Gërmimet arkeologjike në Shkup. Pamje/Screenshoot/ nga Tv.21.mk.

Zbulimet e reja arkeologjike antike nxisin debat në Maqedoninë e Veriut

Zbulime të rëndësishme arkeologjike janë bërë gjatë javës së kaluar në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Pas këtyre zbulimeve ka shpërthyer një debat lidhur me mënyrën se si po trajtohet kjo çështje nga institucionet atje.

Debati është nxehur pasi në afërsi të lokaliteti po bëhen ndërtime të ndërtesave të mëdha, çka ka ngritur drojën për mundësinë e shkatërrimit të artefakteve dhe mbulimin  e tyre me objekte shumëkatëshe.

Zbulimi i varrezave antike dhe mureve të një objekti që thuhet se mund të jetë një bazilikë e ndërtuar në shekujt e parë të erës së re, janë zbuluar në periferi të Shkupit, duke përfshirë edhe pllaka me mbishkrime Scuipi e Dardanius.

Arkeologë nga Maqedonia e Veriut, por edhe drejtues të institucioneve të trashëgimisë nga vendi fqinj, kanë thënë për mediat atje se gjetjet e zbuluara kanë rëndësi të shumëfishtë.

Ata kanë  lënë mundësinë që lokaliteti ku janë bërë gërmimet- zbulimet aerkologjik mund të futet nën mbrojte.

Skender Asani, drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ka thënë për KALLXO.com se zbulimet e bëra kanë rëndësi historike dhe dëshmojnë vazhdimësinë iliro-dardane-arbërore-shqiptare.

Ai thotë se Scup ka qenë edhe qendër e mbretërisë ilire të Dardanisë.

“Lokaliteti i Scupit (Shkupi) tregon qartë për këtë, dhe edhe pas ardhjes së pushtuesve – romakëve vazhdon prezenca e qartë dardane. Në Shkupin antik edhe ku po bëhen gërmime janë gjetur artefakte të periudhës së bronzit, varre me uran, e para është një lokalitet me shtrirje që nga Kalaja e Shkupit, çka tregon një shtrirje të periudhës ilire, prandaj në atë pllakën e gjetur kemi tri komponentë, që e kanë trashëguar vetëm  shqiptarët dhe mund të dëshifrohet vetëm përmes shqiptarëve, Scupi, Dardanus- Dardania dhe krishterimi”- tha ai për KALLXO.com.

Asani ka thënë se ITSHKSH-së duhet t’i krijohen mundësi për t’i trajtuar, grumbulluar dhe marrë nën mbrojtje artefaktet antike, të cilat sipas tij dëshmojë historinë ilire- dardane. Pasi, sipas tij, pushtetet e mëhershme, pas Luftës së Parë Botërore kanë dëmtuar rëndë lokalitetet antike dardane, duke lejuar edhe ndërtime mbi lokalitetet antike në Shkup.

Ai kërkon maturi dhe seriozitet në trajtimin e këtij rasti.

 

Gërmimet arkeologjike në Shkup. Pamje/Screenshoot/ nga Tv.21.mk.