Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, gjatë takimit me banorë të fshatit Greme - Foto: facebook

'Pakti’ kundër korrupsionit, fushatë para zgjedhjeve

Ndonëse ka 12 vite që Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është në qeveri, kryetari i kësaj partie, Kadri Veseli dje e pranoi që ka nivel të lartë të korrupsionit dhe nepotizmit për çka propozoi edhe një pakt për luftimin e këtyre dukurive.

Ky pakt i propozuar nga Kadri Veseli përmban 10 pika. E para prej tyre është moskandidimi i personave që kanë aktakuza për korrupsion dhe nepotizëm.

Thirrjes së Veselit për nënshkrimin e këtij pakti i është përgjigjur vetëm Aleanca Kosova e Re (AKR), përderisa Partia Socialdemokrate (PSD) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) janë deklaruar se nuk do ta nënshkruajnë, ndërsa Nisma Socialdemokrate ka preferuar ‘heshtjen’ karshi kësaj iniciative.

E ish-partneri i koalicionit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e ka konsideruar këtë ‘iniciativë fushatash’.

Ndërsa sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile në Kosovë, kjo iniciativë nuk është serioze dhe si e tillë edhe nuk ka marrë përkrahjen e partive politike në vend.

 Partitë nuk e përkrahin iniciativën ‘joserioze’ të Veselit

Në lidhje me iniciativën e kreut të PDK-së është deklaruar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, i cili ka thënë që nuk do ta nënshkruajnë këtë dokument, i cili sipas tij nuk ka asnjë vlerë.

“Ne me PDK-në nuk nënshkruajmë asnjë dokument, asnjë pakt dhe asnjë dokument tjetër. Ne e luftojmë vetë korrupsionin dhe këtë e kemi qëllim themelor të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), por nuk dëshirojmë që të qesim fall për korrupsionin dhe që me fallxhinjtë të bëjmë dokument i cili nuk ka asnjë vlerë”, ka thënë Mustafa pas takimit me deputetin e CDU-së, Peter Beyer.

Nënkryetarja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, në një prononcim për gazetën Jeta në Kosovë tha se korrupsioni nuk luftohet me deklarata në kohë zgjedhjesh.

“Korrupsioni nuk ka lind sot, në këtë qeveri kemi bërë thirrje të vazhdueshme që institucionet e vendit me vepru për cilindo që keqpërdor buxhetin e shtetit. Luftimi i korrupsionit nuk bëhet me deklarata”, theksoi Haxhiu duke mos dashur të përgjigjet nëse do ta nënshkruajnë paktin.

Gazeta gjatë ditës ka provuar të marrë përgjigje edhe nga zyrtarë të NISMA-s nëse do ta nënshkruajnë këtë pakt, mirëpo të njëjtit kanë qenë të paqasshëm.

E në anën tjetër sipas kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacollit, kjo është një iniciativë e pranueshme për ta pasi që sipas tij AKR-ja punon me duar të pastra.

“Normalisht unë e mbështes çdo pakt. Sinqerisht ne këtë e kemi në programin tonë, është shtyllë e programit tonë të punojmë me duar të pastra gjithmonë dhe mos të abuzojmë asnjëherë me të mirën e shtetit dhe paranë e qytetarit”, tha Pacolli.

Ndërsa dy partitë të tjera, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate, e kanë refuzuar ofertën e Veselit.

Lufta e Veselit kundër korrupsionit, metodë për mbledhjen e votave

Shoqëria civile në vend ka konsideruar se është më se e nevojshme që politika të mos e pengojnë sistemin e drejtësisë në kryerjen në luftimin e korrupsionit dhe nepotizmit.

Mexhide Demolli – Nimani, drejtoreshë ekzekutive e Lëvizjes FOL, ka thënë që kjo është një nga mënyrat që PDK-ja e ka zgjedhur për të bërë fushatë.

“PDK-ja nuk mund ta amnistojë veten me këtë pakt për tërë ato vite sa ka qenë në qeverisje dhe Kosova nuk ka parë veprime konkrete në luftim të korrupsionit e aq më shumë kur të gjithë e dimë për numrin e madh të zyrtarëve me aktakuza që i ka kjo parti”, tha ajo në një prononcim për Gazetën JnK.

Ndërkaq, Arton Demhasaj nga organizatës për demokraci, anti-korrupsion dhe dinjitet ‘Çohu’, tha se luftimi i korrupsionit nuk mund të bëhet me pakte të cilat nuk kanë ndonjë pasojë juridike.

“Ajo çfarë duhet të veprojnë të gjitha partitë politike është ta largojnë ndikimin ose tendencën për të ndikuar sistemin e drejtësisë në mënyrë që ta lënë sistemin e drejtësisë ta kryejë punën në bazë të të gjitha ligjeve të aplikuara në Kosovë për të luftuar korrupsionin, nepotizmin dhe të gjitha dukuritë negative në vend”, tha ai.

Demhasaj vlerësoi se kjo është një nga metodat që PDK-ja po e përdorë për të marrë vota në zgjedhjet të cilat pritet të mbahen më 6 tetor.

Kjo padyshim që është fushatë zgjedhore, ne jemi në kohë fushate, dhe të gjitha partitë politike mundohen me u kapë në diçka dhe me marrë vota”, tha ai.

Ndërsa sipas drejtoreshës së Lëvizjes Fol, Mexhide Demolli – Nimani, refuzimi i partive karshi ftesës së Veselit është si rezultat i joseriozitetit të vetë paktit.

“Duke e ditur kohëzgjatjen e Partisë Demokratike në pushtet dhe mundësitë që i ka pasur deri tani që të bëjë më shumë për të luftuar korrupsionin dhe nuk e kanë bërë, përkundrazi niveli i korrupsionit vetëm sa është rritur më shumë, partitë tjera po e shohin si joserioze këtë pakt”, tha ajo.

Iniciativa e ‘dështuar’ e Kadri Veselit për largimin e zyrtarëve më aktakuza

Beteja’ e Veselit për vendosje të ligjit ka filluar qysh në qershor të këtij viti, ku përmes një vendimi ai kishe liruar nga detyra të gjithë zyrtarët me aktakuza.

Mirëpo pavarësisht zotimit, ‘beteja’ e Veselit kishte hasur në rezistencën e kryetarit të degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku. Ai kishte bërë edhe akuza të mëdha në drejtim të partisë.

Veseli kishte heshtur ndaj këtyre akuzave. E disa prej bashkëpartiakëve të tij e kishin sfiduar Lushtakun, duke i thënë që duhet të flasë me emra.

Ndërsa në mbledhjen e këshillit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), të mbajtur në korrik të këtij viti,  Veseli qëndronte në të njëjtin rresht me tre zyrtarët që kanë aktakuza.

Adem Grabovci, Sami Lushtaku si dhe Xhavit Haliti aktualisht kanë aktakuza aktive dhe ishin të pranishëm në takimin e Këshillit Drejtues të PDK-së të udhëhequr nga Veseli.

Ndaj Adem Grabovcit rëndon aktakuza e ngritur për skandalin e përgjimeve ‘Pronto’. Grabovci hoqi dorë nga kandidatura për kryetar të PDK-së në Pejë, ndërsa u zgjodh pjesë e këshillit drejtues të PDK-së në qershor të këtij viti.

Derisa Grabovci ishte pjesë e takimit të PDK-së, Besim Beqaj që është në të njëjtën aktakuzë është liruar nga detyra e ministrit me vendim të Veselit. Kryetar i PDK-së në Pejë, është zgjedhur Xhavit Halitit, ndaj të cilit Prokuroria e Prishtinës me 31 maj 2019 ka ngritur një aktakuzë për veprën penale të sulmit me pretendimin ndaj deputetit e LDK-së Arben Gashi.

Ndërsa ndaj Lushtakut rëndojnë tri aktakuza. E para për rastin e njohur si “KEK 2” për veprën penale të shtytjes në keqpërdorim të detyrës zyrtare e cila është në Gjykatën e Apelit pasi në shkallën e parë ishte shpallur i pafajshëm. Përveç saj, Lushtaku ka një aktakuzë që ka të bëjë me arratisjen nga QKUK-ja në kohën sa ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.