Gishti që Kushton 17 Mijë Euro (TV)

Këtë vendim e ka marrë Gjykata Themelore në Gjilan më 17 prill të këtij viti, ndërsa pala e akuzuar ka paralajmëruar ankesë.

Feriz Krasniqi në vitin 2004 filloi të ketë probleme në lëvizjen e gishtit dhe për këtë ai  kishte shkuar në spitalin e Gjilanit për një kontroll të gishtit.

Ferizi tregon se kur ka arritur në spital ka takuar mjekun Hafiz Ahmeti i cili i i ka premtuar se brenda javës ai do të mund të vazhdonte punën.

Të nesërmen Ferizi  ishte paraqitur në spital dhe sipas tij ishte futur në operacion pa analiza dhe pa asnjë incizim.

Disa ditë pas operacionit Ferizit kishte filluar t’i djegë edhe këmba dhe, sipas tij, kjo kishte lidhje me gishtin e dorës.

“Edhe pas ndërprerjes së injeksioneve kam pasur dhimbje të mëdha dhe pas kësaj kam kërkuar nga mjeku Hafiz Ahmeti të më japë një udhëzim për në Prishtinë”, thotë Feriz Krasniqi.

Në Prishtinë ai kishte bërë një muaj fizioterapi.

“Pas një muaji terapi gishti u mbledh i tëri dhe kisha dhimbje të mëdha”, tregon ai.

Pasi që nuk kishte pasur sukses as në Prishtinë, Krasniqi ishte kthyer te mjeku Hafiz Ahmeti.

“Ai më ka thënë timen e kam kryer dhe mos hajde më te unë“.

Krasniqi thotë se në Ministrin e Shëndetësisë i kishin kërkuar një vërtetim nga spitali se nuk ka shërim në Kosovë dhe se pastaj MSH do të ia bënte qarën.

“Por mjekët tanë nuk më kanë lëshuar këtë lloj dokumenti” .

Feriz Krasniqit ia ndalen dhimbjet disa mjekë të huaj që kishin ardhur në QKUK. Ata ia kishin amputuar gishtin.

Për nëntë vjet nëpër gjykata Feriz Krasniqi ka fituar tri herë në tri aktgjykime të ndryshme.  Por lënda ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme.

Ai me nostalgji e shikon një fotografi kur në Gjilan kishte punuar në një furrë për terjen e mishit dhe suxhukut .

“Që nga atëherë jam pa punë, veç me pension”, thotë Krasniqi .

Mjeku Akuzon Pacientin për Mosdisiplinë

Ndërsa Mjeku Hafiz Ahmeti thotë se pacientit Krasniqi që në fillim ia ka tërhequr vërejtjen për pasojat e mundshme.

“Unë vetëm nyjet i kam liruar.  Te këto lloj sëmundje prognoza është shumë e keqe, ndërsa te ky pacient dështimi ka qenë i 100 për qind, sepse ka ardhur në stadin e fundit – të katërt të përparimit të sëmundjes”, thotë Ahmeti.

Pacienti Feriz Krasniqi ka qenë i padisiplinuar sipas mjekut, sepse menjëherë e ka lëshuar spitalin dhe kontrollet nuk i ka bërë me rregull.

“Gipsin është dashur ta mbajë së paku 4 javë, ai e ka hequr të nesërmen”, shprehet Hafiz Ahmeti.

Ai thotë se amputimi ka mundur të bëhet edhe ne Gjilan.

“Ne edhe në emergjencë e bëjmë amputimin e gishtit dhe është një prej operacioneve më të lehta dhe pa rrezik”, thotë mjeku.

Mjeku Ahmeti tregon se sa i përket ekspertizës nuk është kompetent mjeku ligjor që të bëjë vlerësime se sa është i dëmtuar gishti.

“Mjeku ligjor mund të bëjë obduksion të kufomave”, thotë ai.

Hazir Haziri, përfaqsues i spitalit te Gjilanit, tha se mjeku e ka kryer punën në rregull .

“Këtë e ka vërtetuar edhe kolegji i mjekëve ortoped në Gjilan, ku kanë konstatuar se si shkak i pasojave pas operimit të pacientit Feriz Krasniqi, ka qenë mos disiplina dhe mos përmbajtja e udhëzimeve të mjekut”, tha Haziri.

Ai thotë se do ta kontestojnë aktgjykim e shkallës së parë. 

“Por nëse vërtetohet dhe bëhet i plotfuqishëm ky aktgjykim ne do ta ekzekutojmë, ndërsa ndaj punëtorit do të kërkojmë refundimin e atyre mjeteve për gabimin e mundshëm eventual”, tha Hazir Haziri.

Haziri  shpreson se në fund do të triumfojë drejtësia “e jo gjynahu”.

Historiku i Gjykimit të Gishtit

Padia për kompensim dëmi ishte paraqitur në gjykatën komunale në Gjilan në vitin 2004 .

Në vitin 2006 kjo gjykatë e kishte aprovuar kërkesëpadinë duke e zhdëmtuar Ferizin në shumën prej 18.000 eurove, por ky vendim ishte prishur pas ankesës së spitalit të Gjilanit.

Në vitin 2008 po nga gjykata komunale i aprovohet kërkesëpadia në vlerë prej 18.000 eurove dhe një gjë e tillë vërtetohet edhe nga gjykata e qarkut në Gjilan .

Ndërsa spitali i Gjilanit duke i shfrytëzuar mjetet e jashtëzakonshme juridike bën kërkesë për revizion në gjykatën supreme, e cila e prish aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Gjilan dhe lëndën e kthen në rigjykim.

Pas rigjykimit gjykata themelore në Gjilan me datë 17 prill 2013 e aprovon kërkesëpadinë e Feriz Krasniqit duke e zhdëmtuar në shumën prej 17.000 eurove, një mijë euro më pak se në dy aktgjykimet e para.

Enver Halili avokati i të dëmtuarit mendon se ky aktgjykim do të vërtetohet nga shkalla e dytë, sepse, sipas tij, janë plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga Gjykata Supreme.