Gjurmë arkeologjike në Prizren, mendohet të jetë pagëzimore ose vilë romake - VIDEO

Në mes të qendrës historike të Prizrenit, pas tetë vitesh lokaliteti arkeologjik po bëhet gati për konservim, zbulim ky që nga arkeologët mendohet të jetë pagëzimore e kishës paleokristiane ose vilë romake e shekullit të katërt – IV.

Derisa në këtë destinacion ishte planifikuar të ndërtohej një fontanë, në mënyrë rastësore u hasën gjurmë arkeologjike për të cilat u ndalën punimet dhe filluan matjet e zonës së tanishme të zbuluar.

Vesel Hoxhaj një ndër arkeologët që po hulumton këtë terren tregon se kanë dy mendime për lokalitetin, njëri variant është mundësia për të qenë një pagëzimore dhe varianti tjetër vilë romake.

“Ky lokalitet mendohet që gjatë periudhës romake, supozohet në dy variante por në bashkëpunim me arkeologët e fushës me njerëz adekuat të periudhës përkatëse do ta vendosim se a ka qenë një baptisteri apo një pagëzimore e një kishe paleokristiane apo një vilë romake, pra dilemat janë mes këtyre dy varianteve”- tha ai.
Sipas ekipit të arkeologëve të lokalitetit më shumë mund të jetë pagëzimore se sa varianti i dytë.

“Idea më shumë që për shembull unë dhe disa kolegë të mi mendojmë është një baptisteri apo një pagëzimore e shekullit IV”- bën të ditur Hoxhaj.

Po ashtu ai tregoi se si në gjithë qytetet e tjera edhe ky zbulimi është vazhdimësi e gjurmëve ilire por që gjurmët i takojnë periudhës romake.

“Gjurmë të qytetërimit ilir gjithmonë ka pasi që vazhdimësi e ilirëve është edhe Prizreni, sepse shumica apo një pjesë e arkeologëve mendojnë që Theranda e Vjetër është Prizreni, por gjurmët që janë këtu janë të periudhës së perandorisë romake të shekullit IV”- pohoi ai.

Samir Hoxha që drejton Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, thotë se pas gërmimit kanë filluar me procesin e pastrimit deri tek prezantimi i planit të gjetjeve arkeologjike.

“Lokaliteti i cili gjendet në sheshin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit është një gjetje rastësore e cila është gjetur gjatë zbatimit të projektit nga ana e komunës së Prizrenit për rregullimin të lidhjes Shqiptare të Prizrenit, dhe gjatë zbatimit të punimeve janë hasur gjurmë arkeologjike, të cilat sipas raporteve të para të Institutit Arkeologjik dhe arkeologëve të cilët kanë qenë të involvuar në këtë proces datojnë që nga antikiteti i hershëm dhe periudha romake, janë disa variante të cilat arkeologët i kanë shpërfaqur”- thotë ai.

Tutje ai thekson që pranvera e vitit të ardhshëm do t’i gjejë ata duke punuar në lokalitet për ta përfunduar në fund të vitit 2023.

“Tani jemi në fazën e pastrimit të gjetjeve arkeologjike, arkeologët siç shihet e a kanë bërë pastrimin është bërë edhe hartimi i projektit të trajtimit të hapësirë përreth, dhe besojë që në pranverën e hershme të vitit të ardhshëm sapo të përmisohen kushtet atmosferike, do të bëhet konservimi dhe restaurimi i gjetjeve arkeologjike në Sheshin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” u shpreh ai.

Po ashtu ata treguan se matjet do të vazhdojnë edhe në zonat përreth për të parë nëse ka gjurmë të tjera arkeologjike.

Lokaliteti Arkeologjik është zbuluar në vitin 2014, ndërsa punimet kanë nisur më 2015 dhe deri në vitin 2016 ka vazhduar faza e pastrimit, gjatë vitit të ardhshëm është paraparë të përfundojnë të gjitha punimet.