Beteja për demantin
Prej më shumë se dhjetë vitesh, ish-korrespodenti i RTK-së në Beograd përballet me betejën për demantimin e lajmeve që lidhin atë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Dhjetëra, qindra publikime në internet, duke përfshirë rrjetet sociale, për më tepër se një dekadë, qarkullojnë duke e lidhur figurën e gazetarit Fahri Musliu si babai i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Edhe pse vetë gazetari nga Prizreni i Kosovës demantoi raportimet që lidhin atë me presidentin serb, publikime me fotografi dhe video të Fahri Musliut dhe Aleksandar Vuçiqit qarkullojnë edhe sot gjithandej. Mjafton të shkruhet tog-fjalëshi “Fahri Musliu Aleksandar Vuçiq” në platformën e kërkimit “Google” që të shihen lajmet me video dhe tekst që i ndëlidhin ata si babë e bir.
Nga kërkimet në internet, shihet që publikimet e para ku pretendohet se Musliu është babai i Vuçiqit datojnë që nga viti 2014, ku raportohej për lajmin që qarkullonte ndërsa vetë Musliu në një intervistë në emisionin “Fakte me Adnan Merovci” më 26.11.2022 tregonte për raportimet dhe burimin e prodhimit të këtij informacioni.
“Kjo ka ndodhur në tetor (2014), para tetë vitesh. Më herët ka shkruar një portal serb, vetëm një-dy fjali, vetëm se ka dal informata nga RTS se gjoja Vuçiq është djali i Fahriut.” – tregonte Fahri Musliu.
Që nga publikimi i parë i këtij informacioni kanë kaluar më shumë se 12 vite. Publikimet fillestare të portaleve nuk mund të gjurmohen më në internet, megjithatë, me zhvillimin e teknologjisë dhe përhapjen e gjerë të rrjeteve sociale, materialet që lidhin Musliun me Vuçiqin janë ripublikuar.
Në faqe të ndryshme në rrjete sociale si Facebook, Instagram e Tik-Tok, në gjuhën shqipe dhe serbe, ndërvite, janë publikuar lajme me teknika të avancuara të manilulimit si “deep fake” duke pretenduar që Fahri Musliu është babai biologjik i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Platforma për verifikimin e fakteve “Krypometër” disa herë (më 31.07.2025, 29.07.2025, 23.04.2025) detektoi përmbajtje të paverfikuara mbi gazetarin Fahri Musliu që e lidhnin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Në përmbajtjet e publikuara aludohet se Fahri Musliu dhe Aleksandar Vuçiq kanë ngjashmëri me njëri-tjetrin. Duke përdorur teknika të ndryshme që ofron teknologjia, ata paraqiten së bashku, madje edhe duke i dhënë dorën njëri-tjetrit.
Madje, përmes Inteligjencës Artificiale (AI) janë prodhuar edhe materiale ku presidenti serb, Vuçiq, dëgjohet duke kënduar këngë patriotike në gjuhën shqipe. Të gjitha publikimet i ndërlidhin Musliun dhe Vuçiqin si babë e bir, duke aluduar se presidenti serb ka prejardhje shqiptare.
Pas më shumë se 10 vitesh, Fahri Musliu thotë se disa media nuk e kursyen duke i publikuar informacione të paverifikaura. Në shumë raste, sipas tij, ai nuk ishte kontaktuar fare rreth pretendimeve të publikuara.
“Po, kjo është forma e gazetarisë së sotme: trillime, shpifje, dezinformata, sepse po punohet për klikime dhe kurrë nuk i marrin dy apo tre burime, që është rregull kryesor i çdo gazetarie. E dyta, është një problem tjetër shumë i madh në shoqëritë ballkanike, se gazetarët dhe njerëz të tjerë merren me jetën private dhe me privatësinë e dikujt tjetër.”- thotë Fahri Musliu në një intervistë për KALLXO.com.
“Njerëzve s’ju intereson fakti që e kam prezantuar disa herë në media se kur është i lindur ai (Aleksandar Vuçiq), kur kam shkuar unë në studime në Beograd, apo kur jam takuar unë me nënën e tij. Ato nuk i marrin parasysh, mirëpo qëllimi është me fitu klikime më tepër dhe me përhap dezinformata.”- deklaron Musliu.
Për pretendimet e ngritura ndër vite në media e rrjete sociale, ish-korrespodenti i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) në Beograd thotë se ka nis edhe betejën ligjore, duke i paditur në gjykatë për shpifje mediumet që shpërndanë informacionet që e lidhnin atë me presidentin serb, Alkesandar Vuçiq.
“Ajo rrena, siç thotë populli, i ka këmbët e shkurtra dhe zbulohet. Mirëpo shkaku i atyre rrenave, shpifjeve dhe dezinformatave, dikush paguan çmim. Po të kishte ligj në këto hapësira, unë me siguri sot do të isha milioner, për 13 vjet sa më akuzojnë apo shkruajnë për mua njerëzit. Do të isha fitues në çdo proces gjyqësor, aty s’ka dilemë.”- thotë Fahri Musliu.