Arkiv- Kartëmonedha euro - Foto: REL/AFP
LDK gjobitet përsëri me 2 mijë euro
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është gjobitur përsëri me 2 mijë euro për shkak të organizimit të tubimeve në Prishtinë, në kundërshtim me masat kundër COVID-19.
Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Inspekoratit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, në rrjetin social Facebook.
Tahiri i është drejtuar Qeverisë Hoti duke thënë se “Ligjin edhe vendimin për masat, vet i keni hartuar e votuar – edhe gjobat, duhet t’i paguani”, ose në të kundërtën, ka paralajmëruar procedurën përmes përmbaruesit.
“Askush mbi ligjin! Gjoba e katërt ndaj subjekteve politike, për organizim të tubimeve në Prishtinë në kundërshtim me ligjin dhe masat në fuqi. Ligjin edhe vendimin për masat, vet i keni hartuar e votuar – edhe gjobat, duhet t’i paguani. Në të kundërtën, i inkasojmë përmes përmbaruesit!”, ka shkruar drejtori Tahiri.
Më 11 janar LDK-ja ishte gjobitur më 2 mijë euro nga ana e Inspekcionit të Komunës së Prishtinës për të njëjtën arsyeje.
Ndërkaq më 19 janar edhe Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) janë dënuar me nga 2 mijë euro për shkak të mosrespektimit të masave kundër COVID-19.
Subjektet politike kanë filluar tubimet elektorale ende pa filluar zyrtarisht fushata zgjedhore.
Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë do të mbahen më 14 shkurt.