Gjykatësit e Kushtetueses aktgjykimin e bazuan edhe në vendimin e kolegëve nga Moldavia, të cilët më pas dhanë dorëheqje

Gjykata Kushtetuese në vendimin e datës 28 maj 2020 shpalli se dekreti i kontestuar i presidentit Hashim Thaçi është në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën.

Me anë të këtij vendimi Gjykata Kushtetuese i hapi rrugë formimit të Qeverisë Hoti, duke e gjetur kështu kushtetues dekretin e presidentit Thaçi, me të cilin Avdullah Hoti nga LDK i propozohej Kuvendit të Kosovës si kandidat për kryeministër, për të formuar Qeverinë e re.

Në arsyetimin e këtij aktgjykimi, Gjykata Kushtetuese ka përmendur faktin se ka bërë edhe një analizë krahasimore në mes të kushtetutave të shteteve të ndryshme me qëllim të krahasimit të mënyrës se si këto vende e rregullojnë situatën e krijuar pas një mocioni të suksesshëm të mosbesimit.

Lëvizja Vetëvendosje përmes kërkesës dhe komenteve të dorëzuara në Gjykatë u ishte referuar kushtetutave të Kroacisë, Sllovenisë, Gjermanisë, Greqisë, Serbisë, Shqipërisë dhe Kornizës Kushtetuese, ndërsa në anën tjetër, presidenti Thaçi u ishte referuar kushtetutave të Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Austrisë.

Përpos kushtetutave të përmendura nga kryeministri në detyrë dhe Presidenti, Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e saj ka analizuar edhe një numër të Kushtetutave të shteteve të tjera.

Përpos analizës krahasimore, Gjykata Kushtetuese i ishte drejtuar edhe Komisionit të Venecias, anëtareve të së cilës u kishte drejtuar pyetje lidhur me mocionin e mosbesimit dhe shpërndarjen e Kuvendeve në rastet e shteteve të ndryshme.

Lidhur me pyetjet e adresuara, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte pranuar përgjigje nga Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Austria, Suedia, Lihtenshtajni, Çekia, Sllovakia, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Afrika e Jugut, Moldavia dhe Brazili.

Ndër përgjigjet e këtyre shteteve, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendimin  saj e kishte bazuar edhe në përgjigjen e pranuar nga shteti i Moldavisë, të cilët kishin deklaruar se sipas tyre pas mocionit të mosbesimit është i mundur formimi i një qeverie të re brenda legjislaturës së njëjtë.

Ndër të tjera Gjykata Kushtetuese ishte bazuar edhe në opinionet e mëhershme të Komisionit të Venecias dhënë shteteve të ndryshme, opinione këto të cilat analizojnë çështje që ndërlidhen me kompetencat e Presidentit për shpërndarjen e Kuvendit.

Në mesin e këtyre  gjashtë opinioneve, Gjykata ka përmendur edhe tre opinione të Komisionit të Venecias të cilat ishin dhënë për shtetin e Moldavisë.

Në mesin e këtyre opinioneve, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendimin e saj e ka bazuar edhe në opinionin e vitit 2019 dhënë shtetit të Moldavisë, me ç ‘rast Komisioni i Venecias kishte analizuar nenin 85.1 të Kushtetutës së Moldavisë rreth mundësisë së Presidentit për të shpërndarë Kuvendin dhe konsultimet para shpërndarjes. Dispozita për të cilën ishte kërkuar specifikisht interpretimi kishte qenë dispozita e cila përmbante foljen “mund” apo në gjuhën angleze “may”.

Sa i përket formulimit të dispozitës që Presidenti “mund” dhe “do të” shpërndajë parlamentin, sipas Gjykatës Kushtetuese, Komisioni i Venecias kishte theksuar se dallimi midis fjalës “mund” dhe “do të”, i siguron Presidentit liri veprimi, gjë që e lë në diskrecionin e tij shpërndarjen apo jo të Kuvendit, duke pasur parasysh përherë rrethanat e situatës momentale.

Në rastin e Moldavisë, Komisioni i Venecias kishte dhënë opinionin se para shpërndarjes së Kuvendit, detyra e Presidentit është që të ketë konsultime me partitë e tjera parlamentare, duke u parë kjo si mjet për shterimin e të gjitha mundësive për formimin e qeverisë së re me qëllim të zgjidhjes së krizës kushtetuese të shkaktuar nga pamundësia e formimit të një qeverie ose bllokimi i legjislacionit. Komisioni kishte dhënë opinionin se vetëm atëherë kur nuk ekziston asnjë mjet tjetër, atëherë shpërndarja e Parlamentit madje mund të konsiderohej si një detyrim kushtetues i Presidentit.

E pikërisht lidhur me këtë opinion të Komisionit të Venecias e më pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Moldavisë, vitin e kaluar të gjashtë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Moldavisë kishin dhënë dorëheqje.

Dorëheqja e gjyqtarëve erdhi pas thirrjeve për dorëheqjen e  tyre, e e gjithë kjo për shkak të vendimit të 7 qershorit të vitit 2019, me anë të të cilit gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese kishin marrë vendim për shpërbërjen e parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Që prej mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare tw shkurtit, Moldavia kishte qenë në zhurmën e një krize marramendëse politike.

Me 8 qershor 2019, gjatë një seance të jashtëzakonshme, Partia Socialiste pro-Ruse dhe partia ACUM pro-BE ishin bërë bashkë për të formuar një koalicion, duke zgjedhur Maia Sandu si mandataren për udhëheqjen e qeverisë së re.

Mirëpo legjitimitetin e një seancë të tillë e kishte vënë në pikëpyetje Ish kabineti, i dominuar nga Partia Demokratike (PDM).

Mendim të tillë më pas kishte ndarë edhe Gjykata Kushtetuese, e cila me 9 qershor 2019 e kishte shpallur si jo kushtetuese qeverinë e re nën udhëheqjen e Maia Sandu, me ç ‘rast kështu kishte pezulluar edhe pozitën e Presidentit miqësor të Moskës Dodon, ish-liderin e Partisë Socialiste.

Vendin e të cilit më pas e kishte zënë Pavel Filip, i cili i mbështetur nga Partia Demokratike ishe emëruar president i përkohshëm, me ç ‘rast e kishe shpërndarë menjëherë parlamentin dhe kishte bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme.

Të pakënaqur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Partia Socialiste pro-Ruse dhe partia ACUM pro-BE, kishin vazhduar me këmbëngulje që të kërkonin pushtetin të cilin pretendonin që u takonte.

Pas presionit të vazhdueshëm qeveria nën udhëheqjen e Pavel Filip ishte detyruar që të jap dorëheqje dhe Gjykata Kushtetuese më pas e kishte anuluar vendimet e saj që fillimisht kundërshtonte legjitimitetin e koalicionit në mes të Partisë Socialiste pro-Ruse dhe partisë ACUM pro-BE, nën udhëheqjen e Maia Sandu si mandatare për udhëheqjen e kësaj qeverie të re.

Më këtë rast i ishte hapur rrugë koalicionit të qeverisë së Partisë Socialiste pro-Ruse dhe partisë ACUM pro-BE për krijimin e qeverisë së re.

Deri tek vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që i dha dritën jeshile formimit të qeverisë së re LDK-AAK-NISMA, me kandidat për kryeministër Avdullah Hoti, erdhi pas situatës së krijuar pas votimit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti të datës 25 mars 2020.

Ky mocion i iniciuar nga vetë  partneri i koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës, gjeti mbështetjen e më shumë se 2/3 të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Pas rrëzimit të Qeverisë, presidenti i vendit duke pretenduar në zgjidhje dhe daljen nga situata e krijuar, disa herë dërgoi letra në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje duke kërkuar emrin e mandatarit të ri të Qeverisë ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje përgjigja ishte se prioritet është menaxhimi i pandemisë, por assesi nuk refuzuan mandatin, ndërsa gjithashtu kërkuan edhe sqarime nga Presidenti Thaçi mbi bazën kushtetuese juridike të letrës së tij duke kërkuar thirrjen precize në cilin paragraf të nenit 95 është thirrur.

Pas, kësaj, më datë 22 prill, presidenti Thaçi mbajti takimin me përfaqësuesit e partive politike, ku me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje, të gjithë u deklaruan se janë për forimimin e një qeverie të re dhe jo për zgjedhje, kjo edhe për shkak të gjendjes emergjente të pandemisë.

Pas, kësaj, më datë 30 prill, Thaçi dekretoi Avdullah Hotin si mandatar për formimin e qeverisë së re LDK-AAK-NISMA, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje iu drejtua Gjykatës Kushtetuese e cila dy ditë më pas pezulloi dekretin e Thaçit deri në vendosjen meritore të rastit.

Në ndërkohë, veç ishte ftuar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për datën 2 maj 2020.

Pretendimet e Lëvizjes Vetëvendosjes ishin se presidenti Thaçi nuk ka mundur ta konsiderojë si refuzim përgjigjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe gjithashtu nuk ka mundur të përcaktoj afat brenda të cilit duhet të përgjigjet Lëvizja Vetëvendosje, e po ashtu, se ka tejkaluar autorizimet dhe përgjegjësitë e tij duke marrë iniciativën për formimin e qeverisë së re, pasi që sipas tyre, votimi i mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, sipas nenit 82 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka për pasojë shpërbërjen e Kuvendit dhe çuarjen e vendit drejt zgjedhjeve të reja.

Po ashtu, duke u referuar edhe në aktgjykimin e vitit 2014,  Lëvizja Vetëvendosje kishte kërkuar që Gjykata Kushtetuese të gjejë në kundërshtim me Kushtetutën Dekretin e presidentit Thaçi për t’i dhënë të drejtën formimit të Qeverisë së Avdullah Hotit.

Në anën tjetër, ishte pretendimi i presidentit Thaçi dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, se Lëvizja Vetëvendosje e ka refuzuar të drejtën e formimit të Qeverisë duke i dhënë të drejtën kështu partisë me rezultatin e dytë në zgjedhje, ta formojë Qeverinë.