Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Fushata për raundin e dytë të zgjedhjeve do zgjasë pesë ditë

Kandidatët e 21 komunave që do të shkojnë në balotazh më 14 nëntor, do të kenë kohë 5 ditë për fushatë zgjedhore.

Kështu ka njoftuar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

“Fushata zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët që do të garojnë në raundin e dytë, do të jetë 5 ditore, do të fillojë më 8 nëntor dhe do të përfundojë më 12 nëntor” ka thënë Elezi.

Ndërsa, për votuesit jashtë Kosovës, Elezi tha se KQZ ka lënë 15 ditë në dispozicion për votim përmes postës, këto fletëvotime duhet të pranohen më së largu deri më 12 nëntor.

“Për votuesit e regjistruar suksesshëm nga jashtë Kosovës, gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht, KQZ-ja ka vendosur 15 ditë në dispozicion të tyre për të votuar përmes postës. Ky votim fillon më 29 tetor. Deri para kësaj date, KQZ-ja planifikon të miratojë dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimeve, për ta bërë të mundur fillimin e votimit jashtë vendit. Fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja më së largu më 12 nëntor”, shtoi tutje Elezi.

Sa i përket vëzhgimit të zgjedhjeve të këtij raundi, KQZ-ja ka vendosur që subjektet politike garuese, OJQ-të, organizatat ndërkombëtare, misionet diplomatike dhe mediat të konfirmojnë listat me vëzhguesit që duan t’i angazhojnë sërish, si dhe të aplikojnë për vëzhgues shtesë.

Tutje, zëdhënësi i KQZ- së theksoi se aplikimi për akreditim të vëzhguesve shtesë të subjekteve politike, OJQ-ve, vëzhguesve ndërkombëtar dhe mediave, fillon më 28 tetor dhe përfundon më 8 nëntor.

Këto janë 21 komunat që pritet të shkojnë në balotazh