Ulpiana

Mosguximi i institucioneve shtetërore lë vendin pa ligj të ri për trashëgiminë kulturore

Për më shumë se gjysmë dekade institucionet shtetërore, konkretisht Ministria e Kulturës kanë dështuar ta bëjnë vendin me ligj të ri për trashëgiminë kulturore.

Fusha e trashëgimisë kulturore, asetet dhe monumentet e trashëgimisë në vend mbrohen më një ligj të miratuar qysh në kohën e UNMIK-ut.

Përpjekjet e MKRS-së për bërjen e një ligji të ri për trashëgiminë kulturore, janë përcjellë me mjaft vështirësi dhe me shumë probleme, sidomos për shkak të ndjeshmërisë dhe ngarkesave politike që karakterizojnë trashëgiminë kulturore të Kosovës.

Një version i projektligjit për trashëgiminë vazhdon të figurojë në uebin e Kuvendit të Kosovës, pavarësisht pohimeve të zyrtarëve të MKRS-së, se pas miratimit të Koncept dokumentin për Trashëgimi nga qeveria, ministria i ka hyrë përsëri draftimit të ligjit për trashëgiminë.

Në fakt MKRS vazhdimisht është e rezervuar kur është fjala rreth arsyeve që shkaktojnë vonesat për miratimin e ligjit të ri për trashëgiminë kulturore.

Zyrtarë të MKRS-së kanë deklaruar për Kallxo.com, se ministria ka formuar një grup punes i cili është duke punuar në projektligjin e ri për trashëgiminë kulturore.

Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në kuadër të MKRS-së ka thënë se hartimi i projektligjit të ri ka nisur pas korrikut të këtij viti, kur MKRS miratoi koncept dokumentin për trashëgiminë.

”Qeveria në muajin korrik ka miratuar Koncept dokumentin për Trashëgimi Kulturore, kurse grupi punues është duke punuar në hartimin e projektligjit”, ka thënë shkurt për Kallxo.com drejtoresha Aliu, pa dhënë sqarime të më tejme rreth vonesave në hartimin e ligjit të ri për trashëgiminë, por edhe çështjen e drafteve të më hershme të këtij projektligji të pregatitur nga MKRS.

Neglizhenca shtetërore

Bërja e vendit me një ligj të ri për trashëgiminë kulturore është një nevojë e kohës dhe sipas ekspertëve të fushës së trashëgimisë një ligj i ri do të ndihmonte shumë fushën e trashëgimisë kulturore në vend.

Bashkim Lajçi, etnolog, ekspert në fushën e trashëgimisë, ka pohuar për Kallxo.com se vonesa në këtë çështje, është edhe një dëshmi shtesë për të vërtetuar mosinteresimin dhe neglizhencën e institucioneve tona lidhur me trashëgiminë kulturore, por, edhe siç ka thënë ai, miratimin e ligjeve.

“Deri kur do vazhdojë ky mosinteresim nuk e di, por sa më shumë të vazhdojë kjo amulli aq me keq do të jetë për fushën e trashëgimisë sonë kulturore”, ka thënë Lajçi, aktualisht këshilltar dhe shef i departamentit të etnologjisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës.

Kurse arkitekti Ylber Vokshi, ekspert në trashëgiminë monumentale, ka pohuar për Kallxo.com, se çështjet e trashëgimisë kulturore do të ishin avancuar me miratimin e një Ligji të ri, i cili si projektligj i ka kaluar të gjitha hallkat legjislative që moti.

“Me siguri me përfshirjen e sugjerimeve të profesionistëve në grupet punuese që kanë punuar edhe në legjislacionin e kaluar të Kuvendit të Kosovës. Është për çdo kritikë se si është vepruar këto vite me Ligjin e Trashëgimisë Kulturore”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo fushë ende funksionon me ligjin e vjetër të kohës së protektoratit ndërkombëtar (UNMIK 2006).

Sipas tij, disa herë kishte tentime të ndryshohet dhe plotësohet ky ligj, por po mungon guximi shtetëror dhe profesional që kjo problematikë të trajtohet, si në tërë botën e civilizuar, me ligje progresive.

E ky guxim shtetëror i bazuar në argumente, sipas tij po i hakmerret edhe fushave tjera të funksionimit të shtetit.

“Çuditërisht deri me tani asgjë konkrete nuk është ndërmarrë duke iu ikur të gjitha sfidave me të cila me argumente duhet të ballafaqohemi, edhe me disa kërkesa jo realiste të kundërshtarëve të këtij ligji”, ka pohuar Vokshi

Po sipas tij, prolongimi i tij skajshmërisht po e dëmton fushën e trashëgimisë kulturore, pas presioneve ndërkombëtare po i pranojmë edhe ato çështje që kurrsesi nuk duhet pranuar.

Ndërsa ka thënë se domosdo duhet ndryshuar dhe plotësua ligjin aktual duke përfshi edhe elemente të reja që i imponon shekulli i ri dhe ekonomia e tregut me partneritetin publiko privat (PPP).