Behgjet Pacolli

Beteja e zhurmshme politike e Behgjet Pacollit për t'u kthyer në Kosovë

Kërkesa për kthim nga Zvicra në Kosovë në kohën e pandemisë dhe krizës politike e deputetit të Kuvendit nga radhët e Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, e zhyti këtë të fundit në polemika me qeveritarët dhe me zyrtarët e diplomatët ndërkombëtarë.

Ndonëse në fillim të muajit prill Pacolli kishte kërkuar nga bashkëatdhetarët të kenë durim dhe të respektojnë thirrjet e institucioneve e të presin për kthimin në Kosovë, vetë ai kërkoi kthimin, duke kundërshtuar mes tjerash mundësinë për karantinim, ashtu siç parashohin vendimet e Qeverisë për secilin që hyn në territorin e vendit nga një vend tjetër.

“Nuk ka mungesë më të madhe sesa për familje dhe atdhe. Me mijëra bashkatdhetar mezi presin të kthehen në vendlindje. Por situata është kjo dhe ne duhet ti respektojmë thirrjet e institucioneve, dhe të presim. Ky virus është jashtëzakonisht i rrezikshëm”, kishte shkruar Pacolli në Facebook, më 5 prill.

Nuk ka mungesë më të madhe sesa për familje dhe atdhe. Me mijëra bashkatdhetar mezi presin të kthehen në vendlindje. Por…

Publiée par Behgjet Pacolli sur Dimanche 5 avril 2020

Mobilizimi i LDK-së dhe partive të tjera për të formuar Qeverinë e re dhe përpjekjet për të siguruar votat e nevojshme të deputetëve nxiti Pacollin të paralajmëronte kthimin nga Zvicra.

Ish-ministri i Jashtëm, tash deputet, Behgjet Pacolli, ishte deklaruar se nuk ka interesim të jetë pjesë e një Qeverie të re, kurse tash kërkoi të kthehet në Kosovë dhe të ushtrojë të drejtën për të votuar si ligjvënës. AKR-ja përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës me dy deputetë – Behgjet Pacollin dhe Mirlinda Sopi-Krasniqin.

Në anën tjetër, sipas vendimit të institucioneve të vendit për shkak të situatës emergjente nga COVID-19, të gjithë shtetasit që duan të kthehen në Kosovë, përveç rasteve specifike shëndetësore dhe dokumentacionit si dëshmi, duhet të vendosen në karantinë për 14 ditë në Qendrën e Studentëve.

Një deklaratë e ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia se nuk i takon atij që të bëjë përjashtime nga rregullat publike, ngjalli reagimin e deputetit dhe kreut të AKR-së.

Pacolli deklaroi se Qeveria të cilën e ai e ka votuar dhe nuk e ka përkrahur mocionin e rrëzimit të saj, në mënyrë “primitive”, “diktatoriale”,  po e privon të kthehet në vendin e tij.

“Është tronditëse kjo që po ndodh me mua! Pas dy mujësh karantinimi së bashku me familjen time në Zvicër, nën asistencën shëndetësore, diçka që ua dëshmova me dokumenta, më pengojnë të vij në Kosovë! Jam unë që rrezikoj duke ardhur në vendin tim nga Zvicra, një sistem kujdesi shëndetësor i përparuar, por dua të respektoj votën e qytetarit për mua!Ju qeveritarë të Kosovës, kështu do bëni dhe me diplomatë zviceranë a perëndimorë që mund të vijnë në Kosovë? Do t’i karantinoni? Kush e bën  këtë?”, shkroi mes tjerash ai.

Në një deklaratë tjetër, Pacolli tha se i  është ndaluar kthimi me aeroplanin e tij privat.

Pacolli anulimin e lejes së aterrimit në Aeroportin e Prishtinës e ka quajtur privim të së së drejtës për të lëvizur.

“Anulimi i lejes së uljes në aeroportin e Prishtinës për aeroplanin tim është privim i drejtpërdrejtë i së drejtës sime për të lëvizur”, shkroi ai në Facebook.

Ndërkohë, anulimin e fluturimit e mohuan nga Ministria e Punëve të Jashtme. Kreshnik Ahmeti, këshilltar i ministrit  të Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca, ka thënë se është e pavërtetë që deputetit të Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli i është anuluar leja për aterrim në Aeroportin e Prishtinës.

Ahmeti shtoi se nuk do të ketë trajtim të veçantë me rastin e Pacollit.

“Por, është e pamundur që Qeveria aktuale të bëj diskriminim të shtetasve të saj. Megjithëse sistemi aktual ekonomik e pamundëson që të jemi të barabartë, prandaj dikush vjen me aeroplan privat e dikush me autobus, para ligjit të gjithë jemi të njëjtë dhe para se gjithash në kohë pandemie shëndeti publik ka rëndësi mbi të gjitha dhe rregullat e vendimet e organeve përkatëse shëndetësore duhet të respektohen. Pra, leje për aterim ka. Por, vullnet për trajtim të veçantë jo”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Ndërkaq, nga Ministria e Shëndetësisë thanë se nuk ka mbërritur asnjë kërkesë zyrtare nga Pacolli.

“Nga mediat u njoftuam me ankesat e kryetarit të AKR dhe njëherësh deputetit të Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli. Deri më sot në Ministrinë e Shëndetësisë nuk ka mbërritur asnjë kërkesë zyrtare për asnjë nga ato çka përmenden në reagimin e z. Pacolli”, thuhet në reagimin e tyre.

Ata po ashtu kanë theksuar se masat e njëjta do aplikohen edhe ndaj Pacollit nëse kthehet në Kosovë, pra karantinim prej 14 ditësh në konvikte.

“Siç kemi konfirmuar ditën e djeshme për rastet e kthimit të shtetasve të Republikës së Kosovës aplikohen masat e njëjta. Pavarësisht pozicioneve që kanë qytetarët tanë përpara çështjeve të shëndetit publik trajtohen jo nga pozita por sipas kritereve të paracaktuara shëndetësore”, tha Ministria e Shëndetësisë.

Pas këtyre, sërish u deklarua Pacolli, i cili e konfirmoi se i ishte lëshuar një leje për të aterruar në Prishtinë.

“Tani më treguan se është lëshuar një leje për aterim në Prishtinë. Nuk di çka ka pas nevojë për krejt këtë inskenim. Nuk e di pse ka pas nevojë për ‘kërcënime’. Gjithë kjo më bën të ndihem i pasigurt në vendin tim!”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Ndërkohë, në profilin e tij në Twitter, ai polemizoi më shumë personalitete politike, qeveritare vendore e ndërkombëtare.

Ai u përfshi në debate virtuale me shefin e EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, ambasadorin e Gjermanisë në Prishtinë Christian Heldt, këshilltaren e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, Furtuna Sheremeti, e raportuesen për Kosovën në Parlamentin Europian Viola Von Cramon.

Në diskutimet e fundit rreth kthimit dhe mundësisë së karantinimit të deputetit të AKR-së Behgjet Pacolli në Kosovë u përfshi edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Ky i fundit ka deklaruar se Ministria e Shëndetësisë po merret me politikë në emër të COVID-19.

Mustafa ka theksuar se paralajmërimi i Ministrisë në detyrë se nëse Pacolli vjen nga Zvicra do të vendoset në karantinë, është vendim politik. Kreu i LDK-së ka shtuar se nuk ka nevojë të maltretohet një deputet dhe një biznesmen i njohur.

Por pas gjithë këtyre akuzave e kundërpërgjigjeve, deputeti i AKR-së aterroi pasditën e së martës në Tiranë  përderisa hyrja e tij në Kosovë apo vazhdimi i qëndrimit të tij në kryeqytetin shqiptar deri para mesnatës nuk u konfirmua zyrtarisht.