Ilustrim

Një vjet pa bord, mbi 200 milionë euro investime të bllokuara në OSHP

Kanë kaluar një vjet që kur Organi Shqyrtues i Prokurimit i njohur si Gjykata e Tenderëve ka mbetur pa bord. Në mungesë të bordit janë grumbulluar 704 ankesa të kompanive kundër institucioneve, që kërkojnë zgjidhje në OSHP. Derisa vlera e projekteve të cilat janë bllokuar në OSHP ka shkuar mbi 200 milionë euro për shkak të mungesës së bordit, organ ky që vendos për ankesat e kompanive. Nga ana tjetër, komunat e Kosovës po e konsiderojnë jetike zgjedhjen e bordit për projektet e tyre kapitale. 

Që nga koha kur OSHP ka mbetur pa bord funksional, është tentuar dy herë të zgjidhen anëtarët e bordit të ri. Për herë të parë, procesi nuk kishte shkuar deri në fund ndërsa për herën e dytë, zgjedhja e anëtarëve të bordit të OSHP-së ka dështuar në Kuvendin e Kosovës. 

Nga konkursi i tretë, Qeveria e Kosovës në fillim të muajit mars i ka propozuar 10 emra Kuvendit të Kosovës. 

Nita Bejta, Milot Spahiu, Arbnor Tmava, Faruk Rexhaj, Dafina Gashi, Kimete Gashi, Vedat Pterqoj, Bujar Lushaku, Batisha Ibrahim dhe Vjosa Gradinaj Mexhuani, janë të propozuarit nga Qeveria e Kosovës.

Tre të parët – Nita Bejta, Milot Spahiu, Arbnor Tmava nuk kanë konkuruar fare në konkursin për përzgjedhjen e kryetarit dhe katër anëtarëve të OSHP-së.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë për KALLXO.com se Qeveria ka respektuar poentimin e bërë nga komisioni vlerësues duke nominuar disa persona të përzgjedhur nga komisioni vlerësues dhe ka shtuar edhe disa të tjerë, sipas diskrecionit të vet.

Kanë kaluar gati një muaj që kur emrat e kandidatëve kanë shkuar në Kuvendin e Kosovës. KALLXO merr vesh se Kuvendi ka kërkuar sqarime për njërin nga kandidatët e propozuar.

Zgjedhja e bordit të OSHP-së konsiderohet jetike për komunat 

Mbi 700 ankesa janë deponuar nga kompanitë në Gjykatën e Tenderëve duke bërë që vlera e ankesave të pashqyrtuara në mungesë të bordit të shkojë mbi 200 milionë euro.

“Numri i ankesave të cilat kanë mbetur pa vendime në mungesë të bordit nga 31 marsi i vitit 2021 është gjithsej 626 ankesa për vitin 2021 si dhe për vitin 2022 janë pranuar edhe 78 ankesa të tjera. Vlera e ankesave të pashqyrtuara sipas vlerës së parashikuar nga Njoftimet për Kontratë e kalon shumën prej 200 milionë euro”, kanë thënë nga OSHP për KALLXO.com. 

Drejtori i Financave në Pejë, Jeton Abazaj, tha se mungesa e bordit ka efekte negative në realizimin e projekteve kapitale. Sipas tij, në Komunën e Pejës gjatë këtij viti kanë pasur pesë projekte në vlerë rreth 1.5 milionë euro që kanë mbetur të bllokuara në OSHP.

Abazaj, i cili është edhe kryesues i drejtorëve të financave në Kolegjiumin e Financave në kuadër të Asociacionit të Komunave theksoi se shumë komuna kanë ngecur në realizimin e projekteve në teren e që sipas tij këtë e vuajnë më së shumti qytetarët.

“Mungesa e bordit të OSHP-së ka qenë kryetemë gjatë takimit të kolegjiumit dhe ka qenë shqetësim për të gjitha komunat pasi që të gjitha janë goditur, disa më pak e disa më shumë por të gjitha kemi pas lëndë në OSHP. Shumë projekte kanë mbetur të pashqyrtuara dhe kanë ngecë. Mosrealizimin e projekteve kapitale në teren e vuajnë më së shumti qytetarët”, tha ai.

Për shkak të mungesës së bordit të OSHP-së, numri i ankesave në këtë organ ka qenë më i vogël krahasuar me vitin 2020, ka thënë Agon Hysaj, hulumtues në KDI.

“Shkaku i mungesës së bordit, ka rënë edhe numri i ankesave krahasuar me vitin 2020. Ka ndikim shumë të madh mungesa e këtij bordi sepse shumë kontrata janë blloku edhe pse disa autoritete nuk e kanë pritur OSHP-në por ka edhe komuna si Prishtina dhe Prizreni që kanë shumë tenderë të bllokuar”, tha ai.

Hysaj shprehu shqetësimin se nga ‘zvarritja’ e procedurave ankimore në OSHP për shkak të mungesës së bordit, mund të ndikojë në projektet e bashkëfinacuara.

“200 milionë euro është vlerë e madhe e projekteve të bllokuara duke marrë parasysh që Kosova shpenzon 600 milionë euro në investime kapitale dhe duhet të llogaritet që 200 milionë i ke të bllokuar. Mund të marrim shembull ndikimin edhe në projektet që janë si bashkëfinancim, mundet më u tërheq bashkëfinancuesi, mundet mos me pas interesim më ose kur buxheti i komunave nuk shpenzohet dhe kthehet përsëri, ai mund të destinohet për diçka tjetër”, shtoi ai.

Komunat në Kosovë duhet të shpenzojmë 75% të buxhetit komunal për të aplikuar në Grantin e Përformancës që është bashkëfinancim në mes Qeverisë së Kosovës dhe donatorëve.

Jeton Abazaj, drejtor i financave në Pejë tha se bllokimi i projekteve në OSHP nga mungesa e bordit mund të ndikojë në shpenzueshmërinë e ulët të buxhetit nga komunat dhe njëkohësisht të mos mund aplikojnë në këtë grant.

“Këtu është problemi se ka edhe efekte të tjera negative nga të cilat goditen komunat. Ne e kemi obligim që të shpenzojmë 75% të buxhetit për investime kapitale që të jemi pjesë e Grandit të Përformancës. Vitin e kaluar nuk e kemi pasur problem, kemi qenë supershpenzues por këtë vit shumë komuna kanë mbet peng i projekteve të bllokuara në OSHP”, tha ai.

Edhe Agon Hysaj nga KDI tha se do të ketë ‘telashe’ për komunat në fund të vitit sa i përket shpenzueshmërisë së buxhetit dhe aplikimit në Grantin e Përformancës.

“Një ndikim tjetër është edhe Granti i Përformancës që e kanë komunat. Ato duhet të mbërrijnë një nivel prej 75% të shpenzueshmërisë për investime kapitale e do t’i ‘qes’ telashe në fund të vitit kur do të bëhet skema e shpërndarjes, shkaku i OSHP-së, shumë komuna nuk kanë me ‘mujt’ me mbërri këtë shpenzim”, tha ai.

Si kishte dështuar votimi i bordit të OShP-së?

Tentativat për ta funksionalizuar bordin ishin bërë me hapjen e konkursit më 26 maj, por në Kuvend më 6 dhjetor përfundimisht dështoi procesi i emërimit të kryetarit dhe anëtarëve të këtij bordi.

Votimi dështoi për dy herë radhazi. Herën e parë dështoi më 23 nëntor për shkak të mungesës së kourimit, ndërsa më 6 dhjetor dështoi emërimi i tyre pasi ishin vetëm dy vota për, 64 kundër dhe një abstenim.

KALLXO.com ka raportuar për dallimet në poentimin e kandidatëve për anëtarë të bordit të OShP-së në mes tre gjyqtarëve vendorë dhe përfaqësueseve të Ambasadës britanike që kanë marrë pjesë në vlerësim.

Asnjë grua nuk është rekomanduar për të qenë pjesë e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit nga komisioni vendor i përbërë nga tre gjyqtarë: Hajriz Hoti nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Nenad Laziq nga Gjykata e Apelit dhe Mejreme Memaj nga Gjykata Supreme.

Për dallim nga gjyqtarët, përfaqësuesit e projektit të Ambasadës së Britanisë që kanë asistuar në këtë projekt, kanë vlerësuar se dy gra i plotësojnë kushtet për të qenë pjesë e bordit të OShP-së, që njihet si Gjykata e Tenderëve. Vjosa Gradinaj-Mexhuani, njëra prej kandidateve të emërueshme, ishte më e poentuara nga ekspertët britanikë në mesin e 20 kandidatëve të intervistuar. Prej britanikëve për anëtare të bordit është rekomanduar edhe kandidatja Shqipe Hoti.

Dallime në poentim kishte edhe te kandidatët e tjerë, gjë që është reflektuar edhe në listat finale të dorëzuara nga dy komisionet vlerësuese që kanë dallime të mëdha.

Pas dështimit të votimit të kandidatëve të propozuar në Kuvendin e Kosovës dhe shpalljes së konkursit tjetër, Ambasada britanike në Kosovë nuk i asistoi Qeverisë së Kosovës në procesin e rekrutimit të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit në dhjetor të vitit të kaluar. 

“Qëndrimi ynë i vazhdueshëm për raste të tilla është se projekti i Ambasadës Britanike nuk do të jetë në gjendje të mbështesë përsëri procesin, në rastet kur rekrutimi ka përfunduar me sukses dhe ka rezultuar me kandidatë që janë të emërueshëm”, thuhej në përgjigjen e Ambasadës britanike për KALLXO.com.

Organi Shqyrtues i Prokurimit është organ i pavarur dhe shqyrton të gjitha ankesat e parashtruara me shkrim nga operatorët ekonomik për proceset e prokurimit.

OShP-ja ka kompetencë, autoritet, pushtet dhe përgjegjësi që të shqyrtojnë ankesat nga palët e interesuara lidhur me shkeljet e mundshme të Autoriteteve Kontraktuese dhe  si rrjedhojë mund të kërkojë nga Autoritetet që aktiviteti i prokurimit të kthehet në ri-vlerësim dhe të kërkojë nga to që të anulohet aktiviteti i prokurimit si dhe të aprovoj vendimin e Autoriteteve Kontraktuese.