Kalaja e Novobërdes. Foto: Kallxo.com

Kompania serbe e akuzuar për dëmtim të Kalasë merr lejen për rifillimin e restaurimit në Novobërdë

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka dhënë leje për rifillimin e punimeve për sanimin e dëmeve në Kalasë së Novobërdës, pas restaurimit.

Punimet për sanimin e dëmeve të mureve të restauruara më parë nga firma serbe “Koto” kanë nisur në fillim të këtij muaji dhe do të bëhen nga Ndërmarrja Ndërtimore “Sela” nga Gjilani, si nënkontraktor i firmës “Koto”.

Shumë zhurmë ishte bërë nga Ministria e Kulturës dhe Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve në shtator të vitit të 2019, pasi firma serbe ishte zënë duke rinovuar muret e kalasë me buldozer. Menjëherë pas këtij rasti MKRS/IKMM kishin ndaluar punimet dhe firma serbe “Koto” dhe përfaqësuesi i saj ishin dërguar në Prokurori nga MKRS/IKMM.

Por, në qetësi të plotë dhe pa ndonjë njoftim paraprak IKMM ka dhënë leje për rifillimin e punimeve edhe për kundër faktit se Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë në bazë të padisë së institucioneve shtetërore për dëmtim të mureve të kalasë.  

Kjo aktakuzë ende nuk ka ndonjë epilog në Degën e Gjykatës Themelore në Novobërdë.  Aktualisht në Degën e Gjykatës Themelore në Novobërdë është duke u zhvilluar procedura penale kundër pandehurit, Srgjan Gjorgjeviq nga Kompania për Prodhim, Projektim, Inxhinering dhe Konsulting “Koto” LLC nga Republika e Serbisë.

“Koto” dhe përfaqësuesi i saj janë akuzuar nga Prokuroria Themelore në Gjilan për veprën penale ‘’Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës’’, nga neni 354 paragrafi 2 lidhur me 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas Gjykatës së Gjilanit seanca fillestare për lëndën në fjalë ishte caktuar me datë 16.03.2020, mirëpo seanca nuk është mbajtur, pasi që me datë 15.03.2020, është ndërprerë puna në sistemin gjyqësor, me vendim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për shkak të pandemisë COVID – 19.

Megjithatë kjo nuk i ka penguar institucionet që të lejojnë “Koto-n” të rifillojë punimet pa u ditur epilogu i aktakuzës.

I kontaktuar nga KALLXO.com, drejtori i IKMM-së, Ismet Hajrullahu, për shkaqe shëndetësore nuk ka qenë në gjendje të përgjigjet në pyetjet e KALLXO.com.

Por, Valbona Saliuka, arkitekte në IKMM dhe anëtare e grupit mbikëqyrës të Institutit për Kalanë e Novobërdës, ka thënë për Kallxo.com se IKMM me vendimin nr. 66/2019,  të datës 9.10.2019, ka aprovuar projektin  për ‘Sanimin e dëmeve në Kalanë e Novobërdës’, që konsiston në konservimin dhe konsolidimin e strukturave të dëmtuara.

“Projekti për sanimin e dëmeve në Kalanë e Novobërdës është punuar nga kompania “Core” nga Dubrovniku/Kroaci, ndërsa implementuesi i projektit është kompania ‘Koto” nga Beograd/Serbi , e cila ka  angazhuar nënkontraktor firmën ndërtimore “Sela” nga Gjilani/Kosovë”, ka thënë ajo për KALLXO.com.

Ajo ka thënë se punimet do të mbikëqyren nga ekipi  IKMM-së dhe Instituti Arkeologjik i Kosovës, ndërsa, sipas saj, nuk ka ndonjë afat rreth përfundimit të tyre, pasi kjo varet edhe nga shkaqe të ndryshme objektive.

E pyetur rreth aktakuzës ndaj firmës serbe, Saliuka ka thënë se nuk është në dijeni.

Edhe zyrtarë të MKRS-së nuk kanë ndonjë informacion rreth aktakuzës së ngritur nga Prokuroria e Gjilanit ndaj firmës “Koto” dhe përfaqësuesit të saj, Srgjan Gjorgjeviq.

Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë në MKRS tha për KALLXO.com se aktualisht nuk ka ndonjë informacion të ri sa i përket aktakuzës kundër “Koto-s”, ndërsa, ka thënë se punimet janë lejuar në bazë të vendimit paraprak të Institutit të Kosovës për Mbrojtje te Monumenteve.

“Rifillimi i punimeve në Kalanë e Novobërdës është duke u bërë nën mbikëqyrjen e Institutit të Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve dhe në të njëjtën kohë kemi kërkuar dhe angazhimin e Institutit Arkeologjik të Kosovës. Sa i përket pyetjes së dytë (aktakuzën) aktualisht nuk kam informacion të ri”, ka thënë drejtoresha Aliu.

KALLXO.com nuk ka mundur të marrë një përgjigje nga firma “Koto” rreth aktakuzës së ngritur ndaj saj nga Prokuroria e Gjilanit. I pamundur ka qenë edhe kontakti me të akuzuarin Srgjan Gjorgjeviq.

KALLXO.com nuk ka mndur ta marrë një prononcim as nga Kompania ‘Sela’ e cila po kryen punime në Kala për llogari të firmës “Koto”.

Restaurimi i mureve të Kalasë së Artanës kishte nisur në 2015 dhe përfundoi në tetor të 2016-së.

Por, në mars të 2019-tës ishin raportuar se pjesë të fasadës së mureve të rinovuar nga “Koto” kishin rënë. Pas kësaj i ishte kërkuar punëkryesit, “Koto” të rikthehet për sanimin e dëmtimeve.

Në korrik 2019  IKMM kishte aprovuar lejen për ripunime në Kala.

Në fillim të shtatorit të 2019 IKMM ndaloi punimet e firmës serbe “Koto” pasi punëtorët e saj kishin përdorur një buldozer për restaurimin e mureve të Kalasë së Novobërdës. Ministria e Kulturës po atë muaj inicioi një kallëzim penal kundër firmës “Koto” dhe përfaqësuesit e saj.

Fondi prej 1.1 milion euro për restaurim e Kalasë së Novobërdës është siguruar nga Këshilli i Evropës.  Procesi për restaurimin e Kalasë është bërë dhe bëhet nga UNESCO.

Hartimi i projektit për konservim-restaurim është bërë nga kompania kroate “Omega Engineering”, ndërsa implementimi i projektit është kryer nga firma beogradase “Koto”. Të dy këto kompani ishin përzgjedhura nga UNESCO.