(Ilustrim) - Foto: Facebook / Volodymyr Zelensky

Biden: Putini e ka 'llogaritur plotësisht gabim' aftësinë e Rusisë për ta pushtuar Ukrainën

Rusia ka vazhduar së sulmuari infrastrukturën kryesore në Ukrainë me sulme raketore të martën. Mes paralajmërimeve nga OKB-ja dhe disa vende të NATO-s se Moska mund të jetë duke kryer një krim lufte me sulmet vdekjeprurëse të vazhdueshme ndaj objektivave civile, ministria ruse e mbrojtjes konfirmoi se trupat e saj vazhduan të kryenin sulme ajrore me rreze të gjatë mbi infrastrukturën energjetike dhe ushtarake të Ukrainës.

Udhëheqësit e G7 i dënuan sulmet më të fundit raketore të Rusisë ndaj qyteteve në të gjithë Ukrainën “në termat më të fortë të mundshëm” dhe u zotuan të qëndrojnë “të vendosur” me Kievin “për aq kohë sa nevojitet”.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, u kërkoi udhëheqësve të G7 të furnizojnë më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore dhe një mision ndërkombëtar monitorimi në kufirin me Bjellorusinë.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i përshkroi sulmet e Rusisë si “një ndryshim të thellë në natyrën e kësaj lufte”. Gjatë sulmeve të Rusisë në ditët e fundit, raketa navigimi dhe dronë të armatosur ranë në parqe, kënde lojërash, termocentrale dhe objektiva të tjerë civilë.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është një “aktor racional që ka bërë keqllogaritje në mënyrë të konsiderueshme”, tha presidenti i SHBA Joe Biden në një video-intervistë për CNN të transmetuar të martën.

Autoritetet ukrainase thanë të martën se kanë zhvarrosur trupat e dhjetëra njerëzve, duke përfshirë civilë dhe të një foshnjë njëvjeçare, për ta përcaktuar shkakun e vdekjes pas tërheqjes së trupave ruse nga qytetet Lyman dhe Sviatohirsk, dy qytete të çliruara së fundmi në rajonin e Donetskut lindor. 

Rreth 30% e infrastrukturës energjetike të Ukrainës është sulmuar nga Rusia që nga e hëna, thanë zyrtarët. Ndërkohë që miliona në Ukrainë po përballen me ndërprerje të energjisë për shkak të sulmeve, qeveria u ka kërkuar civilëve ta reduktojnë përdorimin e energjisë elektrike dhe të mos përdorin pajisje shtëpiake si furrat dhe lavatriçet.

Kremlini zyrtar e ka konfirmuar se Putin do të takohet të enjten me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, për të diskutuar rreth Ukrainës.

Moska nuk do ta refuzojë një takim midis Putinit dhe Bidenit në takimin e G20 muajin e ardhshëm, tha ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov. Moska është  e hapur për bisedime me perëndimin për luftën në Ukrainë, por ende nuk ka marrë ndonjë “ofertë serioze” për të negociuar, tha Lavrov në një intervistë për televizionin shtetëror rus.

Putin i ka thënë kreut të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike se ai është “i hapur për dialog” për termocentralin bërthamor Zaporizhzhias të pushtuar nga Rusia.

Ndërkohë, nënkryetari i termocentralit Zaporizhzhia është rrëmbyer nga forcat ruse, tha kompania shtetërore e energjisë bërthamore e Ukrainës Energoatom. Valeriy Martynyuk u mor të hënën dhe po ndalohet në një vend të panjohur, tha Energoatom në një postim në Telegram.

Elon Musk e ka mohuar një raport se ka folur me Putinin përpara se të postonte në Tëitter një propozim për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë përmes të cilit do t’i dorëzohej territor Rusisë.

Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë ka thënë se vendosja e përbashkët e forcave me Rusinë në kufijtë e saj është një masë mbrojtëse. Lëvizjet janë bërë për ta garantuar “sigurinë” përgjatë kufirit midis Bjellorusisë dhe Ukrainës, pretendoi ai.

Sulmet ruse kanë dëmtuar qindra vende kulturore, tha Zelenskiy teksa i kërkoi agjencisë kulturore të OKB-së ta përjashtonte Rusinë, e cila aktualisht mban presidencën e rradhës të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala