Gërmimet arkeologjike në Durrës | Foto nga : Gëzim Kabashi

Ministria e Kulturës cakton buxhetin vjetor për arkeologji

Instituti Arkeologjik i Kosovës do të ketë në dispozicion një buxhet prej 410 mijë eurove për viti 2020. Prej tyre 330 mijë euro për mallra dhe shërbime, ndërsa për subvencione 80 mijë euro. 

Por, drejtues të IAK-së kanë thënë për Kallxo.com se ky institucion nuk është njoftuar zyrtarisht për buxhetin që i është ndarë për këtë vit. 

Buxheti në linjën mallra dhe shërbime do të jetë në dispozicion për stafin e angazhuar në proces të gërmimeve arkeologjike, konservim-restaurim, skicim dhe mirëmbajtje të lokaliteteve arkeologjike.   

 Zyrtarë të Ministrisë së Kulturës kanë deklaruar për Kallxo.com se buxheti i propozuar, në përgjithësi për institucionet e trashëgimisë kulturore ka marrë në konsideratë rrethanat e gjendjes emergjente si rrjedhojë e pandemisë në vend. 

“Për Institutin Arkeologjik të Kosovës buxheti në subvencione është 80,000.00 euro, kurse në mallra dhe shërbime 330,000.00 euro. Buxheti në linjën mallra dhe shërbime do të jetë në dispozicion për stafin e angazhuar në proces të gërmimeve arkeologjike, konservim-restaurim, skicim dhe mirëmbajtje të lokaliteteve arkeologjike”, ka thënë Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë në MKRS.  

Kurse, Enver Rexha, drejtor i IAK, ka thënë për Kallxo.com se nuk është njoftuar zyrtarisht për buxhetin e këtij viti. 

“Ne nuk e dimë se sa do të jetë buxheti për këtë vit, pasi nuk jemi të njoftuar”, ka thënë drejtori Rexha.  

Sipas tij, IAK-ja që nga fillimi i këtij viti është ballafaquar me vonesa rreth shlyerjes së borxheve ndaj operatorëve ekonomik dhe stafeve që punojnë në lokalitetet arkeologjike. 

Drejtori Rexha ka thënë se situata me COVID-19 do të ndikojë edhe në realizimin e planifikimeve të bëra nga Instituti për këtë vit. 

Ulpiana