Zyra e Kryeministrit: Gjykata Kushtetuese bie në kundërshtim me vetveten

Zyra e Kryeministrit Albin Kurti ka reaguar pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit Hashim Thaçi.

Në komunikatën e lëshuar për media, ZKM ka thënë se Gjykata Kushtetuese nuk e ka paraqitur përmbajtën e saktë të punës së Komisionit Kushtetues.

“Gjykata Kushtetuese sot publikoi Aktgjykimin e plotë në rastin nr. KO 72/20. Duke marrë parasysh se edhe ne kemi pasur në posedim një kopje të dokumenteve përgatitore të Kushtetutës konstatojmë me përgjegjësi se Gjykata nuk ka paraqitur përmbajtjen e saktë të punës së Komisionit Kushtetues. Ky Komision shprehimisht kishte refuzuar propozimin që pas mocionit të mosbesimit të formohet një Qeveri e re”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje në këtë komunikatë zyra e kryeministrit ka theksuar se ‘Gjykata ndër të tjera ka paraqitur në mënyrë të shtrembëruar faktet rreth shpërndarjes automatike të Kuvendit pas mocioneve të mosbesimit në vitet 2010 dhe 2017’.

Po ashtu në këtë reagim ata kanë theksuar se krahasimi i Kosovës me Moldavinë dhe Turqinë nuk është relevant për rastin në fjalë.

“Gjykata po ashtu ju referohet opinioneve të Komisionit të Venedikut përkitazi me rregullimet kushtetuese të shteteve tjera. Këto rregullime kushtetuese dallojnë thelbësisht nga rendi kushtetues i Kosovës dhe si të tilla nuk kanë asnjë relevancë për çështjen në shqyrtim. Sistemi kushtetues i Kosovës nuk ka ngjashmëri as me Moldavinë dhe as me Turqinë, e aq më pak me Mbretërinë e Bashkuar e cila ka një sistem rregullativ që bie në të drejtën zakonore”, thuhet në aty.

Sipas tyre Gjykata shtrembëron përmbajtën edhe kur konstaton se presidenti nuk është i detyruar të konsultoj partinë e parë.

“Gjykata po ashtu shtrembëron përmbajtjen e Aktgjykimit KO 103/14, në të cilin shprehimisht është theksuar nga Gjykata se Presidenti konsultohet vetëm me partinë politike apo koalicionin që ka fituar shumicën, qoftë relative apo absolute. Ndërkaq ajo që Gjykata thotë tani është se në frymën e atij aktgjykimi Presidenti nuk është i detyruar të konsultojë vetëm partinë e pare”, thuhet tutje aty.

Në reagimin e zyrës së kryeministrit, poashtu thuhet se Gjykata Kushtetuese ka kundërthënie edhe në arsyetimin e neneve të Kushtetutës, procedurës së ndjekur nga Presidenti dhe kompetencave të tij në këtë fazë, paraqitjes së shtrembëruar të përgjigjeve të fituesit të zgjedhjeve, por edhe në vet dispozitivin e saj.

“Gjykata është kundërthënëse edhe në dispozitivin e saj. Përderisa në arsyetimin e aktgjykimit (tek përfundimet) ajo thekson se gjyqtarët me shumicë kanë votuar për përputhshmërinë e dekretit të Presidentit me “… paragrafin 4 të neni 95 të Kushtetutës”, në dispozivitin e aktgjykimit është fshirë paragrafi 4. Ky nuk mund të jetë një lëshim teknik apo riformulim gjuhësor, por është paraqitje kundërthënëse e vendimit që kanë marrë gjyqtarët. Ata ose kanë votuar për nenin 95 të Kushtetutës në tërësinë e tij ose për paragrafin 4 të nenit 95”, thuhet tutje në reagim.

Tutje nga zyra e kryeministrit kanë bërë të ditur se janë duke përgatitur një analizë më të gjerë për aktvendimin e Kushtetueses.

“Këshilltarët tanë ligjorë bashkë me ekspertë të fushës janë duke përgatitur një analizë të detajuar në lidhje me komplet aktgjykimin. Kjo analizë do të publikohet vetëm për të sqaruar absurditetin e këtij vendimi të cilin nuk mund ta pranojmë. Kjo ka qenë një çështje kushtetuese tepër e thjeshtë. As 162 mijë faqe interpretimesh të shpikura, lëre më 162 faqe, nuk mund ta fshehin këtë fakt”, thuhet aty.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin për dekretin e presidentit Hashim Thaçi përmes së cilit mandatoi Avdullah Hotin e LDK-së për formimin e qeverisë së re.

Në dokument arsyetohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese përmes së cilës iu dha e drejta e formimit të qeverisë, Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti kjo e cila kishte dalë e dyta në zgjedhjet e fundit parlamentare të 6 tetorit të vitit të kaluar.

Ndërsa Zëvendëskryeministri në detyrë, Haki Abazi, përmes një postimi në ‘Facebook’ ka shkruar se aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit Thaçi, për mandatarin për kryeministër, Avdullah Hoti, është i falsifikuar.

Abazi ka shkruar se rigjykimi është më e pakta që duhet të ndodhë.

“Jeni duke e testuar fundin e durimit dhe tolerancës, njoftimi i Gjykatës Kushtetuese është skandaloz e antikushtetues, ndërsa aktvendimi është i falsifikuar – rigjykimi është më e pakta që duhet të ndodhë”, ka shkruar Abazi në ‘Facebook’.