Arkeologët e rinj në kërkim të pasurisë së vjetër

Në shikim të parë artefaktet mund të duken thjeshtë objekte të cilat kanë arritur t’i mbizotërojnë periudhave të ndryshme historike. Por, përveç këtij fakti, artefaktet bartin në vete rrëfime të historisë së njerëzimit.

Interesante për t’u fotografuar por edhe më interesante për t’u studiuar në tentativë për të zbuluar gjurmët dhe mënyrën e jetesës të brezave të parë të njeriut.

Kaltrina Igrishta, Lekë Shala dhe Fatbardha Hoxha, janë tre studentë të Arkeologjisë të cilët kanë përfunduar studimet në Universitetin e Prishtinës, dhe nga 14 shtatori i këtij viti do të vazhdojnë masterin për Arkeologjinë Parahistorike në Gjenevë të Zvicrës.

Të tre para pak ditësh në Kosovë kanë botuar “Katalogun Arkeologjik të Mitrovicës”.

Ky katalog përmbledh 183 artefakte të gjetura në lokalitetet arkeologjike të Mitrovicës dhe pesë muaj punë të tre studentëve.

Katalogu përmban artefakte të gjetura kryesisht përgjatë gjysmës së dytë të shek. XX, në: Zhitkoc, Vallaç, Fafos, Karagaç, Lushtë, Municipium DD, te hekurudha, në kalanë e Zveçanit, Shalë e Bajgorës.

Kaltrina Igrishta për KALLXO.com rrëfej procesin e punës për realizmin e këtij katalogu me kohëzgjatje nga fundi i prillit e deri në fillim të shtatorit.

Ajo tha se arsyeja se pse e kanë realizuar këtë katalog është sepse gjithmonë kanë pasur dëshirën të kontribuojnë diçka për qytetin e tyre që sipas saj po lihet anash në fushën e kulturës.

“Këtë projekt e kemi bërë për Mitrovicën  se nuk ka asnjë të dhënë arkeologjike prej mbas luftës e as nuk është punuar asgjë për këtë vend, nuk është shënuar asgjë në aspektin arkeologjik. Kështu që ne kemi dashtë që me i mbledh artefaktet, jo  të gjitha, por disa më përfaqësueset që janë të ruajtura në depon e Muzeut të Mitrovicës”, tha Igrishta.

Ajo tregoj se artefaktet e mbledhura ndahen në tri periudha kohore atë parahistorike, romake dhe mesjetare.

“I kemi fotografuar, i kemi përshkruar edhe ato të dhëna që janë në katalog i kemi datuar pastaj edhe fotografitë që i përshtaten përshkrimet dhe analogjitë. Prej cilës kohë datojnë  artefaktet kemi mësuar gjatë studimeve dhe e kuptojmë  se si shkon datimi i tyre por na ka ndihmuar edhe arkeologia Edi Shukriu. Ne i kemi marrë i kemi pastruar se i kapluar pluhuri dhe pastaj i kemi përgatit për foto”, tha Igrishta.

 

Ajo tregoj se këto artefakte datojnë 7 mijë vjet para lindjes së Krishtit. Sipas studimeve Igrishta tha se shumica prej figurave janë me figurina antropomorfe, zoomorfe me altarë të ndryshëm, nga pak edhe prosopomorfë, urna, enë të ndryshme nga koha e neolitit. Ndërsa nga periudha romake është Muza e Mitrovicës, artefakt i cili është shumë i rrallë në botë.

“Çka është shumë e veçantë është muza e Mitrovicës që  është artefakti  që vetëm tre të tillë janë në botë. Ky artefakt është gjendur në qendër të Mitrovicës që ju intereson jo vetëm arkeologëve por edhe pjesës tjetër të njerëzve”, tha ajo.

Sipas studimeve të arkeologes botërore Maria Mina figurinat antropomorfe kryesisht paraqesin në pah trupa relativisht natyral në një formë korpulente ose proporcionale. Ndërsa të dhënat arkeologjike në botë e dëshmojnë faktin se në pjesën dërrmuese të këtyre figurinave antropomorfe të punuara në formë të skematizuar, në shumicën e rasteve paraqesin trupin e gruas.

Igrishta shpalosi disa nga veçoritë e artefakteve të ndryshme që datojnë nga periudha të ndryshme njerëzore.

“Fillimisht nga periudha e neolitit ka vetëm argjilë edhe gurë. Gurët janë përdorur për vegla të punës, armë ose ndonjë punim special. Ndërsa, në periudhat tjera ka artefakte të metaleve si shtizat, heshtat mandej kemi atë muzën prej plumbit dhe mermerit pastaj altarë të ndryshëm një llojllojshmëri punimesh”, tha ajo.

Sipas të dhënave arkeologjike në Guidën Arkeologjike të Kosovës karakteristikat kulturore të periudhës së gurit të ri (neolitit) bazohen në dokumentimin arkeologjik dhe emërohet nga përdorimi i gurit (neo- e re, lithos-gurë), andaj edhe njohur si civilizimi neolitik apo koha e gurit të ri.

Gjatë kësaj periudhe kishin ndodhur zhvillime madhore që kishin ndikuar në mënyrën e jetesës si: zhvillimi i punimeve bujqësore, zbutja apo familjarizimi i kafshëve që tani njihen si kafshë shtëpiake, dhe përpunimi i qeramikës; të gjitha këto profesione të reja që prosperuan civilizimin njerëzor.

Sipas studentes së Arkeologjisë, artefakte ka prej periudhave të ndryshme por katalogu është i ndarë në tri periudha kryesore. Është parahistoria që e përfshin epokën e bronzit edhe të hekurit, periudhën romake dhe atë mesjetare.

“Më së shumti neoliti ka artefakte për shkak se në ato lokalitete që është gërmuar më së shumti i takojnë periudhës së neolitit, kohës së gurit. Është më së miri e përfaqësuar kultura e Vinçës që është e njohur në krejt Ballkanin”, tha ajo.

Sipas të dhënave në Guidë lokaliteti neolitik i Zhitkocit rreth 3 kilometra në veri të qytezës së Zveçanit, pranë brigjeve të lumit Ibër, janë dëshmuar gjurmët e një vendbanimi tipik neolitik të dy kulturave, si asaj më të hershme të Starçevës dhe më të vonshme të Vinçës.

Ndërsa në fshatin Vallaç në veri të Zhitkocit- Karagaçit në vitin 1955 dhe 1957  është hulumtuar pjesërisht se nga materiali i shumëllojtë arkeologjik zbuluar këtu, veçohen një sasi e figurinave antropomorfe dhe zoomorfe që janë  karakteristike për periudhën e vonë të Kulturës së Vinçës, e njohur si Vinça C.

Këto dy lokalitete arkeologjike janë vetëm dy nga vendet në të cilat janë gjetur artefaktet e kataloguara nga tre arkeologët e rinj.

Projektin për katalog e kanë fituar nga Ministria e Kulturës përmes organizatës “KnKub Heritage” të cilën e kanë hapur vitin e kaluar Kaltrina Igrishta dhe Lekë Shala.

Ndërsa për punën të tre autorët nuk kanë marrë paga, vetëm pjesa teknike e stafit realizues.

“Financiarisht jemi ndihmuar me shuma modeste vetëm prej Ministrisë së Kulturës dhe Drejtorisë së Kulturës në Mitrovicë. Na nuk kemi dashtë ta bëjmë projekt gjigant por projekt sa ma i thjeshtë që edhe ne të kemi mundësi ta përfundojmë sa më shpejtë që të ndahemi të kënaqur në fund. Ne të tre nuk kemi marrë pagesa veç ilustratorët dhe pjesa tjetër”, tha ajo.

Përderisa e gjithë puna është realizuar në rrethana pandemike sipas Igrishtës kanë hasur në vështirësi për shkak të punës në muze.

“Ka qenë goxha vështirë se ka pas probleme. Nuk ishim në dijeni a të vazhdojmë se nuk guxonim të qëndrojmë në një ambient me shumë njerëz se ka pas punëtorë në muze. Atëherë kur u bë puna që veç ka një person të punoj në muze ose dy, atëherë veç e kemi përfunduar atë pjesën me artefakte në muze të pastrimit dhe fotografimit pastaj ka qenë veç punë virtuale”, rrëfeu ajo.

Organizata “KnKub Heritage”  (Kundrim. Kujtesë. Kulturë.) është hapur me qëllim që të  marr vëmendjen e arkeologëve për pasuritë e Mitrovicës.

“Jo për Mitrovicën me fol veç për anën politike, etnike, problemet dhe asgjë nuk ka diçka kulturore. Katalogu ndoshta është njëfarë nisme për ndryshime në Mitrovicë. Se për Mitrovicën as fletushka nuk ka si për disa qytete tjera”, tha Igrishta.

Sipas saj, në botë ka institute që e njohin pasurinë arkeologjike të Kosovës ndërsa ne qytetarët e Kosovës nuk e njohim pasurinë e saj. Dhe me këtë organizatë dhe këtë katalog dhe plane tjera ata do mundohen t’i nxisin qytetarët që t’i njohin pasuritë e vendit të tyre.

Ajo tha që pasi është në studime në Gjenevë ka menduar që ta promovojnë katalogun edhe në Zvicër, po pasi ta promovojnë së pari në Kosovë.

Tutje, ajo tha që arkeologët duhet të koncentrohen edhe në studime, gërmime e gjurmime edhe në Mitrovicë dhe jo vetëm në Rrafshin e Dukagjinit.

Ky projekt është mundësuar nga Ministria e Kulturës dhe Drejtoria e Kulturës në  Mitrovicë.

Bashkëpunëtorë në katalog janë: arkeologia e parë shqiptare Edi Shukriu, arkeologu në Institutin Albanologjik të Kosovës Arianit Buçinca, profesori i Universitetit të Tiranës Eduard Shehi, shefi i Departamentit të Arkeologjisë në Universitetin e Miçiganit Michael Galaty dhe dy kroate Ivana Ožanić Roguljić, Jacqueline Balen, Eduard Shehi dhe Milot Berisha.

Shefi i Departamentit të Arkeologjisë në Universitetin e  Miçiganit i cili e ka shënuar hyrjen e katalogut e ka vlerësuar arkeologjinë e Kosovës si pjesë të një sistemi të gjerë të besimit dhe ritualeve.

“Secila enë dhe figurinë neolitike është një kryevepër arti në miniaturë; ku asnjëra nuk është si tjetra. Megjithatë, punimi i qeramikës dhe i këtyre figurinave, shembuj  të cilave mund të gjenden në tërë Evropën Juglindore, tregon që kosovarët neolitikë kanë qenë pjesë e një sistemi të gjerë të besimit dhe (ndoshta) praktikës rituale”, ka shkruar Galaty ne hyrjen e katalogut.

Katalogu në njërën anë është në gjuhën shqipe dhe në tjetrën në gjuhën angleze i përkthyer nga Rrona Abrashi, realizimin e një numri të skicave nga Eliza Shala, dizajnit nga Bekim Shala, përpunimin e hartës nga Ardian Jashari dhe Faton Beqiri dhe lekturimin nga Dorontina Gagica.

Supozohet se shumë artefakte të Kosovës janë marrë me forcë nga muzetë e Kosovës  përfshirë këtu edhe Muzeun e Mitrovicës dhe u dërguan në Beograd gjatë dhe pas luftës në Kosovë, në qershor 1999.

Sidoqoftë, janë dekada që kur objektet janë marrë dhe nuk është bërë asnjë përpjekje për t’i kthyer ato.