Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Fushata zgjedhore për rundin e dytë fillon më 8 nëntor dhe do të zgjasë 5 ditë

Fushata zgjedhore për partitë politike që do të garojnë për rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave do të zgjasë 5 ditë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, njoftoi se fushata do të fillojë më 8 nëntor e do të zgjasë deri më 12 nëntor.

“Fushata zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët që do të garojnë në raundin e dytë, do të jetë 5 ditore, do të fillojë më 8 nëntor dhe do të përfundojë më 12 nëntor”, tha Elezi në një njoftim në Facebook.

Elezi njoftoi se KQZ ka vendosur se votuesit jashtë Kosovës kanë kohë 15 ditë për të votuar përmes postës.

“Ky votim fillon më 29 tetor. Deri para kësaj date, KQZ-ja planifikon të miratojë dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimeve, për ta bërë të mundur fillimin e votimit jashtë vendit. Fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja më së largu më 12 nëntor”, shtoi më tutje ai.

Sipas tij, KQZ do të mundësojë votimin e personave me nevoja të veçanta në komunat ku do të mbahet rundi i dytë.

“Deri më 11 nëntor, KQZ-ja do të identifikojë votuesit e infektuar me COVID-19, ndërsa për votuesit me nevoja të veçanta (VNV) në institucione, KQZ-ja do të dërgojë kërkesë në Ministrinë e Drejtësisë nga 2 deri më 5 nëntor, ndërsa kërkesën në Ministrinë e Shëndetësisë do ta dërgojë deri më 10 nëntor”, tha Elezi.

Ai njoftoi se partitë politike, OJQ-të, misionet diplomatike dhe mediat mund të konfirmojnë listat me vëzhguesit e tyre dhe të aplikojnë për vëzhgues shtesë.

Në lidhje me këtë, aplikimi fillon më 28 tetor dhe përfundon me 8 nëntor.