Hashim Thaçi, President i Kosovës

Presidenti i ideve të çuditshme

Kur në pranverë të vitit 2003, Hashim Thaçi, si kryetar partie, po ia prezantonte botës një projekt të tij kundërthënës, e tërë klasa tjetër politike e kohës u ngrit kundër tij.

Atëbotë nuk është se Thaçi kishte edhe shumë miq brenda kësaj klase.

I gjendur mes refuzimit të një viti më parë të ish-Presidentit Ibrahim Rugova dhe LDK-së së tij për ta bërë kryeministër të një qeverie gjithëpërfshirëse pas zgjedhjeve të para parlamentare të Kosovës së pasluftës, Thaçi nuk e duronte të qenit në margjina të politikës.

Ai donte t’ia bënte të ditur akterëve politikë praninë e tij dhe këtë ia bëri në mënyrën më të papritur të mundshme: duke e hedhur në ajër idenë për moratorium të zgjidhjes së statusit të Kosovës.

Atë kohë, Kosova po e përmbyllte vitin e katërt të administrimit ndërkombëtar, proces i cili në imagjinatën e secilit nuk do të duhej të zgjaste më shumë se tri vjet.

Propozimi i krijoi atij vëmendje më të madhe mediale ndërsa përveç rivalëve politikë, u kritikua edhe nga persona që më vonë do t’i merrte afër vetes, siç është rasti i bashkëpunëtorit të tij shumëvjeçar në parti, PDK, Enver Hoxhajt.

14 vjet më vonë, përderisa kosovarët po shijonin një verë të freskët brenda dhe pushimet jashtë, Thaçi, tash në cilësinë e Presidentit, shkundi sërish opinionin kur doli me propozimin e tij për kufirin me Serbinë, i cili, sipas tij mund të rishikohet si pjesë e një marrëveshjeje përfundimtare “ligjërisht të obligueshme” me Serbinë.

Paraprakisht ai kishte zhvilluar disa takime me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, nën lehtësimin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian, Federica Mogherini.

“Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj ruajtjes së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, sigurimit të lirive dhe të të drejtave njerëzore e qytetare, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me ndërgjegje e përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrimet e mia”, ishte teksti i betimit të cilin Thaçi e lexoi para sallës gjysmë të zbrazët të Kuvendit në ditën kur e mori nga Atifete Jahjaga mandatin pesëvjeçar të Presidentit në prill të vitit 2016.

Dy vjet e gjysmë pas këtij momenti, ai po i hynte një betejë të re në politikë me të cilën po e vinte në diskutim një pjesë të këtij betimi.

Ai risolli në diskutim një temë të mbyllur në 2008 kur Kosova kishte shpallur pavarësinë e saj, tani më të njohur nga më shumë se 110 shtete. Hashim Thaçi nga pozita e presidentit po kërkon më shumë tokë për Kosovën.

Ndonëse të tjerët po e shohin këtë si ide si shkëmbim të territoreve me Serbinë, ai vetë nuk e ka thënë këtë publikisht asnjëherë.

Për ta bërë më të ‘ambalazhuar’ këtë ide, ai solli në publik edhe planin që në kuadër të këtij korrigjimi, tri komunat e banuara me shqiptarë në jug të Serbisë, Presheva, Bujanoci e Medvegja, t’i bashkohen Kosovës.

Ai kishte përgatitur “terrenin” që në krahë të kësaj ideje ta kishte edhe kryeministrin Ramush Haradinaj.

Por sot atë e ka kundërshtarin më të madh të kësaj ideje.

Hashim Thaçi, Federica Mogherini dhe Aleksandar Vuçiq – Foto: REL/European Council

Për më shumë se 1 vit, Thaçi e Haradinaj u sollën si miq shumë të mirë, brenda dhe jashtë institucioneve, derisa Presidenti filloi publikisht të flasë për korrigjim të kufijve.

Ndonëse, Haradinaj në fillim deklaronte se ideja e Thaçit për marrjen e Luginës së Preshevës është vetëm një “defensivë deklaratash” kundrejt palës serbe që pretendon veriun e vendit, më vonë ai nisi ta kundërshtojë zëshëm.

Zbehja e raporteve në mes Presidentit dhe Kryeministrit nisi pak pas përfundimit të njërës prej temave që i diskutua në çdo tavolinë kosovari.

Pak pas miratimit të Demarkacionit me Malin e Zi në Mars të vitit të kaluar, Presidenti filloi të flasë publikisht për korrigjim kufijsh, për të cilën vazhdon të flasë edhe më tutje.

Gjarpërimi Drejt Kreut të Shtetit

Si në fillim, njëjtë edhe tani kur po mbush 3 vjet në krye të zgjedhjet së tij president, ai vazhdon të mbetet i vetmi politikan me ndikim në vend që mbështet korrigjimin e kufijve.

Madje, edhe partia që ai e kishte themeluar dhe qëndroi në krye të saj për më shumë se 17 vjet, publikisht po e kundërshton rreth kësaj ideje.

Verën e vitit të kaluara Hashim Thaçi publikisht, përmes një konferencë për media, e kishte “kërcënuar” Haradinajn me shkuarje në zgjedhje “nëse nuk i korrigjon deklaratat”.

Sot ata kanë mospajtime të thella edhe sa i përket taksës prej 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.

Thaçi kërkon që të dëgjohet kërkesa e SHBA-së për pezullim të taksës, gjersa Haradinaj vazhdon të mbajë qëndrimin e njëjtë, taksa nuk pezullohet.

Kjo taksë është në fuqi që nga nëntori i vitit të kaluar.

Viti i Parë i Hashim Thaçit, Sytë nga e Kaluara

Presidenti është zyrtari i parë që është takuar me Presidentin dhe Kryeministrin e Rusisë. Hashim Thaçi ka zhvilluar takime, ndonëse të shkurta me presidentin rus, Vladimir Puti në Francë si dhe me kryeministrin rus Dimitri Medvedev.

Me të parin thotë se kanë folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi ndërsa të dytin e kishte informuar për zhvillimet në Kosovë.

Zgjedhja e Thaçit dhe votat e LDK-së

Hashim Thaçi erdhi në krye të presidencës pas një marrëveshje politike me LDK-në e cila i kishte dhënë fund një krize gjashtëmujore politike paszgjedhore në vitin 2014.

Më 26 shkurt të 2016, kur në kryeqytet disa kishin arsye për të festuar për zgjedhjet e Thaçit president, disa të tjerë bënin të kundërtën, po protestonin.

Gëzimi dhe hidhërimi i një akti të tillë vërehej edhe brenda Kuvendit edhe jashtë saj.

Lëvizja Vetëvendosje, që në atë kohë identifikohej me “gazin lotsjellës”, e tymosi sërish sallën e Kuvendit në përpjekje për të mos lejuar mbajtjen e seancës solemne, ku do votohej për president.

Ndërsa vet deputetët kishin ftuar qytetarët që të protestonin jashtë dhomës së votimit.

Derisa Hashim Thaçi po priste me padurim për të kuptuar nëse do t’i arrijë votat e nevojshme e Isa Mustafa, në atë kohë kryeministër endej nëpër çdo ulëse të deputetëve të partisë së tij për t’i siguruar votat për Hashim Thaçin, dritaret e Kuvendit të Kosovës thyheshin sa njëra, sa tjetra.

Protestuesit kishin thyer kordonin e Policisë dhe e sulmonin me gurë ndërtesën e Kuvendit.

Ndonëse Isa Mustafa ishte aleati kryesor në gjetjen e numrave për ta bërë Thaçin president, ai sot e sulmon ashpër për idenë e tij për korrigjim kufijsh por edhe për çështje të tjera politike.

Thaçi nuk kishte arritur të zgjedhej president me kushtin e parë të Kushtetutës, që kërkon 2/3 e deputetëve në dy raundet e para të votimit. Dy herë provoi, dështoi, derisa në rastin e tretë kur nevojitej vetëm një shumicë e thjeshtë, Hashim Thaçi arriti të sigurojë 71 vota.

Mirëpo duket se ai e ka harruar këtë. Në disa paraqitje publike ai nuk ngurron të deklarohet se është president i zgjedhur nga 2/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Sot, Hashim Thaçi po kërkon unitet politik në vend në lidhje me dialogun e fazës finale me Serbinë. Ai me theks të veçantë po i bënë thirrje LDK-së që të bëhet pjesë e ekipit negociator, të cilin e udhëheq një ish zyrtar i Vetëvendosjes. Shpend Ahmeti që ka ndërruar parti dhe Fatmir Limaj që ka ndërruar qëndrim, janë emëruar e votuar nga Qeveria e Kuvendi për të qenë në krye të këtij ekipi.

LDK-ja deri më tani po e kundërshton, duke deklaruar se nuk do të bëhet pjesë e ekipit.

Nëse në 2018 dhe 2019 do të mbahet mend për idenë e tij për korrigjim të kufijvë, ai në fund të 2017 kishte provuar edhe një sfidë tjetër, por që ishte zmbrapsur. Gozhda e tij kishte goditur hekurin.

Gjykata Speciale që filloi punën në fund të vitit të kaluar, ishte tentuar të shfuqizohej në fund të 2017. Madje ishte mbledhur edhe Kuvendit për ta nxjerrë në votim shfuqizimin e këtij ligji.

Shumëkush në Kosovë e pa Hashim Thaçin ideator të kësaj nisme, ndonëse ai nuk e kishte pranuar kurrë këtë.

“Gjykatën Speciale nuk ua solla unë”, kishte deklaruar Thaçi në atë kohë, duke cituar një pjesë të fjalimit legjendë të Gjergj Kastriotit Skënderbeu kur kishte mbërritur në Krujë për ta marrë drejtimin e rezistencës shqiptare ndaj Perandorisë Osmane.

Mirëpo, Hashim Thaçi ishte avokuesi më i madh për themelimin e kësaj gjykate gjatë debateve të pafund në Kuvend në vitin 2015.

Nisma për shfuqizim nuk u jetësua kurrë pas kundërshtimit të ashpër nga ana e ndërkombëtarëve, e me theks të veçantë nga përfaqësuesit diplomatik të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe në Kosovë.

Sot kjo gjykatë ka intervistuar disa ish luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës.

Më 16 shkurt të vitit të kaluar, vetëm një ditë para festimit jubilar të 10 vjetorit të Pavarësisë, Hashim Thaçi përmes një konferencë për media e bëri publike një marrëveshje “xhentëlmene” që e kishte arritur me homologun e tij malazez, ish presidentin Filip Vujanoviq mbi marrëveshjen e kufirit ndërshtetëror.

Dy Vjet në ‘Fron’

Vetëm pas kësaj marrëveshje, Haradinaj do ta çonte demarkacionin në Kuvend për votim.

Kjo marrëveshje në mes tjerash deklaronte se do të bëhej korrigjimi i vijave kufitare për të cilat ka dyshime. Kjo nuk ndodhi asnjëherë deri më tani, ndonëse kanë kaluar mbi 12 muaj prej kësaj marrëveshje presidentësh dhe mbi 11 muaj që nga votimi i Demarkacionit në Kuvend.

Tri vitet si president, përveç tjerash Hashim Thaci e shpenzoi duke dhënë edhe dekorata të shumta. Për nder të 10 vjetorit të pavarësisë, Thaci kishte nisur të shpërndante dekorata. Ai kishte dhënë me qindra të tilla, por disa po i mbulon pluhuri në zyrën e tij. Kjo për shkak që disa të dekoruar kishin refuzuar të marrin duke dhënë arsyet e tyre.

1 muaj pas festimit të 10 vjetorit të pavarësisë, një top-skandal ndodhi në Kosovë. Në të u përfshinë institucionet më të rëndësishme të sigurisë dhe politik-bërjes.

6 shtetas turq ishin zhdukur nga Republika e Kosovës dhe askush nuk kishte njohuri vendndodhjen e tyre për ditë të tëra, derisa u lajmëruar se ata janë deportuar për në Turqi, me kërkesë të kësaj të fundit.

Inteligjenca, Policia, Ministria, Qeveria e Presidenca u përfshinë në këtë skandal. 2 njerëz u shkarkuan, një u gradua.

Driton Gashi u shkarkua nga pozita e drejtorit të AKI-së e në vend të tij shkoi Shpend Maxhuni që mbante postin e Drejtorit të Policisë, ndërsa Flamur Sefaj u shkarkua nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme dhe u largua nga jeta politike.

E ish drejtori Driton Gashi sot punën në zyrën e Presidentit Hashim Thaçi.

Kur i kanë mbetur edhe 2 vjet deri në përfundim të mandatit të tij si president, Hashim Thaçi ka deklaruar se nuk do kërkojë edhe njëherë besimin e deputetëve.

Sipas tij, ai do garonte edhe për një mandat vetëm nëse zgjedhjet për president do të bëheshin nga populli. Ndërsa kishte deklaruar se nuk do t’i kthehet jetës politike në qeveri apo kuvend.

Hashim Thaçi ishte zgjedhur president më 26 shkurt 2016 në Kuvendin e Kosovës ndërsa betimin si president i kishte dhënë më 7 prill të atij viti.

Deri më tani, kushtetuta nuk është prekur. Presidenti zgjidhet nga votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Kanë mbetur edhe 2 vite kohë që kjo pjesë e kushtetutës të mund të ndërrohet, përndryshe nëse Thaçi i mbetet besnik premtimit të tij, nuk do të jetë më pjesë e jetës publike politike.