Shefi i EULEX-it e demanton Behgjet Pacollin rreth karantinës, polemika vazhdon

Shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, ka reaguar pasi deputeti i AKR-së, Behgjet Pacolli ka deklaruar se stafi dhe diplomatët e misioneve në Kosovë, si edhe EULEX janë përjashtuar nga vendimi për të hyrë në karantinë, pas kthimit në Kosovë.

Wigemark përmes Twitter-it ka shkruar se i gjithë stafi i EULEX-it që kthehet në Kosovë, duhet të qëndrojnë në karantinë për 14 ditë.

“Ne e kemi zbatuar këtë politikë që nga fundi i shkurtit dhe, për shembull, 31 policë polakë – të cilët u kthyen në Kosovë javën e kaluar, tani janë në karantinë në kampin e tyre”, ka shkruar ai.

Kurse, Pacolli ishte shprehur se stafi dhe diplomatët e UNMIK-ut dhe EULEX-it janë përjashtuar nga karantinimi.

“Kontrolloni listat e mbërritjeve të pasagjerëve. Z. Vitija gënjen dhe po përdoret për të penguar punën e Parlamentit. Nëse diplomatët dhe personeli i organizatave janë të përjashtuar, pse deputetë jo. Vetëm për të mos ju mbështetur?”, kishte shrkuar ai në Twitter.

Kurse pas përgjigjes së shefit të EULEX-it, reagoi sërish Pacolli, duke thënë se qeveria i ka trajtuar në mënyra të ndryshme ata që janë kthyer në Kosovë.

“Por jo në konviktet e studentëve. Faleminderit Lars-Gunnar Wigemark  për konfirmimin e standardeve të dyfishta të Kurtit. Pse stafi juaj duhet të trajtohet ndryshe nga qytetarët e Kosovës. E vlerësoj që e konfirmuat atë që e thash. Qeveria i trajtoi ndërkombëtarët, Serbinë dhe qytetarët e Kosovës të gjithë ndryshe”, shkroi Pacolli në Twitter.

Kreut të AKR-së, Behgjet Pacollit, sot i është lejuar leja për aterim në Prishtinë nga Zvicra.

Pacolli në mëngjesin e sotëm ka shkruar se Ministria e Shëndetësisë nuk e ka lejuar kthimin e tij në Kosovë.

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar në lidhje me pretendimet e krytarit të AKR-së dhe deputetit, Behgjet Pacolli, se atij nuk i’u lejua kthimi me aeroplan nga Zvicra në Kosovë. Ministria tha se deri sot nuk ka mbërritur asnjë kërkesë zyrtare nga Pacolli.

Kurse, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia deklaroi se Pacolli duhet të futet në karantinë për 14 ditë pas kthimit në Kosovë, ashtu sikurse çdo qytetar tjetër në Qendrën e Studentëve në kryeqytet.