Vetëvendosje nesër organizon ‘provën për protestë’ me deri 5000 persona

Lëvizja Vetëvendosje pritet që nesër në ora 17 të mbajë provën e dytë për protestë, nëse Gjykata Kushtetuese vendos në favor të presidentit Thaçi për dekretin për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka i cili ka thënë që në këtë provë pritet të jenë deri 5000 persona.

“Në vazhdimësi gjatë kësaj kohe kemi pasur kërkesa e interesim të shumtë të qytetarëve për të protestuar në lidhje me zhvillimet në vend. Pas realizimit të suksesshëm të provës së parë nga qytetarë e aktivistë ne kemi menduar të realizojmë testin e dytë por në përmasa më të mëdha. Pra, kjo sigurisht se nuk është një protestë, por një performancë me 3500 deri në 5000 persona”, tha Manxhuka.

Më 12 maj një grup i qytetarëve përkundër masave ndaj COVID-19 kishte mbajtur një provë për protestë. Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pranuar se qëndron mbrapa këtij organizimi.