Behgjet Pacolli I Foto: MPJ

Pacolli polemizon me këshilltaren e Kurtit për kthimin e tij nga Zvicra

Kryetari i AKR-së dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli në rrjetin social Twitter, ka shprehur shumë mendime sa i përket mos lejimit të tij për t’u kthyer në Kosovë me aeroplan nga Zvicra.

Pacolli madje ka bërë polemika edhe me këshilltaren e kryeministrit në detyrë, Furturna Sheremeti për hyrjen e tij në Kosovë si dhe e ka krahasuar ardhjen e tij me stafin mjekësor nga Serbia.

Ishte e para Sheremeti që i ka thënë Pacollit se qasja e tij është rezultat i viteve paraprake.

“Kjo qasje është kriju si rezultat i sa e sa viteve praktikë që pushteti është mbi ligjin. Është vështirë me e pranu tash që të gjithë realisht jemi të barabartë para ligjit”, ka thënë këshilltarja ligjore e kryeministrit.

Pas kësaj, ka reaguar Pacolli duke i thënë asaj se nuk ka njohuri për punën e parlamentit dhe se një deputet që nuk e ka mbështetur Qeverinë Kurti është penguar.

“Një këshilltare e kryeministrit në largim të Albin Kurtit të kesh njohuri zero për rolin e Parlamentit në një demokraci. Qeveria ka lejuar që shumë kategori të përjashtohen nga rregullat, vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë e vërtetojnë këtë. Por një deputet që nuk e mbështet këtë Qeveri është penguar”, ka thënë Pacolli.

Ndërsa, Sheremeti ia ka kthyer duke i thënë se ka njohuri të mjaftueshme dhe se rreglluat për COVID-19 duhet të jenë të barabarata për të gjithë.

“Unë kam më shumë se njohuri të mjaftueshme për të përsëritur se rregullat e paraqitura në kohën e Covid-19 janë dhe duhet të jenë të njëjtat për të gjithë. Askush nuk po ju ndalon të vini në Kosovë. Ne kërkojmë nga ju vetëm të respektoni rregullat e karantinës si të gjithë të tjerët. Askush nuk është mbi ligjin”, ka reaguar këshilltarja e kryeministrit.

Kurse, polemikat e tyre ende kanë vazhduar dhe Pacolli i tha asaj se leja për aterim të aeroplanit të tij nuk u lejua nga Qeveria.

“Vetëm për informacionin tuaj, leja e uljes për aeroplanin tim u anulua nga qeveria, kështu që ata nuk po më lënë mua. Një deputet nuk mund të pengohet. Kjo është fytyra e një autokracie në bërje. Askush nuk mund të ndalojë Parlamentin dhe anëtarët e tij nga puna e tyre”, ka thënë kreu i AKR-së.

Dhe Sheremti ia ktheu që ai ta lexojë njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë, që thotë se Pacolli deri më sot nuk ka bërë ndonjë kërkesë zyrtare për këtë çështje.

“Të lutem shiko njoftimin për shtyp, të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë. Nuk është në rregull për të përhapur pretendime të pabaza Z. Pacolli”, ka thënë ajo më tej.

Por, Pacolli nuk e ka lënë me kaq dhe ka vazhduar të krahasojë mos-lejimin e aterimit të aeroplanit të tij nga Zvicra me stafin mjekësor të ardhur nga Serbia në Kosovë duke mos u futur në karantinë.

“Qeveria Kurti ka lejuar stafin mjekësor nga Serbia të hyjë në Kosovë pa shkuar në kararantinë. Bëni rregullat Albin Kurti që vlejnë për të gjithë apo jo. Qeveria është një turp për vendin me lojërat e saj politike të luajtura kundër atyre që mendojnë ndryshe nga ata”, ka shkruar në fund Pacolli në Twitter.

Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli ka reaguar sot lidhur me fluturimin e tij nga Zvicra në Kosovë, duke thënë se në mënyrë primitive dhe diktatoriale po pengohet kthimi, pasi që Qeveria dje deklaroi se Pacolli si çdo qytetar tjetër duhet të futet në karantinë për 14 ditë në konvikte.

Pacolli ka deklaruar se nën asistencë shëndetësore për dy muaj ai me familjen e tij janë në karantinë në shtetin zviceran.

Ai thotë se dëshiron që të kthehet në mënyrë që ta vazhdojë veprimtarinë e tij parlamentare në kohën kur LDK po kërkon parti për të lidhur koalicionin qeverisës për ekzekutivin e ri.

Kurse, Ministria e Shëndetësisë tha sot se nuk kanë pranuar ende asnjë kërkesë zyrtare nga ana e Pacollit.

Pacolli: Qeveria për të cilën e votova kundër rrëzimit po më pengon të kthehem në Kosovë

 

.