Sheshi para Qeverise dhe Kuvendit të Kosovës - FOTO: KALLXO

Gjykata Kushtetuese i bën publike pretendimet e palëve për masën e përkohshme për Dekretin e Thaçit

Më 2 maj, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte pezulluar deri më 29 maj, dekretin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që parashihte votimin në Kuvendin e Kosovës për kryeministër, Avdullah Hotin nga LDK. Gjykata Kushtetuese ka publikuar vendimin me të gjitha pretendimet e palëve lidhur me vendosjen e masës së përkohshme për Dekretin e presidentit Hashim Thaçit, për mandatarin e qeverisë nga LDK, Avdullah Hoti.

Këtë dekret e kishte dërguar në Kushtetuese, ish-partneri qeverisës i LDK-së, Lëvizja Vetëvendosje, duke kërkuar sqarim nga kjo gjykatë nëse dekreti i Thaçit për formimin e Qeverisë së re, është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Pasi e kishte dorëzuar LVV këtë kërkesë, me 1 maj 2020, brenda afatit të përcaktuar, Gjykata ka pranuar komente lidhur me masën e përkohshme nga: Presidenti, Kryetarja e Kuvendit, Kryeministri, Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputeti Arban Abrashi dhe deputeti Shkëmb Manaj.

Pas një jave që Gjykata e pezulloi këtë dekret, ka publikuar edhe vendimin e saj.

Cilat ishin pretendimet e LVV-së?

Lëvizja Vetëvendosje në kërkesën për pezullim të dekretit ka pretenduar se dekreti i kontestuar i Presidentit nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit], paragrafin 14 të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit] si dhe nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës.

Tutje LVV në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese ka thënë se masa e perkohshme është në interesin publik, sepse një veprim i Kuvendit bazuar në dekretin kundër kushtetues të Presidentit do t’i shkaktonte dëm atyre.

“Qeveria që do të votohej bazuar në këtë dekret do të merrte vendime që prekin interesin publik të cilat pastaj do të shpalleshin nule nëse vetë dekreti është jo- kushtetues; b) Qeveria do të duhej të shfrytëzonte resurset publike/buxhetin, shfrytëzim ky që do të ishte i kundërligjshem; c) Qeveria do të mund të ndërmerrte veprime dhe masa që prekin të drejtat kushtetuese të qytetarëve, shkaku i pandemisë”, është thënë në kërkesën e tyre.

“Nëse me skenarin që votohet qeveria bazuar në kete dekret nr. 24/2020 dhe pas një-dy apo tre muajsh p.sh shpallet jo kushtetuese zgjedhja e Qeverisë, nga ai moment ajo qeveri duhet të ndërprejë çdo veprimtari. Në atë situatë, asnjë Qeveri nuk do të ishte në detyrë, e Kosova nuk mund të ngelë deri në zgjedhje të reja edhe pa Qeveri kujdestare, prandaj eshte e domosdoshme që para votimit të Qeverisë, të dihet përputhshmëria me Kushtetutën e asaj procedure”, thuhet në ankesën e LVV-së, duke potencuar më tej, implikimet e mundshme ekonomike, ndërkombëtare si dhe dëmtimin e interesit publik.

Cilat ishin komentet e presidentit?

Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi më 1 maj, në komentet drejtuar Gjykatës kishte kërkuar që të refuzohet kjo kërkesë për masë të përkohshme.

“Kërkesa e parashtrueseve lidhur me vendosjen e masës së përkohshme nuk i plotëson kushtet e para para ligjore për vendosjen e masës së përkohshme, përkatësisht parashtruesit nuk kanë treguar se rasti është ‘prima facie’ i pranueshëm, nuk kanë dëshmuar se me zbatimin e aktit të kontestuar do të pësojë dëme të pariparueshme dhe nëse vendosja e masës së përkohshme do të ishte me interes publik”, kishte thënë ai.

Ai kishte thënë se kërkesa e LVV nuk ofron argumente që dëshmojnë se Dekreti i kontestuar nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën.

Po ashtu theksoi se formimi i një qeverie që ka legjitimitetin për të marrë vendime të rëndësishme për qeverisjen e vendit, do të ishte në interesin publik.

“Duke marrë për baze masat që duhet ndërmarrë me urgjencë lidhur me pandeminë COVID-19 por edhe duke marrë për bazë faktin që në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, vetëm një Qeveri me legjitimitet nga Kuvendi, mund t’i përfaqësoj interesat e Republikës së Kosoves brenda dhe jashtë vendit”, kishte shtuar presidenti në komentet e tij drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Komentet e kryeparlamentares Vjosa Osmani

Në lidhje me këtë çështje komente në Gjykatën Kushtetuese ka dorëzuar edhe kryeparlamentarja, Vjosa Osmani.

Ajo ka arsyetuar mes tjerash se masa e përkohshme është e nevojshme duke pasur parasysh kompleksitetin e procedurës kushtetuese për formimin e qeverisë dhe paqartësive mbi këtë procedurë.

“Vetëm në këtë mënyrë do të garantohet që Kuvendi i Kosovës, si institucioni me i lartë në sistemin tonë politik, nuk do të marrë vendime që mund të rezultojnë kundër kushtetuese, e që për pasojë do të dëmtonin rëndë besimin e publikut dhe vetë integritetin e këtij institucioni”, kishte thënë ajo.

Komentet e kryeministrit në detyre, Albin Kurti

Ndërsa, kryeministri në detyrë, Albin Kurti në përgjigjen e tij, lidhur me kërkesën për masë të përkohshme, theksoi se Qeveria vlerëson se Gjykata duhet të aprovojë masën e përkohshme, pasi janë plotësuar kriteret ligjore.

“Pasi parashtruesit kanë dëshmuar se rasti është ‘prima facie’ i pranueshëm, dhe gjithashtu, kanë dëshmuar se vendosja e masës së përkohshme është në interesin publik dhe i shërben administrimit të drejtësisë, respektivisht administrimit të rastit pa presion kohor”, kishte thënë Kurti.

Kryeministri shtoi më tej se masat e përkohshme janë vendosur gjithmonë nga Gjykata në rastet kur para saj janë kontestuar pozitat kryesore të institucioneve shtetërore.

Përgjigja e LDK-së

Ndërsa, Grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosoves në përgjigjen e tyre theksuan se sipas tyre, nuk janë plotësuar kushtet ligjore për vendosjen e masës së përkohshme.

“Nuk është e nevojshme vendosja e masës së përkohshme pasi sipas praktikës së Gjykatës edhe nëse akti i kontestuar do të shpallej jo-kushtetues, atëherë Gjykata do të mund të vendoste se efekti i vendimit do të ishte për të ardhmen dhe nuk do të kishte efekt prapaveprues”, thuhet në komentet e tyre.

Komentet e tjera dhe vendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese mund t`i lexoni këtu.

Lidhja Demokratike e Kosovës pavarësisht vendimit të Gjykatës, është duke zhvilluar takime me AAK-në dhe Nismën për harmonizimin e plaprogramit qeverisës, ku janë shprehur edhe të sigurt se Gjykata do të dal në favor të LDK-së.

“Besoj që Gjykata Kushtetuese do të dal në favor, besoj që po. Vet sistemi ynë paralamentar tregon se ai që e ka shumicën e ndërton qeverinë, prandaj duke marrë parasysh rrethanat politke dhe nuk dëshirojmë të humbim kohë”, kishte thënë deputeti i kësaj partie më 4 maj. 

Kjo iniciativë për formimin e Qeverisë së re ka ardhur pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti më 25 mars.

LDK-ja e cila ishte edhe partnere e këtij koalicioni kishte iniciuar mocion për shkak të mospajtimeve për tarifën si ndaj mallrave serbe dhe boshnjake dhe shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu.