Reagon Kadri Veseli pas tërheqjes së amerikanëve nga Agjensioni i Pronës
Pas dorëheqjes së SHBA-ve nga Agjencia për Verifikim dhe Krahasimin e Pronës, ka reaguar kryeparlamentari Kadri Veseli.
Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se kjo dorëheqje është një lajm i keq për Kosovës, dhe se duhet të alarmohen të gjithë.
“Dorëheqja e miqve tanë amerikanë dhe britanikë nga Bordi i Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës është një lajm i keq për Kosovën dhe duhet të alarmohemi të gjithë. Liria, pavarësia dhe proceset e shtet ndërtimit të Kosovës janë arritur vetëm falë mbështetjes së pakursyer të aleatëve dhe, po ashtu, vetëm me ndihmën e tyre mund t’i përballim sfidat që kemi përpara”, ka shkruar Veseli.
Ai ka shtuar se nepotizmi jo vetëm që po e dëmton shtetin dhe po i detyron të rinjtë të ikin nga vendi, por edhe po i cenon rëndë edhe marrëdhëniet jetësore me aleatët tanë më të ngushtë.
“Kjo ngjarje është dëshmi e qartë se lufta ndaj nepotizmit dhe korrupsionit është një domosdoshmëri, prandaj unë e kam nisur këtë luftë me një vendosmëri të madhe dhe do t’i shkoj deri në fund. Për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën, ne duhet të luftojmë pa kompromis korrupsionin”, ka shkruar Veseli.
Pas dorëheqjes së SHBA-së nga Bordi i Agjencisë për Verifikimin dhe Krahasimin e Pronës, ka reaguar ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell.
Ai ka shkruar se kishte dhënë dorëheqje nga bordi i kësaj Agjencie kur Kuvendi i Kosovës kishte emëruar Naser Shalën në krye të saj, të cilin O’Connell e ka vlerësuar si të pakualifikuar dhe të paaftë.
“Kam dhënë dorëheqje nga bordi i Agjencisë së Pronës, kur Kuvendi i Kosovës emëroi Naser Shalën, të pakualifikuar dhe të paaftë si kryetar të saj, vetëm për shkak të lidhjeve të tij me deputetët që nga koha e tij në UÇK. Kuvendi injoroi një kandidat të kualifikuar i cili nuk i kishte këto lidhje. Tani SHBA ka ndjekur hapat tanë”, ka shkruar O’Connell.
Sipas tij, korrupsioni, nepotizmi dhe kapja e shtetit do ta shkatërrojnë Kosovën.
“Nuk ka kuptim të harxhojmë kohën tonë duke u përpjekur që të ndihmojmë institucionet e Kosovës kur shumica në Kuvendin e Kosovës nuk kujdeset për këtë, dhe kur individët nuk ndjejnë turp për të marrë punë në mënyrë të padrejtë e të cilën ata nuk mund të bëjnë siç duhet. Nepotizmi, kronizmi, korrupsioni dhe kapja e shtetit do ta shkatërrojnë Kosovën. Durimi i miqve të Kosovës po ftohet. Qytetarët e Kosovës meritojnë më mirë, por vetëm nëse vendosin të ndëshkojnë ata që përfshihen në këto praktika”, ka thënë O’Connell.
KALLXO.com raportoi më herët për dorëheqjen e SHBA-ve nga Agjencia e Pronës.
Sot, Kosnett, përmes një postimit në Twitter ka bërë të ditur se SHBA ka dhënë dorëheqje nga kjo Agjenci, ashtu siç ka bërë Britania e Madhe në momentin që Shala, i njohur si Komandant ‘Ftyra’ ishte zgjedhur në këtë pozitë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Largimi i amerikanëve nga kjo agjensi vjen në ditët kur dy nga drejtuesit e PAN-it, Kadri Veseli i PDK-së dhe Ramush Haradinaj i AAK-së, janë vënë në lëvizje me takime në të cilat po flasin për luftimin e korrupsionit dhe nepotizmit.
“SHBA kanë dhënë dorëheqje nga Agjencia për Krahasim dhe Verifikim të Pronës siç ka bërë edhe Britania e Madhe më parë. Nuk mund të vazhdojmë aty ku lidershipi u shërben interesave personale e politike, e jo njerëzve”, ka shkruar ambasadori Kosnett.