Ilustrim: Propaganda online
Propaganda online e partive politike
Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen të dielën e 6 tetorit. Ndonëse ka mbetur rreth pesë javë deri ditën kur qytetarët do të dalin për të votuar, partitë politike në vend kanë nisur fushatat e tyre online.
Disa në terren e disa në zyre. Mjafton të kërkoni në rrjete sociale emrat e liderëve politik dhe do u shfaqen dhjetra faqe me përmbajtje propagandistike.
Jetojmë në kohën e informacionit, e duke parë garën elektorale, informatat janë dyfishuar.
Kosova është vendi që përdorë internetin më së shumti në Ballkan duke u pasuar nga Kroacia e Bosnjë Hercegovina.
Mbi 1 milion kosovarë e përdorin rrjetin social më popullor në botë “Facebook”, kryesisht nga moshat e reja. Kjo ka shtuar edhe rrezikun për manipulimin e opinionit publik në Kosovë.
Që kur dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit, Ramush Haradinaj, më 19 korrik, subjektet politike janë mobilizuar, disa në terren e të tjerat nga zyrat.
Faqja në “Facebook” “Me Ramushin 100%” ishte ndër të parat që u ofronte përdoruesve të këtij rrjeti social mundësi për të hyrë dhe u regjistruar. Në formën e një formulari, aty kërkoheshin të dhënat personale të cilat do të përdoreshin pastaj për targetimin e njerëzve në këtë rrjet social.
E njëjta faqe shpërndau në “Facebook” edhe një tjetër lajm që e sulmonte kryetarin e parisë Lëvizja Vetëvendosje.
“Në këtë video mund ta shihni hipokrizinë e Albin Kurtit dhe se si ka ndërruar fjalët duke e mashtruar disa herë elektoratin e vet”, thuhet në postimin e promovuar të kësaj faqejeje. Kjo faqe i ka mbi 14 mijë pëlqime.
Një faqe tjetër në “Facebook” e cila ka shpërndarë lajme dhe i ka promovuar ka qenë ajo me emrin “Kosova”.
“Ngjarje Ditore”, është një tjetër faqe e cila ka shpërndarë lajme propaganduese në rrjetin social “Facebook”. Kjo faqe i ka afër 30 mijë pëlqime.
Këto ditë është folur shumë për një koalicion parazgjedhor në mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Një fotografi e një kohe më të hershme është shfrytëzuar për t’u përdorë gjatë ditëve të fundit.
“Lutfi Haziri kundër koalicionit me LVV, takimet e natës me Thaçin po bëjnë efektin e vetë”, ka shkruar në “Facebook” faqja “Dr.Ibrahim Rugova- Na Mungon” duke e postuar edhe fotografinë e vjetër të një takimi ndërmjet presidentit Thaci dhe nënkryetarit të LDK-së, Lutfi haziri.
Disa prej faqeve në “Facebook” që shpërndajnë informata janë të lidhura edhe në versionin online, të njohura si portale. Numri i saktë i tyre nuk dihet, ndërkohë që vazhdojnë të hapen të reja.
Për të hapur një portal mjafton ta regjistrosh atë si biznes në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, pa pagesë, dhe je i lirë të operosh.
Çka janë lajmet e rreme?
Termi “Fake News” ishte më i përdoruri në dy vitet e fundit në gjithë botën, madje në vitin 2017 u zgjodh edhe fjala e vitit. Në përhapjen e këtij termi kontribuoi më së shumti Presidenti i ShBA-së, Donald Trump.
Profesoresha universitare, Lindita Tahiri, që ligjëron lëndën e “Edukimit medial” në degën e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se lajmet e rreme mund të jenë në lloje.
Sipas Tahirit, zhvillimi i teknologjisë dhe i mediave të reja ka ndihmuar në prodhimin dhe shpërndarjen e lajmeve të rreme, që nganjëherë mund edhe të bëhen prej injorancës.
“Lajmet e rreme mund të jenë të paqëllimshme, pra të shpërndahen informata të rrejshme për shkak të mosdijes, si për shembull kur keqkuptohet humori apo satira. Ato mund të jenë të qëllimshme, dhe kur dezinformatat shpërndahen në mënyrë sistematike ato shndërrohen në propagandë. Lajmet e rrejshme nuk janë zbulim i sotëm, ato kanë eksistuar gjithmonë, për shembull në sistemin komunist të cilin e kemi kaluar, ato kanë qenë përditshmëri. Por sot, zhvillimi i teknologjisë informative dhe mediat e reja e lehtësojnë prodhimin dhe shpërndarjen e tyre”, thotë profesoresha Tahiri.
Zgjedhjet e fundit në ShBA të cilat i fitoi Presidenti Trump dhe referendumi për daljen nga Bashkimi Evropian në Britaninë e Madhe të njohura si “Brexit”, janë rastet për të cilat mendohet se u ndikuan nga lajmet e rreme. Ishte një kompani e marketingut e cila u akuza e pastaj u mbyll për dyshime në përdorimin e të dhënave personale të përdoruesve të “Facebook”.
“Shembujt e Brexit-i dhe Trump-i, tregojnë se një mënyrë efikase për ta kuptuar se t’u drejtohen politikanët votuesve është përmes shprehive të tyre digjitale, prandaj kompania “Cambridge Analytica” ka arritur sukses në profilizimin psikologjik të votuesve përmes shprehive të tyre digjitale”, thotë Tahiri.
Eksperti i rrjeteve sociale, Driart Elshani, thotë se rrjetet sociale mund të përdorën për manipulimin e masave. Ai shpjegon mënyrën sesi përdorën rrjetet popullore për të selektuar audienca të caktuara.
“Mënyra se si funksionojnë rrjetet sociale është e tillë që nuk inkurajohet mendimi kritik dhe përdoruesve u paraqitën përmbajtje të ngjashme me ato që me herët janë pëlqyer. Secili përdorues ka pëlqimet dhe rrjetin e tij njerëzor dhe varësisht me cilat përmbajtje ka pasur interaksion me të madh algoritmet e rrjeteve sociale do t’i shfaqin përmbajtje të ngjashme”, thotë ai për Gazeta Jeta në Kosovë.
“Rreziku më i madh paraqitet kur ka lajme të rreme (fake news) dhe nëse nuk raportohen ato merren si të vërteta, pra përdoruesit u besojnë sepse votuesi potencial veçse ka prirje për të besuar”, shton Elshani.
Sipas ekspertit të rrjeteve sociale, platformat sociale mund të jenë përcaktuese se kush do t’i fitoj zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.
Mundësia për reklamim në rrjete sociale, siç është “Facebook” dhe “Instagram” u jep mundësi partive politike që të sponsorin lajme propaganduese.
“Do të shpërndahen lajme dhe përmbajtje fiktive dhe votuesit do të besojnë pa e verifikuar gjendjen faktike. Rrjetet sociale mundësojnë shenjestrimin e votuesve bazuar në moshë, në vendlindje, në nivelin e tyre arsimor etj”, deklaron ai.
“Vlen të theksohet se këto zgjedhje do të fitohen nga ato parti që do t’i përdorin mediat sociale në mënyrë më efektive. Rrjedhimisht, beteja elektorale do të zhvillohet në këto platforma. Në këtë kontekst pres që në këto zgjedhje edhe manipulimi i masave do të jetë i paprecedent dhe si asnjëherë më herët në historinë moderne të Kosovës”, thotë eksperti i rrjeteve sociale, Driart Elshani.
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës është një trup vetërregullues i mediave elektronike dhe të shkruara. Deri më tani, KMShK numëron 27 anëtarë dhe në bazë të ankesave ky mekanizëm merr vendime mbi raportimin e mediave.
Imer Mushkolaj, kryetar i Bordit në KMShK thotë se në prag të zgjedhjeve e sidomos gjatë fushatës elektorale, rritet numri i informacioneve të rreme.
“Bazuar në përvojën në të kaluarën, lajmet e rreme kryesisht kanë pasur në fokus denigrimin e oponentëve politikë të subjekteve të caktuara, andaj një qasje e ngjashme mund të pritet edhe tash. Lajmet e rrreme mund të ndikojnë në opinionin publik, por jo në atë masë sa të ndikojnë në ndryshimin e vullnetit të tyre politik”, thotë Mushkolaj.
Mediat anëtare të KMShK-së kanë një Kod të Etikës mbi bazën e raportimit profesional të cilin janë pajtuar që ta respektojnë.
Mushkolaj thotë se KMShK në vazhdimësi bën aktivitete të cilat mëtojnë ta parandalojnë raportimin joprofesional.
“Një kontribut në parandalimin dhe dekonstruktimin e lajmeve të rreme KMShK e ka dhënë edhe gjatë Shkollës së Etikës, ku në fokus ishin gazetarët e rinj. Ndërkohë, vazhdimish KMShK bën thirrje për kujdes në raportim dhe respektim të kodit”, thotë ai.
Si të mbrohemi nga lajmet e rreme?
Profesoresha universitare, Lindita Tahiri, thotë se mënyra më e mirë për t’i shmangur lajmet duhet t’i shohim edhe burimet alternative, përveç atyre që na ofrohen në raportime.
“E rëndësishme është që publiku të ketë mendim kritik dhe të jetë në gjendje ta dallojë faktin nga opinioni, si dhe të konsultojë burime alternative për ta verifikuar lajmin. Po ashtu, përveç njohurive për informacione, secili prej nesh duhet të reflektojë për bindjet dhe paragjykimet e veta”, thotë ajo.
Një tjetër formë për mos të rënë pre e informatave të rreme është mendimi kritik ndaj përmbajtjeve mediale.
“Është me rëndësi dhe aftësia për ta kuptuar reagimin tonë emocional dhe moral ndaj lajmeve, e jo vetëm atë njohës. Këtë shkathtësi të mendimit kritik e synon edukimi për media, dhe prandaj është me rëndesi që individi të jetë i përgatitur për ta shfrytëzuar median dhe për ta prodhuar atë, meqenëse sot secili prej nesh prodhon media”, thotë Tahiri.
Ndërsa, eksperti i rrjeteve sociale thotë se lajmet e rreme duhet të raportohen në ato rrjete sociale ku edhe shihen.
“Sigurisht që edhe në Kosovë prodhohen lajme të rreme dhe ky është një problem enorm për shoqërinë kosovare. Ajo çka i këshilloj njerëzit është që secilin lajm dhe përmbajtje online fillimisht ta verifikojnë dhe nëse shohin lajme të rreme (fake news) ti raportojnë ato përmes butonave report në Facebook dhe Instagram”, thotë Elshani.
Ndërkaq, Mushkolaj thotë se verifikimi i burimeve është gjëja e parë që duhet të bëjnë lexuesit kur informohen nga rrjetet sociale.
“Së pari të verifikojë burimin e lajmit. Nuk mjafton të thotë dikush se një lajm e ka lexuar në Facebook, por duhet të jetë i kujdesshëm se nga cilat burime informohet. Mediat e besueshme dhe kredibile edhe ofrojnë informacione të tilla. Andaj duhet pasur kujdes që të mos bihet pre e lajmeve të rreme”, thotë Mushkolaj.
Në muajin shkurt të këtij viti, emisioni “Jeta në Kosovë” trajtoi “industrinë” e lajmeve të rreme.
Shitësit e rrenave në Kosovë, me shumë para e pak shqetësime
www.kallxo.com