Foto: Denis Sllovinja / Termocentral , Obiliq , Kek

Biznesi i vëllait të “Ftyrës” pjesë e tenderit për të cilin u arrestua drejtori i KEK-ut

Kompania kosovare “Limi-Plast”, pronë e Bujar Shalës, së bashku me kompaninë “Litwin SA” është pjesë e konzorciumit që ka lidhur kontratë në vlerë 3.4 milionë euro me Korporatën Energjetike të Kosovës për “riparimin kapital emergjent të kaldajës së bllokut A5”. Kjo kontratë ishte pjesë e kërkesës së Prokurorisë së Shtetit për paraburgimin e Nagip Krasniqit, kryeshefit tashmë të pezulluar të KEK-ut.

Bujar Shala, pronar i kompanisë “Limi-Plast”, është vëllai i Naser Shalës, ish-drejtorit të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, i njohur si komandant ‘Ftyra’.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Bujar Shala, ka thënë se kompania e tij më herët nuk ka pasur ndonjë kontratë të ngjashme me ndonjë institucion publik, ndërsa ka bërë të ditur se kompania ka hyrë për të plotësuar kriteret ligjore për të formuar konzorciumin me kompaninë “Limi-Plast”.

“Nuk e di (pse është anulu kontrata), përgjegjës për këtë konzorciumin është ajo kompania zvicerane, ata i kanë pasur krejt këto përgjegjësi. Kompania jonë është vetëm për me i plotësu kushtet ligjore, për me pas një konzoricum kompania e jashtme me kompani vendore. Ata kanë qenë lider, edhe kështu mundeni me kontaktu ata” – ka thënë Shala përmes telefonit.

Në lidhje me vëllaun e tij, komandant ‘Ftyrën’, KALLXO.com ka pyetur Bujar Shalën por i njëjti nuk ka pranuar të përgjigjet duke thënë se “çka ka lidhje ajo vëllai i kujna jam, nuk ka nevojë çka qysh tek”.

Sipas deklarimit të pasurisë së vitit 2021 kur Naser Shala i njohur si komandant “Ftyra” ishte drejtor i Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, kishte deklaruar se deri në vitin 2006 ka qenë bashkëpronar i kompanisë ‘Limi-Plast’ me vëllain e tij.

“Qiraja mujore nga lokali afarsit në Prishtinë, e blerë në vitin 2006 nga kompania “Limi-Plast” ku deri në atë kohë unë si deklarues kam qenë bashkëpronar në këtë kompani, mirëpo tani ky objekt ligjërisht është në emër të vëllait, konkretisht të kompanisë “Limi-Plast” me pronar B.Sh..” – thuhet ndër të tjera në deklarimin e pasurisë së Naser Shalës.

Shala kishte dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit të Agjencisë, në muajin shkurt të vitit 2022, me arsyetimin se Kuvendi nuk e ka miratuar raportin e punës të Agjencisë të vitit 2022.

“Ftyra” ishte bërë i njohur në vitin 2019, kur Kuvendi e kishte zgjedhur drejtor të kësaj agjencie edhe pse ekspertët britanikë kishin vlerësuar se i njëjti nuk është i emërueshëm. Pas zgjedhjes së tij në krye të Agjencisë, kishin reaguar Ambasada e Britanisë dhe ajo e Amerikës, por edhe ish-kryeparlamentari dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

Ish-deputetja e Vetëvendosjes tash ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e kishte quajtur ‘hipokrizi’ reagimin e ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, për emërimin e ‘Ftyrës’ në krye të Agjencisë.

Edhe pse votimi për zgjedhjen e Shalës në krye të Agjencisë kishte qenë me votim të fshehtë, Haxhiu kishte thënë se “vetë deputetët e PDK-së, AAK-së dhe Nismës kishin votuar për emërimin e Shalës si drejtor nga Kuvendi i Kosovës”.

Haxhiu gjithashtu kishte thënë se rekomandimi i Komisionit për Legjislacion në rastin e konkursit për drejtor të Agjencisë, ka qenë që as Naser Shala e as kandidatët e tjerë të Qeverisë të mos emëroheshin në këtë detyrë.

“Komisioni ka rekomanduar që të mos emërohen asnjëri nga kandidatët e propozuar nga Qeveria, përfshirë z.Naser Shala. Ky rekomandim, as nuk është lexuar në seancë dhe kjo ka ndodhur qëllimshëm dhe kjo është shkelje e rregullave të parapara me Rregulloren e punës”, kishte shkruar Haxhiu në atë kohë në Facebook.

Çështja e “Njësisë A5” është bërë pjesë e diskutimeve politike që nga vera e vitit 2022, kur KEK-u kishte dështuar të angazhojë një kompani për riparimin e rregullt të kësaj njësie dhe për pasojë e njëjta ishte ndalur në mujin korrik të vitit 2022. Opozita e kishte akuzuar KEK-un për keqmenaxhim dhe sipas tyre Kosova i ka humbur miliona euro si pasojë e ndaljes së kësaj njësie.

Historiku i tenderëve të KEK-ut për bllokun A5

Kriza energjetike e fundit të vitit 2021, në vend që vazhdojë edhe përgjatë vitit 2022 është pikënisja e problemeve të tejzgjatura të Korporatës Energjetike të Kosovës, me funksionimin e Bllokut A5 të TC “Kosova A”.

“Te A5 ka pasur një problem gjatë muajit gusht dhe është ndalë, edhe disa ditë presim të kryhet tenderi për remontin kapital, sepse A5 është në plan për remont kapital sivjet dhe remonti i tij mund të zgjas deri në tre muaj” – thoshte kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, në shtator 2022, teksa fliste për blloqet e KEK-ut.

Më 13 qershor të vitit 2022, Korporata Energjetike e Kosovës kishte shpallur tender me procedurë të hapur për ‘Riparim kapital të turbinës, gjeneratorit dhe kaldajës të bllokut A5’. Vlera e parashikuar e kësaj kontrate ishte 6 milionë euro.

Kryeshefi tashmë i pezulluar i KEK-ut, Nagip Krasniqi në emisionin ‘Kallxo Përnime’ kishte thënë se ka qenë kërkesa e tij që tenderi të mos ndahej në LOT-e (pjesë), pasi sipas tij, ndarja në LOT-e mund të shkaktonte probleme në punime.

“Unë personalisht kam kërkuar që me qenë një LOT. Sepse na ka ndodhur në vitin e kaluar, që kaldaja është përfunduar për tre muaj, pastaj turbina është vonuar për më shumë se tre muaj. Sepse njëra kompani e ka kryer punën e tjetra nuk e ka kry. Që de-facto i bie për KEK-un se nuk ka lidhje cila kompani ka dështuar, neve na kushton më shumë që zgjatë riparimi” – kishte thënë ai.

Por ky tender nuk kishte dalë i suksesshëm për KEK-un. Kjo pasi që në mungesë të ofertuesve Korporata ishte detyruar që të anulojë këtë aktivitet të prokurimit. Më 11 korrik 2022 tenderi ishte anuluar.

KEK-u kishte hapur edhe njëherë tender për të njëjtin qëllim. Por kësaj here me procedurë të negociuar, në të cilën kishte ftuar 19 kompani për ofertim.

Arsyeja se pse kësaj here tenderi ishte shpallur me procedurë të negociuar, sipas kryeshefit Krasniqi, ishte për shkak të tenderit të parë që kishte dështuar për mospranim të asnjë oferte.

“E kemi bërë listën e kompanive që gjatë viteve kanë kryer punë në KEK. Kur shkon në negociata me 19 operatorë, ti e ke fleksibilitetin që kërkon kushte që ty të përshtaten si kompani. Në moment kur shkon vetëm të hapur, ai ta bjen ofertën dhe s’ke pse negocion me ta” – kishte thënë Krasniqi në intervistën e shtatorit 2022.

Tenderi në fjalë ishte i ndarë në dy LOT-e. Vlera e parashikuar e kësaj kontrate ishte po ashtu 6 milionë euro.

LOT 1 ishte për riparimin kapital të turbinës dhe gjeneratorit ndërsa LOT 2 ishte për riparimin kapital të kaldajës për bllokun A5.

Më 11 nëntor 2022, kontrata i ishte dhënë kompanisë me bazë në Maqedoninë e Veriut ‘Monting Energetike Doo’.

Por me 21 nëntor 2022, LOT 2 i këtij tenderi ishte anuluar, pasi që sipas njoftimit, kompania kishte njoftuar se për shkak të pamundësisë së sigurimit të materialeve nga prodhuesit, nuk është në gjendje të realizojë kontratën brenda afatit të përcaktuar.

Por tenderi ka vazhduar me LOT 1 dhe kontrata është nënshkruar më 5 dhjetor 2022, në vlerë prej 5 milionë e 136 mijë euro me kompaninë nga Maqedonia e Veriut.

Pasi që kishte dështuar LOT 2 i këtij tenderi, Korporata Energjetike e Kosovës kishte shpallur një tjetër tender për riparimin e kaldajës së bllokut A5.

Në janar të vitit 2023, KEK-u kishte hapur tenderin për ‘Riparimi kapital emergjent i kaldajës blloku A5’. Vlera e parashikuar ishte 3 milionë e 600 mijë euro, ndërsa procedura po ashtu ishte e mbyllur, pa publikim të njoftimit për kontratë.

Fitues të këtij tenderi ishin dy kompani të bashkuara në një konzorcium: kompania ‘Litwin SA’ dhe kompania ‘Bujar Shala B.I.’

Vlera e kontratës ishte 3 milionë e 495 mijë e 392 euro.

Në një përgjigje për KALLXO.com, KEK-u në janar të këtij viti kishte thënë se blloku A5 do të kthehet në funksionim në fillim të prillit, por që edhe kjo kontratë është anuluar në mars të 2023.

Sipas KEK-ut, arsyeja e anulimit të kontratës është për shkak se operatori ekonomik ka dështuar t’i plotësojë kushtet kontraktuale sipas kontratës se nënshkruar, dorëzimin e garancionit financiar për ekzekutimin e punëve.

Rruga e ‘Ftyrës’ deri te pushteti mbi tapitë