Pas më shumë se një viti, Kuvendi zgjodhi bordin e OSHP-së

Kuvendi i Kosovës me 61 vota pro ka zgjedhur bordin dhe kryetarin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Kryetare e bordit u zgjodh Vjosa Gradinaj-Mexhuani, ndërsa anëtarë Nita Bejta, Kimete Gashi, Vedat Pterqoj dhe Agon Ramadani.

Nita Bejta dhe Agon Ramadani ishin propozuar direkt nga Qeveria e Kosovës pa qenë pjesë e konkursit.

Kryeministri Albin Kurti tha se Qeveria kishte ushtruar diskrecionin e saj në këtë proces pasi që komisioni përzgjedhës ishte i pakënaqur me kandidatët.

“Ajo që duhet potencuar është se komisioni ishte i pakënaqur me kandidatët që kanë aplikuar, qoftë në kuptim të përvojës së tyre profesionale dhe profesionalizimit në përgatitjen e kandidaturës. Në këtë kuptim, komisioni i kishte rekomanduar Qeverisë që të ushtrojë diskrecionin në përzgjedhjen e kandidatëve sipas të drejtës që i takon. Ky është pranuar dhe ne kemi ushtruar kompetencën tonë të garantuar me ligj dhe kemi votuar listën e kandidatëve dhe menjëherë Qeveria ka përcjellë listën dhe biografitë”, tha ai.

Arsyetimi i Qeverisë për propozimin e tre kandidatëve që nuk aplikuan në konkursin e OShP-së

Organi Shqyrtues i Prokurimit, i njohur si Gjykata e Tenderëve, kishte më shumë se një vit që kishte mbetur pa bord.

Në mungesë të bordit janë grumbulluar 704 ankesa të kompanive kundër institucioneve, që kërkonin zgjidhje në OSHP.

Derisa vlera e projekteve të cilat janë bllokuar në OSHP ka shkuar mbi 200 milionë euro për shkak të mungesës së bordit, organ ky që vendos për ankesat e kompanive.