LVV kërkon nga Gjykata Kushtetuese transkriptet dhe procesverbalet e mbledhjes për dekretin

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që të pajiset me procesverbalet dhe transkriptet e Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër, pas dyshimeve se aktvendimi është falsifikuar.

Sipas njoftimit në Facebook, këtë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese e ka bërë shefi i grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi, duke shtuar se e gjitha kjo është bërë për hir të transparencës ndaj publikut.

“Marrë parasysh rëndësinë dhe ndikimin e madh për rendin kushtetues dhe demokracinë në vendin tonë, domosdoshmërinë për pasqyruar gjithë procesin e shqyrtimit dhe të vendosjes nga ana e Gjykatës Kushtetuese për dekretin antikushtetues të presidentit, sot Kryetari i Grupit Parlamentar i Lëvizjes VETËVEDOSJE! Z. Rexhep Selimi ka kërkuar nga Gjykata që në përputhje me përgjegjësinë për të qenë e hapur dhe transparente për publikun, e veçanërisht për palët, që në afat sa më të shpejtë dhe në format autentik të na ofrojë të gjitha dokumentet, duke përfshirë edhe procesverbalet dhe transkriptet që pasqyrojnë procesin e shqyrtimit dhe të marrjes së vendimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese për rastin KO72/20”, thuhet në njoftimin  në facebook.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është vendosur mbi vetë Kushtetutën për të arsyetuar presidentin.

“Dekreti antikushtetues i Presidentit nuk mund të justifikohet përmes Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ashtu sikurse aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është vënë mbi Kushtetutën për ta arsyetuar Presidentin. Andaj si palë në këtë rast, kërkojmë të njihemi me dokumentet që dëshmojnë se mbi cfarë baze është argumentuar ajo që nuk mund të argumentohej në dritën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet tuje në njoftim.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin për dekretin e presidentit Hashim Thaçi përmes së tilit mandatoi Avdullah Hotin e LDK-së për formimin e qeverisë së re.

Në dokument arsyetohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese përmes së cilës iu dha e drejta e formimit të qeverisë, Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti kjo e cila kishte dalë e dyta në zgjedhjet e fundit parlamentare të 6 tetorit të vitit të kaluar.

Ndërsa Zëvendëskryeministri në detyrë, Haki Abazi, përmes një postimi në ‘Facebook’ ka shkruar se aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit Thaçi, për mandatarin për kryeministër, Avdullah Hoti, është i falsifikuar.

Abazi ka shkruar se rigjykimi është më e pakta që duhet të ndodhë.

“Jeni duke e testuar fundin e durimit dhe tolerancës, njoftimi i Gjykatës Kushtetuese është skandaloz e antikushtetues, ndërsa aktvendimi është i falsifikuar – rigjykimi është më e pakta që duhet të ndodhë”, ka shkruar Abazi në ‘Facebook’.

Kushtetuesja publikon vendimin për dekretin e Thaçit