Arsyetimi i Qeverisë për propozimin e tre kandidatëve që nuk aplikuan në konkursin e OShP-së
Të mërkurën Qeveria e Kosovës ia propozoi Kuvendit emrat për anëtarë dhe kryetar të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP), por në listën e emrave që iu dërguan institucionit ligjvënës, janë edhe kandidatë që fare nuk kishin marrë pjesë në procedurat e konkursit të shpallur në dhjetor të vitit të kaluar.
Nita Bejta, Milot Spahiu, Arbnor Tmava, Faruk Rexhaj, Dafina Gashi, Kimete Gashi, Vedat Pterqoj, Bujar Lushaku, Batisha Ibrahim dhe Vjosa Gradinaj Mexhuani, janë të propozuarit nga Qeveria e Kosovës.
Tre të parët – Nita Bejta, Milot Spahiu, Arbnor Tmava nuk kanë konkuruar fare në konkursin për përzgjedhjen e kryetarit dhe katër anëtarëve të OShP-së.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu thotë për KALLXO.com se Qeveria ka respektuar poentimin e bërë nga komisioni vlerësues duke nominuar disa persona të përzgjedhur nga komisioni vlerësues dhe ka shtuar edhe disa të tjerë, sipas diskrecionit të vet.
“Ligji për Prokurimin publik përcakton kompetencën e Qeverisë që të nominojë persona për votim në Kuvend, për kryetarin dhe anëtarët e bordit të OShP-së. Për këtë, ne kemi hapur konkurs dhe kemi emëruar komision vlerësues, me qëllim që i njëjti t’i rekomandojë qeverisë persona të kualifikuar, profesional e me integritet për tu emëruar në këtë bord”, thotë ai.
Komisioni vlerësues kishte vendosur që në një kriter mos ta vlerësojnë asnjërin kandidat, pasi kishin konsideruar se niveli profesional është jashtëzakonisht i ulët i kandidatëve.
Kryeziu thotë se në raport të komisionit vlerësues “udhëzon qeverinë të shfrytëzojë diskrecionin e saj të përcaktuar me ligj dhe të nominojë persona për votim në kuvend”.
Historiku i konkursit
Tentativat për ta funksionalizuar bordin e gjykatës së tenderëve ishin bërë me hapjen e konkursit më 26 maj, por në Kuvend më 6 dhjetor përfundimisht dështoi procesi i emërimit të kryetarit dhe anëtarëve të këtij bordi.
Votimi dështoi për dy herë radhazi. Herën e parë dështoi më 23 nëntor për shkak të mungesës së kourimit, ndërsa më 6 dhjetor dështoi emërimi i tyre pasi ishin vetëm dy vota për, 64 kundër dhe një abstenim.
Pasi Kuvendi nuk ia dha dritën e gjelbër kandidatëve për anëtarë të bordit të OShP-së, Qeveria më 10 dhjetor shpalli konkursin e ri për kryetar dhe anëtar të bordit.
Kandidatët e interesuar kanë pasur mundësi që të aplikojnë deri më 24 dhjetor.
Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN e ka monitoruar këtë konkurs.
Komisioni vlerësues përbëhej nga Alban Nevzadi – kryesues, Leonita Shabani Mullarama – anëtare, Isuf Zejna – anëtar, Enis Spahiu – anëtar, Imer Shevelli – anëtar.
Për kryetar dhe katër anëtarë të OShP-së iu nënshtruan vlerësimit 25 kandidatë. Prej tyre tre u diskualifikuan dhe të gjithë të tjerët iu dorëzuan Qeverisë së Kosovës.
Kandidatët u vlerësuan në bazë të dokumentacioneve që kishin dorëzuar te komisioni vlerësues.
Komisioni vlerësues kishte vendosur që në një kriter mos ta vlerësojnë asnjërin kandidat pasi kishin konsideruar se niveli profesional është jashtëzakonisht i ulët të kandidatëve.
Kësisoj, topin e gjujten te Qeveria që të vendosin vetë.
Të propozuarit nga Qeveria e Kosovës janë Nita Bejta, Milot Spahiu, Arbnor Tmava, Faruk Rexhaj, Dafina Gashi, Kimete Gashi, Vedat Pterqoj, Bujar Lushaku, Batisha Ibrahim dhe Vjosa Gradinaj Mexhuani, janë të propozuarit nga Qeveria e Kosovës.
Përveç Nita Bejta, Milot Spahiu, Arbnor Tmava, të tjerët iu kanë nënshtruar komisionit vlerësues.