Foto: KOSTT

Vonohet kompletimi i bordit të KOSTT-it

Katër nga emrat në garë për tu bërë anëtarë të bordit që janë dërguar për votim në kryesinë e Kuvendit dhe pastaj në seancën plenare nuk konsiderohen të emërueshëm nga komisioni britanik (BDO).

Përderisa lista e panelit vlerësues nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik i posedon 12 emra të kandidatëve, lista e BDO-së, kompanisë së kontraktuar nga ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë, së për procesin e rekrutimit të anëtarëve të ndërmarrjes KOSTT, ka renditur  vetëm 9 kandidatë më të potentuar gjatë procesit të intervistmit.

Ky nuk është dallimi i vetëm i vlerësimit të këtyre dy komisioneve, pasi kanë dallime në vlerësimin e bërë për kandidatët.

Konkursi për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të KOSTT për herë të parë është udhëhequr nga Kuvendi, ndërsa ata janë asistuar nga BDO-ja, kompani e angazhuar nga Ambasada Britanike për t’i asistuar Kuvendit dhe Qeverisë për përzgjedhjen e personave nëpër pozita të larta drejtuese.

Një nga problemet e shfaqura gjatë procesit të intervistimit ka qenë mungesa e anëtarëve të komisionit vlerësues, pra deputetëve. Vetëm në ditën e dytë, pas insistimit të BDO-së, ishte caktuar një komision prej deputetëve të cilët kanë qenë të pranishëm në katër ditët e tjera të intervistimit.

Poentimi i disa prej kandidatëve ka pasur diskrepancë të madhe në mes të deputetëve që kanë ardh nga partitë e ndryshme: derisa njëri deputet e ka vlerësuar me më shumë pikë, të tjerët e kanë poentuar më pak.

Procesi i vlerësimit të kandidatëve të intervistuar është bërë nga dy komisionet: komisioni i përberë nga deputetet e Kuvendit të Kosovës, si dhe komisioni dy anëtarësh i BDO-së.

Të dy komisionet në fund i kanë prodhuar listat e tyre me kandidatë të suksesshëm.

Lista me emrat e kandidatëve që shkojnë në Kuvendin e Kosovës, përzgjedhur nga Komisionit për Zhvillim Ekonomik ka këtë renditje: Hekuran Murati, Muzafer Shala, Enis Berisha, Nagip Krasniqi, Migjen Kukaj, Nagip Skenderi, Shkelzen Nuza, Sejdi Rexhepi, Nebih Zariqi, Naim Sahiti, Neron Berisha, Habib Basholli.

Ndërkaq, lista e BDO-së ka këtë renditje të kandidatëve më të poentuar: Nagip Krasniqi, Enis Berisha, Muzafer Shala, Migjen Kukaj, Mehdi Latifaj, Nebih Zaqiri, Naim Sahiti, Nagip Skenderi, Sejdi Rexhepi.

Hekuran Murati, kandidati më i poentuar i panelit vlerësues i Komisionit Parlamentar, nuk figuron fare në listën përzgjedhëse të BDO-së, pra për britanikët Murati nuk është i emërueshëm. Dallimi i pikëve për këtë kandidatë ka qenë një prej çështjeve të diskutuara në mes të dy komisioneve. Deputetet e Kuvendit të Kosovës, që e kanë poentuar me më së shumti pikë, Muratin kanë thënë se “përkthimi mund të ketë qenë një prej problemeve se komisioni britanik nuk e ka poentuar me pikë të mjaftueshme për të emëruar atë”.

Emri i një tjetër kandidati për bord të KOSTT-it i cili është në listën e Komisionit për Zhvillim Ekonomik nuk gjenden në listën e britanikëve. Është fjala për Shkelzen Nuza, që në listën e komisionit renditet i shtati me radhë.

 

 

Edhe emrat e dy kandidatëve të tjerë të poentuar nga anëtarët e Komisionit Parlamentar, siç është Neron Berisha dhe Habib Basholli, nuk janë futur në listën e BDO-së.

Ndërsa, Mehdi Latifaj është në listën e BDO-së, mirëpo nuk është futur fare në listën e Komisionit Vendor.

Tek BDO-ja kandidati më të poentuar është Nagip Krasniqit, i cili nga komisioni parlamentar është radhitur i katërti.

Lista me emra pret në kryesin e Kuvendit

Lista me  emrat e kandidatëve më të poentuar për drejtorë të Bordit të KOSTT, të cilët janë përzgjedhur nga ana e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, janë proceduar në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, megjithëse ende nuk dihet se kur do të përcillen në seancë plenare për votim.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, koordinatori i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, Armend Ademaj.

“Listën e kemi proceduar menjëherë në Kryesi, sapo janë përzgjedhur kandidatët më të potentuar. Kur caktohet në mbledhje të Kryesisë, nisen për seancë. Duhet përcjell rendi i ditës”, ka thënë ai.

Ndërkaq, ende nuk është caktuar ndonjë mbledhje e Kryesisë së Kuvendit.

Musli Krasniqi nga Zyra për Media e Kuvendit, ka thënë për KALLXO.com se deri tash nuk ka ndonjë njoftim për mbledhje të Kryesisë.

“Duhet referuar faqes zyrtare të Kuvendit për njoftime për mbledhje të Kryesisë dhe rendit të ditës. Nuk dihet njëherë data se kur do të mblidhet kryesia, deri tash nuk ka një gjë të tillë. Pa u caktuar dita e mbledhjes nuk dihet nëse kjo çështje është pikë e rendit të ditës”, u shpreh ai.

Deklarimi i shefave të grupeve parlamentare

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, për KALLXO.com, ka bërë të ditur se janë njoftuar shkurtimisht për procesin e intervistimit të kandidatëve për anëtarë në ndërmarrjen KOSTT.

“Ne si grup parlamentar kemi pasë përfaqësuesen tonë në panel, znj. Hykmete Bajrami, e cila në pika të shkurtëra na ka informuar për procesin. Emrat shkojnë në seancë dhe besoj se para seancës na vijnë si material nëpër kutitë ku u shpërndahet materiali deputetëve”, ka thënë  ai.

Hoti ka shtuar se vlerësimet e panelit të Komisionit Parlamentar kanë qenë të afërta me ato të BDO-së.

“Znj. Bajrami me ka informuar se vlerësimet e saja kanë qenë shumë afër me vlerësimet e BDO-së, gjithashtu na ka infomu se vlerësimet e panelit kanë qenë të afërta me ato të BDO-së”, thuhet në përgjigjen e tij.

Ndërkaq, shefi i GP të PDK-së, Memli Krasniqi e ka konfirmuar se i kanë pranuar listat dhe raportet e dy komisioneve, pa dhënë detaje specifike.

“Do t’i shqyrtojmë në një nga mbledhjet e grupit, para se të vendoset në votim”, është përgjigjur Krasniqi për KALLXO.com.

KALLXO.com për disa ditë me radhë ka provuar të marr një qëndrim edhe nga shefat e grupeve të tjera parlamentare si nga, AAK-ja, PSD-ja, Nisma dhe LVV-ja, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Për herë të parë kandidatët për anëtarë të Bordit të KOSTT-it, janë përzgjedhur nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, për shkak se më herët kur KOSTT ka qenë ndërmarrje publike anëtarët e bordit janë përzgjedhur nga Qeveria.

Kryetarja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Sala Berisha-Shala, kishte bërë të ditur se për bord të këtij institucion kanë aplikuar 33 kandidatë, përderisa 29 prej tyre janë përzgjedhur për intervistë.

Ajo kishte njoftuar se 6 prej kandidatëve janë tërhequr nga procesi i intervistimit.