Arkeologët nga Kosova nuk kanë bashkëpunim me ata të Maqedonisë së Veriut

Arben Hajdari, arkeolog në Universitetin e Prishtinës, në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se me Maqedoninë e Veriut nuk kanë pasur ndonjë bashkëpunim.

Ai ka folur për zbulimin e varrezave antike dhe mureve të një objekti që thuhet se mund të jetë një bazilikë e ndërtuar në shekujt e parë të erës së re, në periferi të Shkupit, duke përfshirë edhe pllakën me mbishkrime Scuipi e Dardanius.

“Unë isha atje me një delegacion që i vizitaum punimet atje. Këtë duhet me e pa në dy rrafshe: i pari është çështje administrative në kuptimin se aty është pronë private, pjesa tjetër për mua mbetet pak e habitshme se si mund të jepet leje në një nekropol, sepse aty dihet që ka me pasë gjetje arkeologjike. E këto janë shumë të rëndësishme për studimet e arkeologjisë” – tha Hajdari

Hajdari thotë se gërmimet ishin shumë profesionale duke pasur parasysh që gërmimet në nekropol janë goxha të vështira.

Ai ka shtuar se edhe në Kosovë disa lokalitete arkeologjike janë shkatërruar, p.sh. gjatë ndërtimit të autostradës në drejtim të Prizrenit.

Ndryshe më 28 shkurt të këtij viti ishin bërë disa zbulime të rëndësishme arkeologjike në Shkup.

Pas këtyre zbulimeve kishte shpërthyer një debat lidhur me mënyrën se si po trajtohet kjo çështje nga institucionet atje.

Debati ishte nxehur pasi në afërsi të lokalitetit po bëhen ndërtime të ndërtesave të mëdha, çka ka ngritur drojën për mundësinë e shkatërrimit të artefakteve dhe mbulimin  e tyre me objekte shumëkatëshe.

Zbulimet e reja arkeologjike antike nxisin debat në Maqedoninë e Veriut