petrol”, në dalje të Gjilanit, të mërkurën rreth orës 10:30, ka konfirmuar për Gazetën Jeta në Kosovë, një burim nga Policia e Kosovës.

Gjyqtari është kapur në flagrancë, në kohën kur duhej të ishte në orar të punës.

Atij i janë gjetur në xhep 1 200 franga zvicerane, të cilat ia kishte dhënë pak më parë një qytetar nga fshati Pasjan, për të vendosur në favor të tij, një çështje gjyqësore. Pas bastisjes së shtëpisë, gjyqtarit i janë gjetur edhe 1 200 franga të tjera.

Kurse në xhepin e qytetarit, është gjetur vendimi i gjykatës. Gazeta merr vesh bëhet fjalë një vendim me të cilin i lejohet kujdestaria e fëmijëve këtij qytetari të përkatësisë serbe, nga fshati Pasjan. Ai ndodhet me banim në Zvicër.

Një zyrtar i policisë, i cili foli në kushte anonimiteti, tregoi se rasti për marrje ryshfeti është simuluar. “Paratë e dhëna nga qytetari i janë gjetur gjyqtarit në xhep, pas arrestimit”.

Kryetari i Gjykatës Komunale në Gjilan, Ramiz Azizi, i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, konfirmoi se është në dijeni për arrestimin e vartësit të tij.

“Por, nuk kam informata zyrtare për rastin dhe në lidhje me çka ai dyshohet”, tha Azizi.

Paviqit po intervistohet nga hetuesit policorë dhe pritet t’i shqiptohet masa e ndalimit policor prej 48-orësh.
 
“Të gjitha procedurat ligjore janë respektuar”, tha burimi nga policia, i pyetur nëse është marrë leje nga prokurori për simulimin e rastit të ryshfetit.

Miodrag Paviq, i përkatësisë etnike serbe, ka punuar prej vitit 2005 deri më 2010 si gjyqtar i çështjeve civile. Prej vitit 2010, kur ai nuk ka mundur ta kalojë testin e etikës, deri më 2012 ka punuar si bashkëpunëtor profesional.

Ndërsa më 2012, ai është dekretuar sërish nga presidentja Atifete Jahjaga si gjyqtar për çështje civile.