Arrestimet për krime lufte në Kosovë që po kritikohen nga Beogradi, dosjet e prokurorisë përmbajnë detaje të ngjarjeve të 99-tës

Gjatë dy viteve të fundit, Policia e Kosovës nën koordinim me Prokurorinë Speciale arrestuan disa persona të nacionalitetit serb të dyshuar për krime lufte në Kosovë.

Secili arrestim i cili u krye dhe që u bë publik, pati reagime nga Beogradi pasi u cilësuan si të motivuara politikisht e edhe si të pabaza.

Por në fakt Prokuroria Speciale e Kosovës, për çdo rast kërkoi masë të sigurisë nën dyshimet se ka prova dhe fakte se të dyshuarit e arrestuar kishin kryer krime lufte në Kosovë.

Tre persona të dyshuar për krime lufte të arrestuar dy ditë më parë rikthyen reagimet duke filluar nga Beogradi e deri te Lista Serbe, një parti politike serbe e cila vepron në Kosovë.

Dragan Miloviq me nofkën “Musa” 56 vjeçar, Ilija Elezoviq 68 vjeç dhe Zoran Kostiq 73 vjeç, janë tre të arrestuarit nga ana e policisë me urdhër të Prokurorisë Speciale për krime lufte në Kosovë të kryera gjatë vitit 1999.

Shefi i zyrës së qeverisë serbe për Kosovë, Petar Petkoviq në ditën kur prokuroria veçse njoftoi për arrestimin, përmendi faktin se Kostiq 73 vjeçar është një person i moshuar dhe me probleme shëndetësore.

KALLXO.com ka siguruar dosjen e Prokurorisë Speciale për të dyshuarit, e që shpjegohen në detaje veprimet që dyshohet se inkriminojnë të tre të arrestuarit.

Për Kostiq, Prokuroria Speciale ka thënë se në mars të vitit 1999, një grup i paramilitarëve serb i udhëhequr nga aktualisht 73 vjeçari, ishin vendosur në fshatin Reznik kishin ekzekutuar viktima e më pas i kishin vënë flakën shtëpive në këtë fshat së bashku me trupat e viktimave brenda.

Në kohën kur Kostiq pretendohet sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës se kreu krime lufte ai ishte 49 vjeçar.

Kostiq i cili jeton edhe tani në Vushtrri sipas prokurorisë ishte pjesëtarë i MUP-it serb në bashku me Ilja Elezoviqin e Dragan Miloviq.

Për Ilija Elezoviqin, Petar Petkoviq tha se fillimisht u bllokua komuna e Zveçanit nga njësitet policore para se të arrestonte Elezoviqin nën dyshimet për krime lufte.

Elezoviq në kohën kur dyshohet se kreu krime lufte ishte 44 vjeçar. Veprimet e Elezoviq përshkruhen se ndodhën në orët e mbrëmjes së 24 shkurtit të vitit 1999 përgjatë rrugës lokale nga Vushtrria për në fshatin Nadakovc tek ura e magjistrales.

Prokuroria Speciale ka thënë se i njëjti, i uniformuar si pjesëtar i MUP-it serb dhe me disa persona të tjerë, gjatë kohës sa ishin duke lëvizur me veturë të tipit “Opel” ngjyrë e bardhë e që Elezoviq me vete kishte edhe një palë dylbi dhe i armatosur me një snajper kishte shtënë në drejtim të viktimës S. F., dhe e kishte goditur në këmbën e majtë duke i shkaktuar plagë shpuese.

Dosja tutje thotë se Elezoviq, pasi kishte parë S. F., të rrëzohet kishte shtënë sërish ndaj tij por që i dëmtuari kishte arritë që të shpëtoj dhe të ik në drejtim të Vushtrrisë.

Ashtu i plagosur F. S., kishte shkuar tenjë mjek për të marrë ndihmën e parë dhe më pas ishte transportuar për në fshatin Kovaqis ku më pas është bërë edhe një intervenim kirurgjik.

Për Dragan Miloviq me nofkën “Musa” i cili në kohën kur pretendohet se kreu krime lufte ishte 32 vjeçar, thuhet se së bashku me dy të pandehurit e tjerë, Elezoviq dhe Kostiq më 22 maj të vitit 1999 te varrezat e qytetit në Vushtrri kishin tubuar popullatën civile shqiptare të cilët paraprakisht i kishin dëbuar nga fshatrat dhe shtëpitë e tyre, e më pas i kishin mbledhur të gjithë te varrezat e qytetit i kishin urdhëruar që të uleshin në tokë dhe kishin filluar që t’i rrahin, t’i godisnin në pjesë të ndryshme të trupit me shkop druri.

Pas këtyre veprimeve në dosje shpjegohet edhe se të njëjtit dyshohet se i kishin ndarë meshkujt nga pjesëtarët e tjerë të familjes dhe i kishin ngarkuar nëpër kamionë e më pas i kishin dërguar te salla e sporteve në Vushtrri, dhe ju ishte thënë që kushdo që kishte para me vete dhe i dorëzon do të liroheshin.

“Personat të cilët shkonin nuk liroheshin, por u merreshin paratë dhe rriheshin në mënyrë çnjerëzore duke i dërguar më pas në burgun e Smrekonicës”- thotë dosja e Prokurorisë Speciale.

Disa nga të mbijetuarit e këtyre torturave janë bërë edhe dëshmitarë të prokurorisë për krimet e luftës që ndodhën në 99-tën në Vushtrri.

Tetë dëshmitarë kishin rrëfyer torturat mizore që kishin përjetuar nga tashmë të dyshuarit e lartpërmendur, duke shtuar se ishin mbajtur në kushte skllavërie pa bukë, higjienë pa gjumë.

Dëshmitarët kishin thënë se pas këtyre torturave që kishin përjetuar një grup nga ta, të dyshuarit i kishin dërguar në drejtim të Shqipërisë.

Petar Petkoviq në reagimin e tij kishte thënë se arrestimet po kryhen me urdhër të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili sipas tij po dëshiron ta dëboj popullin serb nga Kosova.

E në anën tjetër presidenti serb Aleksandër Vuçiq pas arrestimeve të fundit, u bëri thirrje diplomatëve të huaj që të ndërhyjnë.

“I ftojmë të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë që të reagojnë, të bëjnë gjithçka që kanë në dorë që serbët të mund të mbijetojnë në territorin e Kosovës dhe Metohisë, në mënyrë që njerëzit që nuk janë fajtorë se i kanë bërë asgjë askujt, të lirohen në shtëpitë e tyre”, tha Vuçiq për mediat të mërkurën mbrëma gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara.

Ai u zotua të ngrejë çështjen e Kosovës, ku arrestimet e serbëve me akuza të ndryshme në muajt e fundit kanë zemëruar Beogradin, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Por ndonëse Petkoviq e Vuçiq të cilët potencojnë se arrestimet për krime lufte janë të pabaza dhe po ngrenë alarm se po përpiqet që të dëbohet populli serb, dosjet e Prokurorisë Speciale secili tregon në detaje për veprimet të cilat dyshohet se kanë kryer të arrestuarit gjatë luftës së fundit në Kosovë.

KALLXO.com raportoi në vazhdimësi për arrestimet që u kryen për krime lufte në Kosovë.

Në gusht të këtij viti Policia e Kosovës arrestoi dy persona, ish-komandantin e stacionit policor në Istog, Momir Pantiq dhe ish-policin Zharko Zariq, janë dy serbët e arrestuar nga Policia e Kosovës para pak ditësh nën dyshimet për krime lufte ndaj popullsisë civile në zonën e Istogut.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, dy të dyshuarit kishin marrë pjesë e kishin dhënë urdhra për aksione policore të ndërmarra në zonën e fshatrave të Istogut ku ishin vrarë, torturuar e dëbuar civilë shqiptarë në periudhën 1998 – 1999.

Sipas dosjes së Prokurorisë në mars të vitit 1998, Zariq nën komandën e Pantiq ka ndërmarrë aksion policor kundër një familje në fshatin Lubozhdë me ç’rast në orët e hershme të mëngjesit policia serbe i kanë nxjerrë të gjithë burrat nga shtëpitë e tyre duke i  rrahur dhe duke i goditur me kondakët e armëve.

Tutje i kishin nxjerrë në rrugë ku i kanë urdhëruar të mbështeten në muri nën kërcënimin e armëve dhe i kishin ndarë të rinjtë nga të moshuarit.

Të moshuarit i kishin liruar, kurse të rinjtë  i kishin dërguar në stacion policor ku ishin rrahur e torturuar, kryesisht nga i dyshuari Zharko Zariq – thuhet në dosje.

Më pas në datën e 15 marsit të vitit 1999, kishin mbetur të vrarë dy banorë të fshatit Staradran ndërsa një tjetërkishte mbetur i zhdukur, thuhet në dosje.

Tutje në dosje shtjellohet për dyshimet e 24 marsit të vitit 1999 ku kishin mbetur të vrarë dy vëllezër shqiptar të fshatit Lubozhdë pas dëbimit të dhunshëm të banorëve nga ky fshat, me ç’rast një 14-vjeçar ka mbetur i zhdukur.

Gjatë dëbimit të lartcekur dosja thotë se ishin djegur dhe shkatërruar plotësisht pronat e shtëpitë e banorëve shqiptarë.

E gjithë kjo dyshohet të jetë ndërmarrë nën urdhrat e të dyshuarve Momir Pantiq dhe Zharko Zariq.

Dosja thotë se më 29 gusht të vitit 1998 nën komandën e të dyshuarit Momir Pantiq fillimisht ishin rrethuar e më pas ishin vrarë tetë anëtarë të një familje në fshatin Shushicë si pjesë e një aksioni policor.

Një anëtare e kësaj familje ishte zhdukur, ndërsa trupi i saj ishte gjetur pas luftës në fshatin Padalishtë.

Sipas dosjes trupat e pajetë të familjes së vrarë ishin lënë në skenën e krimit ku policët serbë i kishin urdhëruar banoret e fshatit Shushicë të i varrosnin këta trupa para orës 4 pasdite nën kërcënimin se në të kundërt do të i digjnin të gjithë.

Gjatë vitit 1999 më 8 maj, dosja thotë se të dyshuarit dëbuan popullsinë shqiptare dhe vranë 14 civilë shqiptarë ndërsa dy mbetën të zhdukur, ku dyshohet se në ditën kritike në vendngjarje ka qenë i dyshuari Mamor Pantiq.

Kurse në fshatin Padalishtë më 26 mars të vitit 1999, në dosje thuhet se forcat serbe pushkatuan 20 civilë shqiptarë ku pas të shtënave ndaj tyre Momir Pantiq ishte i pranishëm në vendin e ngjarjes.

Në qershor të këtij viti, Dragisha Millenkoviq është arrestuar në Graçanicë nën dyshimet se ka kryer krime lufte në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.

“Ndaj të njëjtit janë siguruar prova për ekzistimin e dyshimit të arsyeshëm se në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë në cilësi të personave zyrtar (gardian të burgut) në Prishtinë dhe në paralelen e ndarë nga Prishtina konkretisht në burgun e Lipjanit, në mënyrë sistematike, dyshohet se kanë ushtruar torturë, dhunë fizike, psikike, keqtrajtime dhe maltretime çnjerëzore dhe të skajshme për jetën ndaj të burgosurve shqiptarë”- thuhej në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Arrestimi i Millenkoviq bëri që për disa ditë rresht të organizoheshin protesta 1 orëshe para stacionit policor në Graçanicë duke thënë se i njëjti ishte arrestuar pa bazë.

KFOR në një përgjigje për KALLXO.com ka deklaruar se për arrestimin e tre serbëve të dyshuar për krime luftë në Kosovë, u njoftuan nga Policia e Kosovës një ditë pas ngjarjes.

“Arrestimi i tre serbëve të Kosovës më 20 shtator ishte komunikuar nga Policia e Kosovës vetëm një ditë pas kësaj ngjarjeje”- thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Përgjigja e KFOR-it kujton deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jans Stoltenberg gjatë konferencës për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, i cili tha se “ka nevojë për koordinim dhe konsultime të ngushta ndërmjet autoriteteve në Prishtinë dhe KFOR-it për çdo dislokim që mund të ndikojë në qëndrimin tonë dhe sigurinë në Kosovë”.

Ai po ashtu bëri të qartë se KFOR pret konsultime me kohë dhe kuptimplote për çdo veprim të Forcës së Sigurisë së Kosovës apo Policisë së Kosovës që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë.

Në përgjigjen e KFOR për KALLXO.com tutje theksohet se Komandanti i KFOR-it, mbetet në kontakt të rregullt me Policinë e Kosovës dhe Misionin për Sundimin e Ligjit të udhëhequr nga BE-ja, në përputhje me procedurën për koordinim paraprak të rënë dakord tashmë ndërmjet këtyre subjekteve.

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano në një konferencë për media ishte pyetur në lidhje me autoritetin e Kosovës për të hetuar krimet e luftës.

“Kur fola për atë se çfarë po ndodh në veri të Kosovës lidhur me arrestimet nga ana e policisë, nuk thashë se po vëmë në pikëpyetje ndonjë gjë”- tha Stano në përgjigjen e tij ndërsa shtoi se janë në kontakt të ngushtë me partnerët se çfarë po ndodhë dhe si po kryhen këto arrestime.

“Thashë se po i mbledhim informatat e nevojshme në përgjithësi”- shtoi Stano.

Kujtojmë se Kosova këtë vit shënoi 24-vjetorin e përfundimit të luftës. Qindra dosje janë grumbulluar në institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në lidhje me krimet e luftës ndërsa shumë pak prej tyre janë duke u gjykuar në gjykatat e vendit.

Policia e Kosovës që nga viti 2021 kanë edhe një databazë të të dhënave të 400 rasteve të paraqitura në EULEX deri në vitin 2018 për krimet e luftës.

Kjo databazë e të dhënave është krijuar në bashkëpunim mes Policisë së Kosovës dhe EULEX-it ndërsa është qëllimi është që hetuesit të kenë më të lehtë që të organizojnë sasi të mëdha të të dhënave, të hetojnë rastet komplekse dhe të ndërlidhura të krimeve të luftës si dhe t’i përgatisin ato me sukses për ndjekje penale.

Në Kosovë, janë bërë mbi 400 masakra dhe sipas të dhënave zyrtare 13 mijë e 50 persona janë vrarë në luftën e fundit.

Deri tani 1 mijë e 500 persona konsiderohen ende të zhdukur ndërsa rreth 20 mijë persona të dhunuar.